1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

9 Shkurt 2006

Publikimi i karikaturave të profetit Muhamed në Danimarkë dhe reagimet që kanë shkaktuar ato në botën arabe janë edhe sot temë qendrore në të përditshmet gjermane.

https://p.dw.com/p/ArrU
Fotografi: AP

Lidhur me këtë fillimisht në «Financial Times Deutschland» e cila botohet në Hamburg lexojmë:

"Gjendja ligjore është e qartë: një bojkotim tregtar kundër Daninamrkës do të thoshte një bojkot tregtar kundër vet Bashkimit Evropian. Danezët kanë kaluar në masë të dukshme kompetencat e tyre tregtare në Bruksel. Paralajmërimet e Teheranit për të ndërprerë në tërësi shkëmbimin e mallërave me Danimarkën në të vërtetë nuk janë vetëm çështje tregtaro-politike. Deklarata e qeverisë federale gjermane se konfikti nuk guxon të eskaloj më tej është në parim e drejtë por ka rënë në vesh të shurdhër. Ditëve të fundit u pa haptazi që Irani me qëllim kërkonte një eskalim të tillë për të kaluar sërish në ofenzivë në vazhdën e mosmarrëveshje për programin e tij bërthamor" thekson në numrin e saj të sotëm «Financial Times Deutschland».

Ndërkaq nga e përditshmja «Stuttgarter Zeitung» shkëpusim:

"Vet në Evropë, veçmas në Gjermani deri më tani ngadhënjeu maturia. Të gjithë janë unik sa i përket dënimit të dhunës, unik në kritikat ndaj ofendimit të myslimanëve dhe përfundimisht unik në mbrojtjen e lirisë së shtypit. Shoqatat myslimane në Gjermani janë rreshtuar në këtë front dhe bëjnë thirrje që të ngadhënjej arsyeja edhe pse e ndjejnë veten të fyer nga publikimi i karikaturave të profetit Muhamed. Çarmatosje verbale, deeskalim është imperativi i çastit. Dhe mund të pritet që në mbarë botën të mos mungoj nddikimi. Kush përveç disa kokëkrisurëve islamist do të mund të premtonte një përparësi nga lufta mes kulturave. Kush do të ishte aq i çmendur që të marrë përsipër rrezikun dhe të fus botën në kaos. Nuk ka alternativë tjetër përveç se dialogut mes oksidentit dhe orientit", shkruan «Stuttgarter Zeitung».

Ndërkaq në gazetën berlineze «Berliner Kurier» po për të njëjtën temë lexojmë:

"Politikanët iranian sillen sipas kryefjalës së stërmoçme: sy më sy... Për karikaturat e profetit Muhamed rreth publikimit të të cilave ka ende vend për debat, ata përgjigjen me publikim të karikaturave mbi Holokaustin. Ndaj kritikave të kancelares gjermane për programin bërthamor ata reagojnë me urrejtje, zonjën Merkel e krahasojnë me Hitlerin. Megjithatë këtu askush nuk kundërpërgjigjet me metodat iraniane. Askush deri më sot nuk ka sulmuar ambasadën e Iranit. Spiralja e dhunës duhet ndalur. Argumentet bindëse duhet të zëvendësojnë dhunën e verbër. Edhe nëse bëhet fjalë për Zotin", nënvizon «Berliner Kurier».

Ndërrojmë temë dhe shfletojmë gazetën «Mannheimer Morgen» e cila hapësirë të veçantë sot i kushton gjendjes aktuale në Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë. Lidhur me këtë në të lexojmë:

"Partia Socialdemokrate ka një kryetar, një kryetar të fshehtë dhe kërkon një rrugë që të përfitoj nga talenti i Matias Platçekut dhe Franc Mynteferingut pa dëme të mëdha anësore. Në Berlin qeveris kryetari i deriparadokohshëm Myntefering sikur të ishte ende shefi i partisë. Shtrohet pyetja - përse atëherë ai ka hequr dorë nga posti i kryetarit të partisë?. Platçek, kryetari aktual socialdemokrat i shmanget konfliktit në vend se të shtroj pyetjen dhe të sqaroj përfundimisht se kush e ka fjalën kryesore në Partinë Socialdemokrate", komenton «Mannheimer Morgen».

Pa u larguar nga politika e brendshme gjermane në «Abendzeitung» të Mynihut
për koalicionin e madh qeverisës kuq e zi veçojmë:

"Në realitet nuk ka arsye për rehati të gabuar, ekziston një mal me probleme të cilat mund ta mbërthejnë vetëm një koalicion të madh. 'Kuq e Zi' sillen të qetë, qëndrojnë si burracak. Dëshmia më e mirë për këtë është trajtimi skandaloz i temës së pensioneve. Tani flitet për 'pension në moshë 67 vjeçare' në vend të 65 sa është aktualisht dhe me të mendohen shkurtimet e pensioneve. Por në qarqet Merkel-Myntefering askush nuk merr guximin ta thotë këtë. Mungesa e sinqeritetit që njerëzve tu thuhet e vërteta është më e keqe sesa zënkat", arrin në përfundim e përditshmja «Abendzeitung».