1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

7 Janar 2005

Një ndër temat kryesore edhe sot në të përditshmet gjermane është katastrofa natyrore në Azinë juglindore dhe ndihmat e bashkësisë ndërkombëtare për tejkalimin e gjendjes së krijuara atje.

https://p.dw.com/p/ArxJ

Lidhur me këtë fillimisht në gazetën Landeszeitung lexojmë:

"Eshtë në interes të Evropës që të prezantohet tek Azia si partner kompetent në evitimin e katastrofës. Ky qëllim nuk do të arrihet tërsisht... Evropa premtoi shumë para për rindërtimin e sistemit të ujësjellësit, sistemit të shëndetësisë dhe të arsimit në rajonet e goditura nga tërmeti. Kjo është e nevojshme por nuk ndryshon shumë nëse qetë e çartur sulmojnë të prekurit në gjendje të vështirë nga katastrofa apo kontrabandistët rrëmbejnë fëmijët jetimë dhe të pandihmë, siç po ndodh ditëve të fundit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tregojnë atë çka i mungon Evropës: Helikopterët hedhin nga ajri ushqime dhe ujë të pijshëm, mijëra ushtarë evakuojnë të lënduarit, kujdesen për rregull. Bashkimit Evropian ende i mungojnë aftësitë ushtarake për operacione të këtij lloji", lexojmë në Landeszeitung.


Ndërkaq gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung i kushton vëmendje konferencës donatore që dje zhvilloi punimet në kryeqytetin indonezian. Lidhur me këtë ajo thekson:

"Këtë javë Xhakarta, javën e ardhshme Gjeneva - një konferencë donatore pason tjetrën. Pas valës së dallgëve të shkaktuara nga Sunami, tani vala e aktiviteteve humanitare po merr përmasa të atilla që poashtu mund të përmbysin disa gjëra. Nuk do të ishte hera e parë që ndihma perëndimore nuk do të stërvis dhe ndikoj për vetndihmë por do të shkatërroj strukturat aktuale dhe do të krijoj vartësi", nënvizon Frankfurter Allgemeine Zeitung.


Ndërsa gazeta Berliner Zeitung lidhur me këtë temë shkruan:

"Sa para do të japin në të vërtetë qeveritë?. Megjithatë shumë shpesh paralajmërimet pompoze janë ndjekur nga pak vepra pompoze. Prej Irani në Irak, Afrikë apo Amerikë të mesme shumë shtete presin ndihmat e premtuara më parë që nuk kanë mbërritur kurrë. Përveç kësaj është e mundur që ndihmat shtetërore thjeshtë të plaçkiten në buxhetin e ndihmave për zhvillim çka do të bënte që rajonet e prekura të mos përfitojnë shumë nga to. Po ashtu e hapur mbetet se sa dhe si do të lëvrohen në të vërtetë të hollat pasi që në to shpesh zbatohen borgjet e vendit i cili pret ndihmë. Qeveria federale gjermane ndërkohë ka paralajmëruar se nuk përjashton mundësinë që pakoja e saj 500 milionëshe e ndihmës të përfshij edhe shtyrjen e shlyerjes së borgjeve. Që Gjermania jep milionat do të thoshte që fillimisht ajo nuk merr asgjë. Por më vonë Indonezia, Tajlanda dhe vendet tjera duhet të kthejnë borgjet dhe kreditë që tani do t`i pranojnë si ndihma. Në këtë mënyrë ekspertë tërhqin vëmendjen nga një krizë e ardhshme në rajon, kësaj radhe një krizë borgjesh", lexojmë në Berliner Zeitung.

Ndërrojmë temë dhe i kthehemi pak politikës së brendshme gjermane.
Megjithëse partia qeverisëse në Gjermani, SPD ka humbur shumë zgjedhës për shkak të kursit të saj të reformave, që nuk gjeti pëlqim të madh në popull, ajo e ka një avantazh krahasuar me partinë opozitare CDU. Socialdemokratët nuk kanë një parti simotër, siç kanë kristiandemokratët partinë bavareze të kristiansocialëve. Konkurenca mes CDU dhe CSU është prej kohësh një konstante në politikën e brendshme gjermane. Lidhur me këtë në Ostthüringer Zeitung lexojmë :

"Në politikë ekziston një dallim nëse heshtet për pasurinë shpirtërore apo flitet hapur për të. Natyrisht që për ne secilin ë shtë e qartë se zgjedhjet parlamentare të landit në Shlesvig Holstajn dhe para së gjithash ato në Nordhajnvestfali do të vendosin për raportet e forcës mes Unionit Kristiandemokrat dhe Unionit Kristiansocial dhe do të sqarojnë çështjen e kandidaturës për kancelar në vitin 2006. Por të bësh publikisht vartëse të suksesit gjasat e Angela Merkel nga njëra anë do të thotë të vendosësh kritere e nga ana tjetër sinjalizon që shefi i Unionit Kristiansocial Edmund Stoiber nuk ka varrosur ende shpresat e tij se një ditë mund të bëhet kancelar i Gjermanisë", komenton Ostthüringer Zeitung.