1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

8 Tetor 2004

Shtypi i sotëm gjerman trajton në masë të gjërë nderimin me çmimin Nobel të shkrimtares provokuese austriake Elfride Jelinek. Vëmendje në shtyp i kushtohet edhe simpoziumit të organizuar prej Shërbimit Sekret Gjerman në lidhje me rreziqet prej kriminalitetit të organizuar dhe terrorizimit.

https://p.dw.com/p/AryG
Nobelistja Elfride Jelinek
Nobelistja Elfride Jelinek

Gazeta "Nordsee-Zeitung" e përshëndet nderimin e shkrimtares austriake Elfride Jelinek me çmimin Nobel për letërsinë, por nuk e ka të qartë se pse juria vendosi pikërisht për të:

"Angazhimi dhe guximi i shkrimtares për ta vënë gishtin në plagë është për për t'u admiruar. Ajo e konfronton Austrinë gjithmonë me të kaluarën e saj naziste, edhe pse në Austri diskutime të tilla janë të pakta. Por kjo formulë nuk del gjithmonë. Veprat e austriakes Elfride Jelinek të lënë edhe në skenë një përshtypje të ndarë më dysh. E pra shtrohet pyetja se pse fituese duhej të ishte provokuesja nga Vjena. Kandidate për çmimin Nobel ishin edhe britanikja Doris Lessing, amerikania Joyce Carol Oates dhe kanadezja Margaret Atwood. Që të tria shkruajnë libra që nuk i heq dot nga dora. Po me sa duket për fat të keq ky fakt sot nuk meriton të nderohet me çmime."

Ndryshe mendon artikullshkruesi i gazetës "Mitteldeutsche Zeitung" që botohet në Halle.

"Kur Elfride Jelinek vendosi në vitin 1996 në shenjë proteste ndaj Haiderit që pjesët e saj të mos shfaqeshin në skenat e teatrove austriake, nga Vjena nuk u ndie ndonjë shenjë rezistence. Prirja austriake drejt idilit ka shkaqe psiko-sociale: një histori e madhe deri në vitin 1918 dhe një rënie qesharake pas saj. Yjet e artit austriak jetojnë larg vendlindjes. Peymann-i në Berlin, Peter Handke në Paris. Vetëm Elfride Jelinek ka qëndruar aty, duke pasur një banesë tjetër në Mynih. Por ky çmim Nobel nuk ishte çmim inkurajues. Elfride Jelinek është gjithmonë në kërkim të konfliktit dhe kjo është një gjë e mirë për artin."

Edhe gazeta "Die Welt" nuk kursen të derdhë një lumë lëvdatash për Elfride Jelinek:

"Lajmi i parë i mirë: fituese është një grua. E dhjeta ndër një qind burra deri tani. Lajmi i dytë i mirë: më në fund edhe Austria ka një nobelisite. Elfride Jelinek, e cila u nderua me çmimin më të lartë letrar të Botës ka padyshim talent letrar. Në veprat e saj ajo prezanton me mjeshtëri formësimin social të individit, para së gjithash kur ky individ është një femër. Ajo ka pasion dhe guxim, vizione dhe forcë fjale. Me sharjet e saj plot fjalë të dhunshme ndaj Austrisë ajo vazhdon një traditë të gjatë. Po ashtu ajo nuk ka frikë të jetë përfaqësuese e ideve të një pakice të caktuar."

Gazeta "Rheinische Post" që botohet në Dyseldorf merret me simpoziumin e organizuar prej Shërbimit Sekret Gjerman në lidhje me rreziqet prej kriminalitetit të organizuar dhe terrorizimit.

"1.122 ditë pas 11. shtatorit të vitit 2001 rreziku ndaj terrorit nuk është më i paktë se më 12. shtator të vitit 2001. Madje ai po afrohet gjithnjë e më tepër, megjithë paketat e masave të sigurisë, investimeve në miliarda apo fushatave të përgjakshme, Shërbimi Sekret Gjerman tërhoqi vëmendjen për një dimension të ri kërcënues. Mënyra perendimore e jetesës nuk rrezikohet sot më vetëm prej kriminalitetit të organizuar apo terrorizmit, por edhe prej kooperimit të këtyre dy të fundit. Ai që mendon se mund të jetojë i qetë për shkak të fushatave ushtarake, e ka po aq gabim sa ai që mendon se gjërat mund të zgjidhen përmes dialogut dhe ndihmës për zhvillimin. Ithtarët që luftojnë për islamizmin nuk i kap dot. Ata janë të zhytur në para, rekrutojnë gjithnjë e më shumë të rinj dhe synojnë të shkatërrojnë shoqërinë perëndimore që e konsiderojnë dekante. Për këtë edhe kombinimi i forcës dhe ndihmave mund të çojë në zbutje vetëm për një periudhë afatgjatë. 40-vjetët e konfliktit Lindje-Perëndim vetëm se i kishin shtyrë në plan të dytë problemet mes Jugut dhe Veriut të botës. Kuptimi global i një bote të drejtë mbetet një sfidë gjigante."