1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Elert Ajazaj29 Dhjetor 2005
https://p.dw.com/p/ArsA

Preisidenti gjerman Horst Köhler është përfshirë në debatin mbi politikën e duhur të pagave. Në një intervistë për revistën "Stern" ai propozoi që punëmarrësit të marrin pjesë më shumë në fitimet e sipërmarrjeve. Punëdhënës e punëmarrës duhet ta kuptojnë se në kohën e globalizimit mbrojnë interesa të përbashkëta, tha Köhler. Presidenti u shpreh gjithashtu në favor të një sektori të pagave të ulta të subvencionuara nga shteti dhe të një sigurimi bazë shtetëror për të papunët.

Në lidhje me këtë gazeta Die Welt shkruan:

Sipas rregullave të kushtetutës presidenti vendos për pak çështje. Njeriu i parë në shtet nënshkruan ligje, dorëzon dekorata e mjaft rrallë i duhet të shpërbëjë parlamentin. Megjithatë ai ka pushtet në aparatin shtetëror. Fjala e tij vlen, thirrjet e tij kanë peshë. Tani presidenti po flet për një varg temash, që nga pjesëmarrja në fitim, tek tatimi negativ i të ardhurave, deri tek zgjatja e periudhës legjislative. Propozimet e larmishme të Köhlerit të kujtojnë më shumë programin qeverisës sesa udhërrëfime presidenciale. Presidentin e parë gjerman Theodor Heuss
e quanin për sjelljen e tij atërore "Babai Heuss". Horst Köhler është ende mjaft larg këtij cilësimi.

Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung komenton:

Për ngritjen e sektorit të pagave të ulta të subvencionuara nga shteti Köhler ka përfytyrime të shumta: nga paga e kombinuar tek tatimi negativ i të ardhurave deri tek "të ardhurat bazë". Por propozimet e tij nuk vënë re që në Gjermani - ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës - me ndihmën shoqërore të quajtur Hartz IV ekziston një rrjet i vazhdueshëm sigurimi për secilin, i cili ka efektin e një page bazë. Përfitimet prej tij janë të larta në krahasimin ndërkombëtar, ato pengojnë shumë shpesh fillimin e punës së paguar pak. Të ndërtosh mbi këtë bazë modele të reja subvencionimi do të thotë të bësh harakiri financiarisht, jo vetëm prej efekteve shfrytëzuese, penguese. Kaq është e sigurt: udha për të dalë nga mjerimi në tregun e punës nuk kalon nga erozioni i mëtejshëm i financave të shtetit.

Për të njëjtën temë lexojmë në gazetën e Bonit General-Anzeiger:

Të ardhura bazë nga shteti, sektor i pagave të ulta i subvencionuar publikisht, pjesëmarrje e përmirësuar e të punësuarve në fitimet e sipërmarrjeve - me këto presidenti po hyn në fushën e qeverisë dhe të palëve që negociojnë pagat. Kjo nuk është joproblematike, sepse idetë me pasoja të Köhlerit kanë nevojë për peshim të kujdesshëm të argumentave për dhe kundër. Forma e intervistës që zgjodhi ai e lejon këtë vetëm pjesërisht. Kësaj i shtohet fakti që nëse Köhleri do ti përpunonte vërtet propozimet e tij ai do të pozicionohej si konkurrencë politike ndaj qeverisë - ky nuk është roli i tij. Pra më mirë të heshtë? Jo. Presidenti mund të përpiqet të prishë bllokadat, dhe të japë ide të rëndësishme. Këtë bëri dje Köhleri.

Ndërrojmë temë. Në grindjen midis Rusisë dhe Ukrainës për rritjen e çmimit të gazit nuk ka pasur afrim të qëndrimeve. Takimi i djeshëm midis ministrave të energjetikës të të dy vendeve ka përfunduar pa zgjidhje, bën të ditur agjencia e lajmeve Interfax. Gazeta Saarbrücker Zeitung komenton:

Gazi nuk është aq i pastër sa pëlqejnë të sugjerojnë sipërmarrjet furnizuese. Së paku livrimi nga vendet e shpimit në Rusi deri në rrjetin e furnizuesve gjermanë është një biznes i vështirë e pjesërisht i ndyrë. Vende si Ukraina me kohë e kanë kuptuar që nga të drejtat e përcjelljes për gazsjellësin ndërkombëtar mund të nxirren fitime. Sikur t'iu besohet ekspertëve, edhe vetë zyrtarët ukrainas e përdorin potencialin shantazhues që rrjedh nga pozita gjeopolitike e vendit. Bëhet fjalë për shumë para , por edhe për lëshime politike. Në qarqe restorantesh do të flitej për gjoba, që pronarët i paguajnë për mbrojtjen e lokaleve të tyre.