1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Kristina Panhauzen2 Mars 2004

Diskutimet e filluara për postin e presidentit gjerman pas fitimit të zgjedhjeve në Hamburg nga kristiandemokratët si dhe kontrata e re e qeverisë gjermane me shoqërinë teknologjike "Toll Kolekt" për zbatimin e mbledhjes së taksës së autostradave për kamionët janë dy temat qendore të shtypit të sotëm gjerman.

https://p.dw.com/p/As22

Rreth diskutimeve për pasuesin e presidentit federal Johanes Rau BONNER GENERAL-ANZEIGER shkruan:

"Për një kohë tepër të gjatë është spekuluar për shumë emra. Megjithatë siç duket më në fund Unioni Kristiandemokrat dhe liberalët do të pajtohen që president i ardhshëm i Gjermanisë të jetë Volfgang Shojble. Ai ka qenë ministër i brendshëm, kryetar i grupimit parlamentar dhe shef i Unionit Kristiandemokrat, ndërkohë që sot vepron në radhë të parë si politikan për çështje të jashtme. Ai poashtu ishte personalitet i erës së Kolit, çka nuk mund të mirret si akuzë por as si freskim në kreun e shtetit. Megjithatë nga të gjithë emrat e përmendur deri tash ai i Shojbles është më bindësi pasi që në mesin e tyre ai është koka më e mençur politike", lexojmë në BONNER GENERAL-ANZEIGER.

Në kandidimin e Volfgang Shojble beson edhe gazeta WETZLARER NEUE ZEITUNG e cila vëren me kritikë:

"Kandidati i shumicës qytetare në Asamblenë federale do të jetë nga Unioni dhe shumë shenja tregojnë se Volfgang Shojble do të jetë ky kandidat. Një kandidat i cili para së gjithash për shkaqe taktike do të ketë mbështetjen e gjerë: Angela Merkel përmes këtij hapi mund të pengoj që nga ajo të kërkohet të kandidoj për psotin e presidentit me çka do të humbiste pastaj të gjitha gjasat për postin e kancelarit federal. Poashtu një gjë e ngjashme mund të mendohet edhe nga lideri i kristiansocialëve Edmund Stojber. Thënë shkurt kjo do të thotë se avancimi i kristiandemokratit Shojble vetëm përdoret si mjet. Por një gjë duhet thënë se kështu dëmtohet zyra federale presidenciale, posti më i lartë në sistemin shtetëror gjerman", tërheq vërejtjen WETZLARER NEUE ZEITUNG.

Ndërkaq e përditshmja BERLINER ZEITUNG përshkruan gjendjen delikate në të cilën ndodhet shefja e Unionit Kristian-Demokrat:

"Në ditët e ardhshme Angela Merkel duhet të emëroj kandidatin për postin e presidentit federal, ose Volfgang Shojblen apo dikend tjetër. Ajo duhet të jetë e matur nëse kandidati i saj me 23 maj do të zgjedhet në post bashkarish me liberalët. Nëse po, atëherë pozita e saj brenda partisë do të jetë më e fortë, nëse jo, atëherë do të bie autoriteti i saj. Në kreun e Unionit ende ka paqartësi dhe pozitat janë tepër labile: kush e di se çka planifikon Edmund Stojber po të kihen parasysh zgjedhjet e ardhshme? Nga ana tjetër se çka don Roland Koch e dinë të gjithë: të bëhet kancelar. Ndërmjet, mu në mes ndodhet Angela Merkel", nënvizon gazeta që botohet në kryeqytetin gjerman BERLINER ZEITUNG.


Me gazetën FULDAER ZEITUNG kalojmë në një temë tjetër, kontratën e re të qeverisë gjermane me shoqërinë "Toll Kolekt". Lidhur me këtë në këtë gazetë lexojmë:

"Njeriu nuk mund ta besoj këtë: dy javë pasi që u këput edhe fija e fundit e durimit qeveria federale gjermane futet sërish në lojë me shoqërinë teknologjike - Toll Kolekt. Për keqardhje në këtë mes është fakti se siç duket qeveria nuk sheh rrugëdalje nga kjo gjendje përveç se t`i jap edhe një shans shoqërisë Toll Kolekt. Në ministrinë e telekomunikacionit kanë dështuar që me kohë të mendojnë për alternativat e mundshme", shkruan FULDAER ZEITUNG.


Ndërkaq MÄRKISCHE ODERZEITUNG konstaton:

"Ndodhet në duart e Dajmler-Krajzler dhe Telekomit dhe asistuar nga Siemensi që "Made in Germany" në fillim të shekullit 21 të krijoj një imazh të ri dhe mos të mbetet njollë e dështimit poshtërues në Gjermaninë e supozuar si vend inovacionesh", thuhet në MÄRKISCHE ODERZEITUNG.