1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

15 Tetor 2004

Shtypi i sotëm gjerman përqëndrohet tek dështimi në politikën e opozitës gjermane dhe kryetares së kristiandemokratëve Angela Merkel, dhe tek tema aq e përfolur e shkurtimit të vendeve të punës për shkak të krizës të gjigandëve të vegjël e të mëdhenj gjermanë

https://p.dw.com/p/Ary9


Shtypi gjerman komenton dështimin e aksionit të mbledhjes së firmave kundër pranimit të Turqisë në Bashkimin evropian. Në qendër qëndrojnë analizat lidhur me qëndrimin që mbajti kryetarja e partisë opozitare CDU, Angela Merkel. Gazeta "Fraje Prese" komenton:
"Se çfarë pamje nuk duhet të ketë një politikë e jashtme e përgjegjeshme, këtë e tregoi këtë javë kryetarja e kristiandemokratëve Angela Merkel. Kur ajo nuk po e gjente dot paqen në politikën e bredshme, për shkak të konfliktit me partinë simotër CSU, ajo kapi me shumë etje një gjysmë fjali të një kolegu politikan. Mbledhje nënshkrimesh kundër pranimit të Turqisë në Bashkimin evropian, ky u duk se do të ishte emëruesi i përbashkët për këto parti. Por nuk mund të luhet me kulturat dhe fetë e tjera duke pasur rezerva, ky duhet të ishte madje konsensusi i përbashkët i politikës gjermane. Dhe në këtë rast ai duhet theksuar veçanërisht. Pasi në mesin tonë jetojnë mbi 2,5 milion turq. Dhe politika gjermane duhet të tregojë vëmendje ndaj interesave dhe ndjenjave të tyre."

Gazeta "Di Gloke" shkruan: "Kjo nuk ishte java e Angela Merkelit. Konlikti i vazhdueshëm me partinë kristiansociale,- eksperti i financave dhe zëvendësi shefi i fraksionit Fridriq Merc la komandon në parti, - aksioni për mbledhjen e nënshkrimeve kunder pranimit të Turqisë në Bashkimin evropian dështoi. Politika e sukseshme e një opozite duhet të kishte një pamje tjetër. Kjo i kushton kryetares së kristiandemokratvëve Angela Merkel. Ajo ka humbur mjaft në këto kohë.


Takimi i kancelarit gjerman Gerhard Shrëder me kryetarin e shtetit libian Gadafi gjatë vizitës së kancelarit gjerman në Libi është një temë tjetër që sundon shtypin gjerman të sotëm. Gazeta "Lybeker Nahriqten" shkruan: Toni Bler ishte i pari që qe tek Gadafi dhe e komplimentoi atë se dukej shumë i ri, ndërsa Berluskoni e cilësoi Gadafin mikun e përhershëm të Italisë, tek Gadafi ishte edhe Shrëderi. Çfarë ka ndodhur? A ka instaluar Gadafi një demokraci sipas principeve evropiane? Ka liruar të gjithë të burgosurit politikë? Ka shpallur shtetin e së drejtës? Asgjë nga këto. Por Gadafi i anulloi planet e rrezikshme të armëve të shkatërrimit në masë dhe po ndjek terroristët njëlloj si SHBA-por para së gjithash ai ofron naftën e shumëdëshiruar përveç koncesioneve mjaft me vlerë. Përndryshe është ai Gadafi, që ka qenë."

Gazeta e Bonit "General Ancajger" shkruan jo pa ironi:"Edhe një njeri i prapaskenave të terrorit por i resocializuar mund të përfytyrohet si partner politike ndodhta jo si njeri që mund të duash ta kesh pranë. Por krahas anës morale eksziston edhe realiteti ekonomik. Tripoli ka paraqitur 50 miliardë euro për projekte investuese. Ekonomia gjermane, e cila e ka zbuluar me vonesë tregun libian, nxiton tanimë të përfundojë sa më shumë kontrata që të jetë e mundur. Britania e madhe dhe Italia u shtynë për të dalë më përpara. Tanimë duhet që të ndërmjetësojë politika dhe kancelari."

Kriza e firmave të mëdha në Gjermani, është fjala për filialin gjerman të Opelit dhe koncernin e njohur gjerman Karshtat është një temmë që sundon shtypin gjerman. Kjo krizë veçse është një sinjal për zhvillimet e reja në tregun e punës, që do të shoqërojnë vitet e punës së punëtorëve jo vetëm në Gjermani.
Gazeta gjermane "Ekpsres" lidhur me këtë shkruan:
Kriza e firmave të mëdha nuk është vetëm një çështje e diskutuar në Gjermani. Ajo tregon dy pasoja të zhvillimeve të ekonomisë botërore, me të cilat ne duhet të mësohemi. Së pari: Firmat që shpërhapen shumë me projektet e tyre, ngatërrohen me këmbët e veta. Së dyti: Asnjë vend pune nuk është më i sigurtë. Në atë masë që firmat e përqëndrojnë potencialin e tyre vetëm në disa fusha me qëllim që të mos falimentojnë, duhet që edhe punëtorët të mësohen me imazhin e ri të punës, i cili karakterizohet nga shumëllojshmëria, dhe nga shkollimi i vazhdueshëm. Një kualifikim i thjeshtë nuk do të jetë i mjaftueshëm ti përballesh sfidave të vazhdueshme të tregut të punës. Në të ardhmen askush nuk do të dalë në pension me atë profesion që filloi jetën e punës. Opeli gjerman dhe kriza e koncernit Karstadt në Gjermani jane vetëm fillimi i një epoke të re.

Lidhur me temën aq të përfolur të shkurtimit të vendeve të punës në Gjermani për shkak të krizës të gjigandëve të vegjël e të mëdhenj gazeta " Allgemajne Cajtung" e Majncit komenton:

"Tanimë kërkohet solidariteti. Ky nocion mund të duket për disa vetë si shumë i sheqerosur, por është më tepër aktual se kurrë. Sepse gjithmonë duhet mbajtur parasysh: Bëhet fjalë për njerëzit, kjo harrohet në diskutimet për rrogat dhe shifrat e prodhimit...Edhe po qe se tingellon e çuditshme duhet që të zotërojë në këto kohë motoja, se etika dhe morali kanë rëndësi edhe në vendimet që merr ekonomia."