1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

13 Gusht 2004
https://p.dw.com/p/Aryy
Fotografi: AP

Presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Baroso përcaktoi detyrat e anëtarëve të Komisionit të ri Evropian. Këto, pwrmirësimet e vendosura nga qeveria gjermane në reformat e tregut të punës si dhe fillimi i Lojërave Olimpike janë temat kryesore të komenteve të shtypit gjerman sot.

24 komisarë nga 24 vende ka emëruar presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso. Për këtë, gazeta FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND shkruan:

"T'u plotësosh të gjithëve një dëshirë, por njëkohësisht të mbetesh shefi në ring dhe të krijosh një ekip efektiv- Hoze Manuel Baroso e zgjidhi me shumë aftësi këtë detyrë të parë delikate. Presidenti i ri i Komisionit Evropian i organizoi dhe ua dha kandidatëve-komisarë të 24 sektorët e aparatit të tij të Brukselit në mënyrë të tillë, që thuajse askush nuk e ndien veten të papërfillur. Po ashtu, askush nuk e ndien veten fitues të fshehtë. Pas lojës së trishtuar që ofroi Komisioni nën parardhësin e tij, Romano Prodi, Baroso tani i ka të gjitha shanset, për ta bërë komisionin sërish një aktor të fortë në Evropë."

Gazeta KÖLNER STADT-ANZEIGER është e mendimit:

"Një shtet, një komisar. Parimi për zënien e posteve kryesore në BE tingëllon i peshuar. Por në strukturën e këtij institucioni gjigand ka shmangie të konsiderueshme nga drejtpeshimi:
njëri nga burrat më të fuqishëm të BE nuk rezulton fare në tablonë e personelit të presidentit të Komisionit, Baroso: Havier Solana, ministri i jashtëm i ardhshëm i Bashkimit Evropian. Prandaj edhe shprehja e Barosos, se nuk ka komisarë të rangut të parë dhe të dytë, nuk është e saktë."

Gazeta FRANKFURTER RUNDSCHAU e komenton kështu emërimin e gjermanit Gynter Ferhojgen si komisar të industrisë:

"Një superkomisar, sic dëshironte kancelari, Gynter Ferhojgenin nuk do të mundim ta quajmë. Sepse në Komisionin Evropian kompetencat për cështje ekonomike mbeten shumë të copëzuara.

Dhe si njëri nga pesë zëvendësit e shefit të Komisionit Baroso, i cili nuk njihet si peshë e rëndë politike, Ferhojgeni vërtet që ngrihet formalisht në pozitë në periudhën e tij të dytë në post në Bruksel. Por Gerhard Shrëderi kishte parasysh shumë më tepër. Dhe kështu që rezultati i lëvizjes së gurëve mund të quhet vetëm si kompromis për të ruajtur fytyrën. Sic bëhet zakonisht në raste mosmarrëveshjesh të politikës ndërkombëtare të personelit.

Gazeta që del në Berlin, TAGESZEITUNG merret me ndryshimet në të ashquajturat reforma Harc IV të tregut gjerman të punës:

"Shrëderi dhe Klementi mënjanuan dy pika të vështira tek reforma Harc IV. Një dështim për Shrëderion në këtë kuadër mund të shohin vetëm histerikët konservatorë. Shrëderi ka kuptuar me sa duket se Harc IV është bërë prej kohësh një kod për frikërat e tatëpjetës së shtresës së mesme ekonomike gjermane. Ai që e injoron këtë, ai humbet çdo zgjedhje."


Gazeta OFFENBACH-POST mbetet skeptike:

"Të presim dhe të shohim nëse vera e tejnxehtë do të pasohet nga një vjeshtë e nxehtë, nëse në të ardhmen në Gjermani vendimet politike nuk do të merren të hënën në rrugë, apo nëse parulla e djeshme "asnjë lëshim tjetër" do të jetë më rezistente se e pardjeshmja, dhe nëse politika është me të vërtetë e paaftë për reforma, apo ato nuk i do populli.
Nëse rezulton e vërtetë kjo e fundit, atëherë ne sigurisht nuk duhet të cuditemi për vazhdimin e tatëpjetës së shoqërisë aksionare Gjermani dhe atëherë nuk duhet ta kërkojmë kurbanin vetëm tek politika."


Gazeta BERLINER KURIER i përmbahet refuzimit të saj:

"Dobësitë e vërteta të reformave Harc IV nuk u këmbyen. Kështu që Harc IV mbeti ai që ka qenë gjithmonë: një ligj, që të varfërit i bën më të varfër, që e rrit padrejtësinë sociale dhe që nuk krijon vende të reja pune.Harc IV duhet të shtrohet edhe njëherë në tavolinën e rishqyrtimit thelbësor."

Dhe në fund, një citim nga gazeta NORDBAYERISCHE KURIER për hapjen e Lojërva Olimpike të Verës në Athinë:

"Po, ato po zhvillohen, lojërat e Olimpiadës së 28-të të llogaritjes së re të kohës- në afatin e caktuar dhe në vendin e caktuar që në fillim. Ky fakt është ujë në mullirin e atyre që kanë thënë se kanë ditur gjithmonë t'i cmojnë si duhet kualitetet finaliste të punëtorëve grekë të ndërtimit. Njëkohësisht, kjo është një shuplakë e fuqishme për të gjithë skeptikët, të cilat i panë që herët lojërat të fundosen në kënetën e kaosit helenik."