1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

6 Shkurt 2005
https://p.dw.com/p/Arwp
Ministrja e jashtme amerikane Kondolisa Rajs
Ministrja e jashtme amerikane Kondolisa RajsFotografi: AP


Komentatorët e shtypit gjerman komentojnë në artikujt e së hënës vizitën e ministres amerikane të punëve të jashtme, Kondolisa Rais në Gjermani si dhe akuzimin e qeverisë gjermane nga kryeministri i Bavarisë se ajo mban përgjegjësi për shtimin e ekstremizmit të djathtë në Gjermani.

BILD-Zeitung që botohet në Hamburg ndër të tjera shkruan për temën e parë:

"Ministrja e jashtme amerikane, Kondolisa Rajs e quajti kancelarin Shrëder pas vizitës në zyrën kancelarore shok. Ky është një gjest i papritur i përzemërt. Një gjest që i tërheq vëmendjen botës, pas zbaticës së gjatë në marrëdhëniet midis Berlinit dhe Uashingtonit. Presidenti Bush me sa duket dëshiron të ketë marrëdhënie të ngushta me Gjermaninë, megjithë rezistencën e fortë gjermane në vitin elektoral 2002. Pas ofensivës sharmante të Uashingtonit me në krye Kondoliza Rajsin fshihet edhe një mesazh i fortë për kancelarin gjerman. Gerhard Shrëderi duhet ta dijë: marrëdhëniet miqësore me Amerikën, në plan afatgjatë kanë një cilësi tjetër në krahasim me aksin Paris-Berlin-Moskë. Tani topi është në fushën e Shrëderit. më vonta nëw vizitën e presidentit amerikan Xhorxh Bush në Gjermani, kancelari do të ketë rast t'ia bëjë të qartë personalisht kancelarit, se Amerika është partneri ynë më i rëndësishëm dhe e tillë duhet të mbetet."

Ndërsa gazeta e Hanoverit HANNOVERSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG i vlerëson marrëdhëniet gjermano-amerikane në prag të festës së Karnevaleve:

"Në Mainc, karnevalistët do të ecin në këtë të hënë të Trëndafilave në autokolonë me një automjet, i cili e tregon presidentin amerikan Xhorxh Bush në një pozicion të padenjë. Populli karnevalist do të zbavitet me talljen e Bushit, por kur dy javë më vonë, presidenti të vijë personalisht në qytetin e bukur të Rinit, po të njëjtët njerëz do ta përshëndesin atë miqësisht. Ajo që tregojnë banorët e Maincit mund të shërbejë si mësim demonstrues për gjendjen e marrëdhënieve politike midis SHBA dhe Gjermanisë. Njëherë dëgjon tone të ashpra, që për pak mund të bëhen fyerje, njëherë tjetër i sheh të dyja palët të entuziazmohen përzemërsisht me njëri-tjetrin. Për fat të keq, në jetën e vërtetë punët nuk janë kaq të thjeshta si në botën e karnevalistëve: ajo që ka ndodhur nuk mund të harrohet krejtësisht me kalimin e së mërkurës së përhime. Edhe nëse politikanët drejtues të shteteve flasin me nota pajtuese, si më parë nuk do të jetë."


Gazeta DRESDNER NEUESTE NACHRICHTEN trajton takimin e shkurtër në Ankara të ministres së jashtme amerikane Kondolisa Rajs me ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov:

"Natyrisht, ministrja e jashtme e SHBA të Amerikës ka të drejtë: deficitet e Rusisë në fushën e demokracisë janë shqetësuese. Ajo që të bie në sy në kritikën e ministres së jashtme amerikane janë koha kur bëhet kritika dhe drejtimi i kritikës. Demokracia e Rusisë nuk ndodhet që dje apo sot në një gjendje të vështirë. Por në Uashington nuk shqetësohej askush, për aq kohë sa shefi i Kremlinit i ofroi presidentit Bush në fushatën e tij elektorale mbështetje në luftë kundër terrorizmit, duke sakrifikuar në këtë kuadër pak i nxituar disa interesa strategjike në Gjeorgji dhe Uzbekistan. Pentagoni i vështron ndërkohë Kaukazin dhe Azinë Qendrore si fusha të vetëkuptueshme të influencës së politikës së vet. Vetëm ky konfrontim për sundim rajonal e shtyu Putinin drejt një orientimi të ri dhe që t'i formulojë qartë interesat e veta."


Pohimi i kryetarit të CSU-së, Edmund Stoiber, i cili e argumentoi shtimin e mbështetjes për partinë ekstremiste të djathtë, Partia Nacionaldemokratike Gjermane me politikën e tregut të punës së qeverisë gjermane, komentohet sot gjerësisht në shtypin gjerman.


Shkëpusim një citat nga SÜDDEUTSCHE ZEITUNG që botohet në Mynih:

"Akoma më e rrezikshme do të kishte qenë, sikur Shtoiberi të kishte mbështetur gabimin që bëhet kur thuhet se Hitleri erdhi në pushtet për shkak të papunësisë. Sigurisht që kriza e ekonomisë botërore e lehtësoi hipjen në pushtet të nazistëve, por papunësi masive kishte atëherë edhe në shtete të tjera industriale. Hitleri erdhi në pushtet në vitin 1933 për shkak të dështimit të elitave gjermane në një kohë, kur kriza e kish kaluar tashmë pikën e saj kulmore. Trajtimi si duhet i së kaluarës bëhet kur gjermanëve të rinj u bëhet e qartë herë pas here: liria dhe demokracia janë një thesar, për të cilin duhet të jemi krenarë, dhe që nuk duhet t'i prekë askush, as atëherë kur në Berlin apo diku tjetër ndiqet një politikë e keqe ekonomike."