1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Annamaria Sigrist23 Qershor 2004

Komentatorët e të përditshmeve gjermane mirren sot para së gjithash projektligjin e ministrit të financave Hans Eichel për buxhetin gjerman, me sulmet e kryera në republikën kaukauze të Ingushetisë dhe me dënimin e pedofilit belg Mark Dutru.

https://p.dw.com/p/Arzo

Për projektligjin e buxhetit e përditshmja SÜDDEUTSCHE ZEITUNG e cila botohet në Mynih të Bavarisë mendon:

"Përfundimisht kjo qeveri, pra koalicioni gjerman kuq e gjelbër, nuk ia arriti që në dy vitet e lulëzimit ekonomik, të cilat i kishte në dispozicion deri në vitin 2001, të ndërmarrë reformat e nevojshme. Atëherë po ndodhte e kundërta; nga zyra e kancelarit përhapej qëndrimi që një antarë i qeverisë mund ta përmblidhte me tre fjalë:" Mbështetu e shijo". Atëherë shkurtimet që duhet të bëhen tash nuk do të ishin kaq të dhembshme. Ristrukturimi i sigurimeve sociale dhe tregut të punës atëherë do të kuptoheshin si masa për sigurimin e zhvillimit dhe mirëqenies për një kohë të gjatë e jo si sot operacione të domosdoshme. Tani kancelarit i mbetet vetëm parimi i shpresës", lexojmë në SÜDDEUTSCHE ZEITUNG.

Me gazetën FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG kalojmë në një temë tjetër. Ajo sot komenton sulmet në republikën kaukaze të Ingushetisë:

"Përmasat dhe koordinimi i sulmeve e bëjnë të qartë se pas tyre nuk qëndrojnë vetëm çeçenët por edhe forca tjera të Kaukazit verior të cilat gjithashtu duan të shkëputen prej Rusisë. Në rradhët e tyre qëndrojnë edhe myslimanë me prejardhje jo kaukaziane. Ata duan të çlirojnë nga sundimi rus jo vetëm çeçenët por të gjithë myslimanët e rajonit. Megjithatë gjendja vështirësohet për shkak se çeçenët më pak fanatikë ka kohë që kanë mbetur peng të ekstremistëve të tyre. Ata veprojnë kundër rusëve në emër të një ideologjie islamike e cila nuk përkrahet nga shumica e cila nuk guxon të kundërshtoj hapur pjesën e ekstremistëve. Dilema kaukaziane paraqitet në shumë forma", shkruan FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG.

Lidhur me këtë në NÜRNBERGER ZEITUNG thuhet:

"Rebelët nuk e ndjejnë veten vetëm të sigurtë por edhe të fortë. Ofensiva kundër trupave ruse është paralajmëruar një javë më parë edhe prej ish-presidentit çeçen Asllan Mashadov. Fjalët e tij shfaqnin një vetëbesim të çuditshëm, ndoshta deri në shkallë të arrogancës. Gjithashtu koinçidenca me kohën e kryerjes së sulmeve në Ingusheti, 62 vjetori i sulmit gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik na bën të kuptojmë se rebelët çeçenë kanë ndërmend të ndërrmarrin diçka të madhe: nxitjen e një lufte islamike në tërë rajonin e Kaukazit verior", thekson gazeta e Nyrenbergut.

Një temë tjetër e shtypit të sotëm gjerman është edhe dënimi i pedofilit belg Mark Dutru me burgim të përjetshëm. Dutru akuzohet se në mesin e viteve 90-të kishte rrëmbyer dhe shpërdoruar seksualisht disa vajza. Katër prej tyre kishin vdekur.

Lidhur me këtë gazeta WETZLAER NEUE ZEITUNG shkruan:

"Shqetësues është fakti që njerëz të sëmurë psiqikisht si Mark Dutru mund të kryejnë akte të tilla në çdo kohë dhe në çdo vend të botës. Atëherë nuk mbetet tjetër vetëm të dëshirohet që shteti të veproj më shpejt sesa policia dhe drejtësia belge ne rastin e vrasësit të fëmijëve Dutru", nënvizon WETZLAER NEUE ZEITUNG.

Ndërkaq në NEUE WESTFÄLISCHE të qytetit Bielefeld lexojmë:

"Shprehja - me dënimin më të lartë tingëllon si cinike në fund të këtij procesi spektakular në historinë belge të pasluftës. Cinik është edhe qëndrimi i pabindshëm që demonstroi vet Dutru gjatë procesit. Shteti belg në përgjithësi ka vuajtur nën shpatën e Damokleut të rastit Dutru. 12 ndihmësgjyqtarët dhe kryegjyqtari morrën dje një vendim juridik. Por rasti Dutru nuk guxon të bie kurrë në harresë", thekson gazeta NEUE WESTFÄLISCHE e Bielefeldit.