1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

PP19 Prill 2005

• Ish-Ministri gjerman i Punëve të Brendshme në bankën e të akuzuarve • Në Bavari merr fund era e sundimit të klanit Franz Josef Strauß • Konsumi i shumtë i TV dhe lojrave komjuterike dëmton rëndë zhvillimin e fëmijëve

https://p.dw.com/p/Arvt
Manfred Kanther pas shpalljes së vendimit
Manfred Kanther pas shpalljes së vendimitFotografi: dpa

Një ndër temat që dominon shtypin e sotëm gjerman është dënimi me një vit dhe gjashtë muaj heqje lirie me kusht i ish-ministrit gjerman të Punëve të Brendshme, Manfred Kanther. Gjykaka e Wiesbaden-it e dënoi politikanin 65-vjeçar të partisë demokristiane CDU për shpërdorim. Po ashtu ai duhet të paguajë edhe 25.000 euro dëmshpërblim në arkat e shtetit.

Në lidhje me këtë në gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung" lexojme:

"Përveçse personalisht Kantheri doli në bankën e të akuzuarve edhe si përfaqësues i sferës së tij, gjë që nuk ndryshon asgjë në masën e fajit, por që është e rëndësishme për rrjedhojat që do të nxjerrin ose duhet të nxjerrin politikanët e tjerë prej kësaj çështjeje. Kantheri përfundoi në mokrën e përbërë prej gjoja besnikërisë së tepruar kundrejt partisë së tij dhe lojës së vazhdueshme që luante partia e tij sa i përkiste ashpërsimit të metejshëm të ligjeve në favor të transparencës. Megjithë përpjekjet e opinionit të gjërë askush nuk mund t'i detyronte përfaqësuesit e partive dhe deputetët për ta ashpërsuar disa herë ligjin për partitë, por pasi ato e ndërmorën këtë hap si dëshmi të ndjenjës së tyre për ligjin dhe të vullnetit të mirë, duhet që ta respektojnë këtë ligj pa përjashtime."

Po për të njëjtën temë gazeta "Berliner Kurier" gjen tone edhe më të ashpra. Nga kjo gazetë lexojmë:

"Manfred Kantheri e meriton këtë dënim. Mos ai dhe ndihmësat e tij në radhët e partisë CDU mendonin se mund të transferonin jashtë Gjermanisë shuma në miliona. Dhe pikërisht ky zotni që e konsideronte veten me shumë qejf si "sherifi i zi", e shkeli vetë ligjin pa iu dridhur as qerpiku. Ajo që të shqetëson është fakti që ish-kancelari Helmut Kohl vazhdon të heshtë për donacionet në miliona që kishte marrë ai dhe partia e tij në rrugë ilegale. Edhe zoti Kohl duhet ta provojë një herë vetë në kurriz fuqinë e ligjit. Dhe po të jetë e nevojshme edhe duke kaluar në arrest detyrimor."


Kurse në gazetën "Heilbroner Stimme" lexojmë:

"Gjoba të cilën duhej ta paguante e gjithë partia për shkak të falsifikimit të raporteve të veprimtarisë së saj vazhdon të rëndojë dukshëm ndaj CDU-së. Edhe në rast se ish-ministri i Punëve të Brendëshme, Kanther, nuk ka futur para në xhepin e vet për t'u pasuruar, rrjedhojat e sjelljes së tij dëshmojnë për mungesë besnikërie ndaj CDU-së. Kantheri e sheh veten si viktimë të një "ekzekutimi publik" dhe kjo është shprehje e kuptimit të turbullt që ka ai për ligjin. Përndryshe ç'kuptim do të kishte që dikush e pranon se ka bërë gabim dhe nuk do të dënohet? Milionat nuk kanë rënë prej qiellit dhe për sa kohë Kantheri nuk i tregon se kush ka tjetër dijeni për to, masa e dënimit është e arsyeshme."

Bashkë me dënimin e Kantherit në radhët e partive të unionit demokristian dhe kristian social, CDU dhe CSU, pati edhe një ngjarje tjetër që komentohet prej shtypit të sotëm, largimi i Monika Hohlmeir-it, vajzës së Franz Josef Strauß-it prej politikës. Edhe dorëheqja e saj kishte të bënte me një sërë aferash financiare në të cilat ishte përzier klani Strauß. Në lidhje me këtë në gazetën "Münchener Merkur" lexojmë:

Në Bavari mori fund një mit. Monika Hohlmeier, vajza dhe trashëgimtarja e sistemit të Franz Josef Strauß-it, po largohet nga skena politike. Në këtë mes nuk kemi të bëjmë vetëm me dështimin e një politikaneje të vetme. Me këtë hap edhe partia po largohet prej së kaluarës, apo të paktën prej mënyrës së sjelljeve dhe metodave të saj të sundimit. Ndryshimi radikal që solli me vete Edmund Stoiber kur u zgjodh si kryeministër i landit të Bavarisë përfundoi në një akt të vetëpurifikimit. Në Bavari mori fund përfundimisht era e autokracisë politike."

Ndryshojmë temë duke cituar nga gazeta "Coburger Tageblatt" në lidhje me pasojat e konsumit të televizionit dhe lojrave në kompjuter tek fëmijët.

"Konsumi gjithnjë në rritje i TV dhe lojrave kompjuterike pengon zhvillimin e fëmijëve. Këtë fjali nuk e dëgjojmë për herë të parë. Por kjo nuk mund të përsëritet aq shumë sa duhet, sepse deri tani në këtë mes nuk ka pasur ndonjë ndryshim. Në Berlin po zhvillohet një projekt pilot, ku mjektë po shkojnë nëpër shkolla për të konstatuar dhe parandaluar me kohë problemet. Ky është një hap në drejtimin e duhur që duhet të pasohet nga të tjerë, si për të ardhmen e fëmijë tanë edhe për të ardhmen e vendit."