1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

15 Qershor 2004
https://p.dw.com/p/Arzu
Pllakata elektorale në Serbi
Pllakata elektorale në SerbiFotografi: AP

Shtypi gjerman trajton në një numër artikujsh zgjedhjet për presidentin e Serbisë si dhe pranimin prej serbëve të Bosnjes të përgjegjësisë për masakrën e Srebrenicës.

Për të katërtën herë me radhë brenda 19 muajsh qytetarët e Serbisë iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Që prej fundit të vitit 2002 posti i presidentit të Serbisë është vakant. Deri tani zgjedhja e presidentit të ri dështoi për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime. Për të zgjedhur më në fund një pasardhës për ish-presidentin Milan Milutinovic koalicioni qeveritar i Vojisllav Koshtunicës e shfuqizoi madje edhe ligjin që parashikon një pjesëmarrje prej 50% në votime për ta konsideruar atë të vlefshëm. Por edhe pse kufiri prej 50% u hoq me sa duket do të ketë një raund të ri balotazhi më 27 qershor. Sipas njoftimeve Tomislav Nikolici i Partisë radikale serbe (SRS) fitoi rreth 30% të votave, sfiduesi i Nikolicit nga kampi i demokratëve Boris Tadic 27%, kurse industrialisti Bogoljub Karic 19%.

Në lidhje me këtë raund zgjedhor gazeta Süddeutsche Zeitung që botohet në Mynih shkruan:

Kandidati i radikalëve Nikolic nuk e përmendi në fushatën elektorale programin për Serbinë e madhe të partisë së tij. Ai u shpreh për pakënaqësi në radhët e popullsisë, kritikoi korrupsionin në radhët e politikanëve të peridhës së transformimit. Por SHBA dhe BE theksuan se në rast se Nikolici do të fitojë në zgjedhje, Serbia do të përballet me rrezikun e izolimit.

Nën titullin "A do të bëhet 'varrëmihësi' president i ardhshëm i Serbisë?" në gazetën Die Welt shkruhet:

Radikali Nikoliç hyri në fushën elektorale si mëkëmbës i shefit të Partisë radikale serbe Vojislav Sheshelj, sepse ky kërkohet prej Gjykatës së Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi. Me parrulla të ashpra si p.sh. ajo për anulimin e marrëveshjes së kooperimit me Carla del Ponten apo një rikthim të vendit në kohërat e para '5 tetorit të vitit 2002' ultranacionalistët dukej se kishin arritur të mobilizonin jo vetëm itharët e tyre besnikë dhe të disiplinuar, por edhe një numër të madh zgjedhësish të pakënaqur me politikën e partive të tjera. Gjithsesi fitorja e Tadicit nga kampi i demokratëve, me të cilën nuk kishte llogaritur asnjeri, bën të qartë se në vend ka edhe një potencial tjetër zgjedhësish, që kërkojnë reforma dhe lidhjen e vendit me BE dhe vendet e tjera perëndimore. Por nëse Tadici do të ketë një shanc në zgjedhjet e balotazhit, kjo varet shumë prej kryeministrit Vojislav Kushtunca, i cili duhet të arrijë të mbledhë pas figurës së Tadicit bllokun demokratik. Kjo është mëse e diskutueshme, sepse Koshtunica është njeri që i mban mend llogaritë e vjetra dhe nuk fal lehtë, dhe me Partinë Demokratike të pasuesit te Xhinxhicit, Tadic, ai ka ende shumë hesape të vjetra hapur. Për këtë prej perëndimit kërkohet që ta shfrytëzojë sa më shpejt këtë mundësi të rrallë, për të nxitur më në fund zhvillime pozitive në Serbi, sepse parë në një perspektivë afatgjatë një president Tadic është shanci i vetëm për ta rikthyer vendin në rrugën drejt Evropës.

Kalojmë në temën tjetër, pranimin për herë të parë zyrtarisht prej komisionit për Srebrenicën të 'Republika Srpska' që ushtria e serbëve të Bosnjes ka ndërmarrë një masakër në Srebrenicë. Duke e përshëndetur këtë akt, gazeta e Berlinit Tageszeitung shkruan:

Mirë, që më në fund është e qartë se të vrarët e Srebrenicës nuk kishin rënë në luftime por ishin viktima të një masakre. Por mënyra sesi serbët e pranuan një gjë të tillë lë shumë çështje të hapura. Autoritetet e Republika Srpska u detyruan në një farë mënyre prej përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare Paddy Ashdown dhe të Tribunalit për krimet e luftës ish-Jugosllavi për të krijuar një komision të tillë. Për këtë edhe pas krijimit të këtij komisioni u desh shumë kohë për t'ua nxjerrë nga goja serbëve informacionet për Srebrenicën. Në këtë mes duhet thënë se ka shumë dokumenta që dëshmojnë për masakrën e Srebrenicës. Natyrisht që për të vrarë më tepër se 8.000 vetë, për t'i varrosur në varre masivë, për t'i nxjerrë më vonë prej këtyre varreve dhe për t'i çuar diku tjetër, duhet një logjistikë e tërë. Për këtë pra duhet të ketë edhe një numër të madh punonjësish të administratës që para se të ndodhte masakra kanë organizuar pranga, shami për t'u mbyllur sytë të ekzekutuarve, mjete transporti, vendet ku do të ndodhnin ekzekutimet, apo eskavatorë. Por vetëm pak prej këtyre dëshmitarëve i mbështetën hetuesit në punën e tyre dhe madje edhe këta i dhanë informacionet vetëm kundrejt pagesës.

Gjithsesi tani serbët po kooperojnë, sepse prej kësaj varen ndihmat ndërkombëtare për Republika Srbska dhe madje edhe vete ekzistenca e saj. Për këtë autoritetet e Republika Srpska pranuan të paktën një pjesë të atyre gjëra që gjithsesi diheshin. Por edhe si në rastin e kriminelëve të luftës ata që sakrifikohen janë peshqit e vegjël, për të mbuluar në këtë mënyrë 'pezzo grossot'. Një vlerësim dhe gjykim të së kaluarës do të ketë vetëm kur të pranohen të gjitha masakrat e ushtruara që prej vitit 1992 dhe kur të gjithë përgjegjësit, e në radhë të parë Radovan Karaxhici, t'i dorëzohen Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.