1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Përgatitur nga Auron Dodi17 Shkurt 2004

Nesër do të takohen në Berlin kancelari gjerman Gerhard Shrëder, presidenti i Francës Zhak Shirak dhe kryeministri britanik Toni Bler. Takimi i "treshes së madhe", sic është cilësuar, do të përqëndrohet në marrjen e iniciativave për ristrukturimin e BE dhe sidomos në rigjallërimin ekonomik të BE. Nga Berlini mësohet se do të propozohet që politika industriale dhe inovacionet të jenë më fort prioritete të BE. Prandaj do të synohet përqëndrimi i kompetencave për politikën industriale, të konkurencës, tregun e brendshëm dhe ambjentin.

https://p.dw.com/p/As2F

Droja se do të jenë vetëm "tre të mëdhenjtë" ata që do të vendosin në të ardhmen për BE ka shtuar protestat kundër të ashtuquajturit aks Berlin-Paris-Londer. Shtypi italian citon ministrin e jashtëm italian, Franko Fratini që ka thënë në prag të takimit të Berlinit se iniciativat e mundshme të "tre të mëdhenjve" mund t'i shkaktojnë dëme "konstruktit të Evropës".Ai ka kërkuar që Evropa të zhvillohet me pjesëmarrjen e secilit dhe jo përmes krijimit të grupeve, që vendosin për gjithë të tjerët.

Gazeta FRANKFURTER ALGEMAJNE CAJTUNG (FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG) e kundërshton frikën se "tre të mëdhenjtë" duan të krijojnë një lloj drejtorie të BE:

"...në radhë të parë të Tre zënë vetëm një vakum, i cili ndryshe nuk mund të plotësohet, as dhe me përbetime për traditën e institucioneve. Kësaj i shtohet edhe se Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe nuk frymëzohen nga ndonjë vizion i përbashkët i Evropës. Ato shtyhen nga pragmatizmi. Që dueti gjermano-francez bëhet ndonjëhere treshe, kjo duhet të përshëndetet nga të gjithë ata që nuk duan të përjetojnë sërish përvojën e polarizimit të luftës së Irakut."

Ndërsa gazeta INTERNESHëNëLL HERALD TRIBJUN (International Herald Tribune) kujton se politika e balancës së pushtetit midis të fuqishmëve është një ide e vjetër dhe jo e mirë:

"BE sigurisht ka nevojë për udhëheqje strategjike...Sukseset e Evropës në 50 vitet e fundit janë bazuar (megjithatë) në aftësinë ekspecionale të BE për t'u lejuar vendeve më të vogla një votë të vërtetë dhe partneritet me vendet më të mëdha...Gjermania vecanërisht ka qenë rregullisht në aleancë me shumë nga vendet e vogla. Por tani jo më. As Franca dhe as Britania nuk kanë vepruar si më parë Gjermania në mbështetje të rolit gjithëevropian të Komisionit Evropian." Gazeta konkludon se uniteti i treshes se shteteve më të fuqishme megjithatë nuk kundërshtohet vetëm nga shtetet më të vogla. Me Britaninë jashtë zonës së euros dhe pa pasaporta, Gjermania dhe Franca do të mbeten aktorët kryesorë në BE."

Mbetemi në temën e së ardhmes së BE. Bisedimet në Ankara midis kryetares së Partisë Kristjandemokrate Gjermane, Angela Merkel dhe kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan për kërkesën turke për anëtarësi në BE tërheqin vëmendjen e komentatorëve gjermanë.

Refuzimin nga Erdogani të propozimit për një "partneritet të privilegjuar" me BE, gazeta LAJPCIGER FOLKSCAJTUNG (LEIPZIGER VOLKSZEITUNG) e komenton kështu:

"Që kryetari i qeverisë së Ankarasë do ta refuzonte duke falenderuar ofertën e Merkelit për një partneritet të privilegjuar me Turqinë, kjo ishte e qartë. Kujt i shijon buka thatë, kur mund të hajë edhe kofshë qingji? Në fund të fundit, radhën për vizitë shpejt e ka Shrëderi, mbështetësi i madh i hyrjes së Turqisë në BE. Kështu që Anxhela Merkelin mund ta respektosh për guximin dhe ndershmërinë. Fakt është që qeveria turke nën Erdoganin po tregon një gatishmëri të konsiderueshme për reforma, dhe kjo të detyron të japësh mbështetje. Mbështetja e integrimit në perëndim të Turqisë është thellësisht në interes evropian. Për ta sqaruar formën si duhet të ndodhë kjo, BE duhet të përfundojë më parë procesin e gjetjes së vetvetes."

Ngjashëm e sheh këtë cështje edhe gazeta që botohet në Dyseldorf HANDELSBLAT (HANDELSBLATT):

"Aq më e rëndësishme është për Erdoganin që të vërtetojë kredibilitetin dhe mbështetjen që ka. Këtë pritet t'ia krijojë atij një javë pas skeptikes Angela Merkel një vizitor që ka rëndësi shumë më të madhe për votën e BE: kancelari gjerman, Gerhard Shrëder. Prej tij Erdogani mund të presë ato solidaritet, për të cilin Ankaraja ka urgjentisht nevojë nga të 25 anëtarët e BE, të cilët do të vendosin për anëtarësimin. Por për Turqinë, gjithcka do të konsiderohet e vendosur pozitivisht, nëse jo vetëm vota do të jetë pozitive, por edhe kur tre të mëdhenjtë: Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca të ruajnë të njëjtën linjë."

Përballë zgjedhjeve në Gjermani për përfaqësuesit në institucionet evropiane, dëshira e Turqisë për të hyrë në BE është që tani një temë e madhe elektorale. Gazeta SYDDOJÇE CAJTUNG (SÜDDEUTSCHE ZEITUNG) vëren në mënyrë kritike: "Në zgjedhjet për Evropën në qershor (në Gjermani) me të vërtetë që nuk do të votohet për faktin nëse Turqia do të pranohet anëtare e BE. Ai që e thotë këtë, ai kërkon potere: potere për fushatën elektorale, polarizim, trazira në politikën e brendshme dhe të jashtme. Në përgjithësi është sharlatan ai që shpall sot një zgjidhje të thjeshtë për një nga problemet më të vështira të kohës së ardhshme. Pranim apo lënie jashtë: ndoshta flet për fuqi mendimi apo xhonglim politik nëse turqve u jepet një përgjigje e qartë menjëherë."