1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

29 Nëntor 2004
https://p.dw.com/p/Arxn
Ballë për ballë - përkrahësit e Juçenkos dhe Janukoviçit
Ballë për ballë - përkrahësit e Juçenkos dhe JanukoviçitFotografi: AP

Gazetat gjermane vazhdojnë të trajtojnë zhvillimet në Ukrainë. Mendimi i komentatorëve është se presidenti rus, Vladimir Putin, ka interesa të mëdha që Ukraina të mbetet në sferën ruse të influencës.

Gazeta "Mitteldeutsche Zeitung" që botohet në Halle shkruan:

"Rasti i Ukrainës përbën për herë të parë pas 15 vjetësh të rënies së murit të Berlinit një provë serioze në lidhje me marrëdhëniet me Rusinë. Gjigandi i përgjumur, prej së cilit pas rënies së murit të Berlinit, u shkëputën disa prej shteteve satelite, është zgjuar nga gjumi. Moska nuk është më gatshme ta shohë pa ndërmarrë asgjë erozionin e zonës së saj të influencës. Presidenti Vladimir Putin, i cili në vendin e vet arriti të gërryente çdo lloj opozite, bëri të qartë pa ekuivoke, se cilin prej kandidatëve përkrah. Pikërisht Viktor Janukoviçin, i cili si përfaqësues i Lindjes dhe Juglindjes së vendit do të vazhdonte të garantonte marrëdhënie të ngushta me Rusinë. Në rast se fitues do të dalë Viktor Juçenko, atëherë kjo do të ishte një humbje e hidhur për Putinin."

Në të njëjtën linjë është edhe gazeta "Die Welt" që botohet në Berlin:

"Elita ruse e kuptoi vetëm pas një farë kohe pas shpërbërjes së BS, se perandoria ruse jo vetëm ishte në gjendje të mjeruar, por edhe se po tkurrej. Në Kaukazi kufijtë janë rikthyer në gjendjen e vitit 1800, në Azinë Qendrore në atë të vitit 1850, kurse në Evropë në atë të vitit 1600. Rusët ankohen sidomos prej largimit të Ukrainës, sepse me këtë humbën edhe ëndërrat prej superfuqie. Gjeostrategët mësonin në shkolla, se kush zotëron Ukrainën, mund të heqë dorë në rast nevoje prej Polonisë, sepse gjithsesi kishte në dorë pushtetin në zonën euro-aziatiake. Në këtë mënyrë sigurohej edhe pushteti mbi popujt jo-sllavë në jug të ish-BS. Pa Ukrainën s'mund të bëheshin realitet ëndërrat e perandorisë së carëve sovjetikë. Këto ëndërra i ka zbuluar sërish presidenti Putin, i cili po përpiqet të rivendosë pushtetin që kishte ish-BS. Kjo u ndje shumë qartë gjatë fushatës elektorale në Ukrainë. Për shkaqe ekonomike, politike dhe gjeostrategjike Putini dëshiron që Ukraina të rikthehet në perandorinë e dikurshme. Kësaj i shtohet edhe aspekti demografik, sepse popullsia ruse po shënon rënie tepër të mëdha. Bashkë me ukrainasit sllavët brënda Rusisë do të arrinin sërish të ishin më tepër në numër, se sa popujt e republikave të Azisë qendrore, duke forcuar në këtë mënyrë sërish pozitat ruse brënda bashkësisë multi-etnike. Për këtë Moska nuk është aspak indiferente për zhvillimet në Ukrainë. Një prej të besuarve të Putinit, Jastrshembski, thotë se Rusia nuk ka ndër mend të durojë në Ukrainë atë që ndodhi në fund të viteve 80-të në Poloni, apo para një viti në Gjeorgji. Njerëzit që dalin rrugëve të Kievit, e bëjnë këtë të nxitur prej perëndimit. Me sa duket Kremlini mendon se BE-ja ka mbajtur gjatë zgjedhjeve të njëjtin qëndrim si edhe Moska. Po BE-ka nuk e bëri një gjë të tillë. Në rast se Evropa do ta kishte kuptuar rëndësinë e Ukrainës, gjendja nuk do të ishte ajo që është sot."

Për gazetën "Augsburger Allgemeine" e rëndësishme është që Ukraina të mos përfshihet në një luftë civile dhe që zgjedhjet të jenë korrekte.

"Shqetësimi se zhvillimet në Ukrainë mund të çonin në një epidemi lufte civile vazhdon të mbetet. Për fat demonstruesit dhe politikanët vendorë si dhe fuqitë e mëdha u treguan të zgjuar dhe paqësorë. Më e mira do të ishte që tani të ndiqej rruga e vetme e arsyeshme, zgjedhjet e balotazhit. Mirë do të ishte po të fitonte Jushçenko. Por në rast se zgjedhjet zhvillohen korrekte dhe fitues del Janoviçi, përsëri edhe kjo do të ishte një fitore ideale e perëndimit."

Së fundi ndalemi edhe në një temë gjermane: problemi i integrimit të të huajve në shoqërinë gjermane. Për këtë në gazetën e Këlnit "Express" lexojmë:

"Pa dyshim që në lidhje me integrimin e të huajve në shoqërinë gjermane janë bërë gabime. Më në fund politika është e ndërgjegjshme për këtë dhe prandaj politikanët janë vënë në garë, kush e kush të hedhë idera sa më të bukura. Po ajo për të cilën kemi nevojë nuk janë ide të shpejta dhe të pamenduara, por koncepte të arsyeshme që mund të tregojnë sukses. Propozimi i kryetarit të Partisë Kristian-sociale (CSU), Edmund Stoiber, që të huajt që duan të marrin pasaportë gjermane, duhet të bëjnë betim përpara kushtetutës, nuk bën pjesë në koncepte të tilla. Shumë e rëndësishme do të ishte që të huajve t'u ndihmohet jo vetëm për të përvetësuar gjermanishten, por edhe vlerat e shoqërisë demokratike. Pranimi serioz i këtyre vlerave dhe sjellja sipas tyre është diçka që të huajt që jetojnë në Gjermani duhet ta bëjnë me dëshirën e tyre. Shteti duhet t'i bindë për këtë dhe jo t'i detyrojë."