1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

30 Dhjetor 2004

Katastrofa në Azinë Jugore dhe pasojat shkatërrimtare të saj vazhdon të mbizotërojë në komentet e shtypit gjerman. Një temë tjetër janë zgjedhjet në Irak.

https://p.dw.com/p/ArxO



Për reagimin e qeverisë gjermane ndaj katastrofës natyrore në Azinë Jugore, gazeta STUTTGARTER ZEITUNG shkruan:

"Kancelarit duhet t'i pranojmë këtë: kur ka emergjencë dhe hallet e njerëzve bëhen shumë konkrete, atëherë Gerhard Shrëderi ka një ndjesi të mirë për atë që është e nevojshme. Ai e ndien se kur dhe si duhet të dalë para publikut, për të lënë përshtypje tek njerëzit, se ai kujdeset për ta, se i mbështet në hallet e tyre, se ai bën gjithcka për të pakësuar hallin. E njëjta gjë ndodhi edhe në përmbytjen e lumit Elbë dy vjet më parë. Dhe e njëjta pamje u paraqit edhe dje, kur kancelari, pas ndërprerjes së pushimit të Krishtlindjeve doli para publikut në Berlin për të bërë një bilanc të ndërmjetëm për atë që ka bërë qeveria për të ndihmuar sa më shumë të jetë e mundur njerëzit e prekur. Toni i kancelarit ishte toni i duhur. Debutimi i tij qe i përshtatshëm."


FRANKFURTER RUNDSCHAU e sheh këtë punë ngjashëm dhe thekson:

"Qeverisë së Berlinit deri në këtë moment mund t'i dëshmosh një siguri për t'u respektuar përsa u përket reagimeve. Menaxhmenti i krizave punon, me aq sa mund të shihet, në mënyrë efektive. Proporcionet midis përgjegjësisë për njerëzit e tu dhe solidaritetit me të tjerët duken se respektohen. Dhe për fjalët që shprehen nga zyrat, nuk duhet të turpërohesh. Gjë që nuk mund të thuash për ankesat e disa turistëve për kolapsin e shërbimeve të zakonshme për ta."

Ndërsa SÜDDEUTSCHE ZEITUNG sqaron pasojat afatgjata të katastrofës:

"Përmbytja dhe pasojat e saj do ta preokupojnë për vite të tëra bashkësinë ndërkombëtare. Disa koncepte në politikën e zhvillimit duhen hartuar nga e para, për shembull në Sri Lanka. Për këtë duhet kapacitet rezistues. Vetëm pas disa muajsh do të dalë në pah se sa seriozisht e kanë të pasurit me solidaritetin. Dhe pas kësaj duhet të rrjedhin më tej para, edhe kur viktimat në Azi nuk do të jenë më në titujt kryesorë të gazetave."


DIE WELT që botohet në Berlin merret me pasojat ekonomike në vendet e prekura dhe paralajmëron megjithë dëshpërimin për nevojën e një analize esull:

"E parë në kuadër gjithëekonomik, gjendja nuk duket kaq dramatike. Pjesa më e madhe e pajisjeve të prodhimit dhe e infrastrukturës në rajon funksionon. Vërtet që ekonomistët llogaritin një ngadalësim të zhvillimit të përgjithshëm të vrullshëm ekonomik. Por shumica e qeverive të Azisë kanë mësuar vitet e fundit si të veprojnë me shoket e rënda ekonomike. Me ndihmën e organizatave ndërkombëtare ato duhet të pakësojnë me kredi të vogla dhimbjen e të pastrehëve dhe të atyre që nuk kanë të ardhura. Infrastruktura e shkatërruar duhet riparuar sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo krijon vende pune dhe nxit zhvillimin ekonomik."

Kalojmë në temën e zgjedhjeve në Irak. Gazeta RHEINISCHE POST që del në Dyseldorf shkruan:

"Presidenti amerikan Bush do të sjellë demokraci në Irak. Ajo është motra e lirisë. Ka shumë kohë që irakianët kanë shpëtuar nga shtypësi i tyre Sadam Husein, por liri ata ende nuk kanë. Terrori e vreros jetën e tyre. Ai bën që edhe demokracia të rritet me mundim, sepse si mund të presësh që në fund të janarit njerëzit të votojnë të lirë, kur nga frika e dhunës u duhet të rrinë në shtëpi; kur udhëheqësi i sunitëve deklaron se nuk ka dëshirë të marrë pjesë në zgjedhje; kur nga një largësi e sigurtë shefi i El Kaidës, bin Laden i paralajmëron irakianët që t'i bojkotojnë zgjedhjet? Ai bën të gjitha përpjekjet që filizi i dobët i demokracisë të shkelet me këmbë. Nëse ai do të rritej me sukses, Osama do të ndodhej para një problemi."