1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

18 Dhjetor 2003
https://p.dw.com/p/As3Q

Komentet në gazetat e sotme gjermane trajtojnë ndër të tjera fjalimin e presidentit francez Zhak Shirak për ndalimin e simboleve fetare në publik, llojin e dënimit që duhet të marrë Sadam Huseini, dhe ditët e fundit në post për sekretarin e përgjithshëm të Natos, Xhorxh Robertson.

Fillimisht një vështrim në gazetën "Zyddojce Cajtung". Kjo gazetë nga Mynihu komenton deklaratën e presidentit francez Zhak Shirak për mbajtjen e simboleve fetare në publik:

"Shiraku nuk e pati të lehtë. Presidenti priti gjatë, u informua rrënjësisht nga ata që kanë menduar për këtë punë, dhe ndërhyrja e tij nuk vjen e shpejtuar...Në ambjente publike, vecanërisht në shkolla duhet të ndalohet "nxjerrja demonstrative në pah" e simboleve fetare. Shamia e kokës për myslimanët, kapelja për hebrenjtë dhe kryqi kristjan, nëse këto i kalojnë kufijtë e një zbukurimi diskret, do të ndalohen"

Nën titullin "Ndalim në vend të dialogut- ndalimi i shamisë së kokës në Francë do të çlirojë flokët, por jo mendjet" -Dojce Vele- boton një koment pas deklaratës së presidentit francez. Komentatorja nga Parisi ndër të tjera vëren:

"Praktikisht të gjitha gratë e shkolluara me origjinë nga vendet ku feja islame është fe shtetërore e përshkruajnë shaminë e kokës si një instrument të shtypjes së grave, si mbrojtje të burrave nga vetja e tyre.

Por në Francë shamia e kokës ka një dimension tjetër. Rrëmuja që prodhon fanatizmi fetar në mendjet e meshkujve e barazon një vajzë të veshur lehtë me një prostitutë. Pra vajzat mbështillen me shami për t'u mbrojtur nga sulmet. Shtimi i shfaqjes së shamive të kokës në shkollat franceze është edhe një reagim ndaj shtimit të agresioneve seksuale kundër vajzave. Ndalimi... nuk do të heqë nga mendja e burrave përfytyrimin e shtrembër të grave dhe të marrëdhënieve midis gjinive. Këtë problem mund ta zgjidhë vetëm një shkollë iluministe, liberale."

Gazeta "Berliner Cajtung" trajton temën e dënimit të ish-diktatorit irakian Sadam Husein:

"Dënimi me vdekje nuk është çështje drejtësie, por civilizimi. Në emër të saj e nisi presidenti Bush fushatën kundër diktatorit sundimtar Sadam Husein."

Ngjashëm argumenton gazeta "Ofenburger Tagesblatt":

"Dënimi me vdekje për Sadam Huseinin do të ishte një sinjal i gabuar. Kjo vlen edhe nëse ai do të dënohet në Irak. SHBA duan të futin në Irak raporte demokratike. Por te një demokraci bëjnë pjesë të drejtat e njeriut. Dhe dënimi me vdekje është i papajtueshëm me të drejtat e njeriut- edhe nëse SHBA nën Bushin e ushtrojnë me zell këtë dënim."

Përsa i përket gatishmërisë së qeverisë gjermane për t'i falur një pjesë të borxheve Irakut, gazeta "Di Velt", që del në Berlin ndër të tjera shkruan:

"Me këtë vendim...Berlini bën një hap të madh përpara. Në fund të fundit, Iraku është çelësi për përmirësimin e marrëdhënieve gjermano-amerikane. Atë duhet ta marrë në dorë edhe presidenti Bush. Vërtet që është e kuptueshme që Uashingtoni gjermanëve dhe francezëve nuk dëshiron t'u lejojë sponantinisht marrjen e porosive për biznes në Irak...Por po ta shohësh punën hollë,do të ishte më mirë që të bëhej një hap përpara dhe që të dy kundërshtarët e luftës të nxiten për të marrë një rol aktiv në Irak."

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shënon largimin për disa ditë nga posti të sekretarit të përgjithshëm të Natos, Xhorxh Robertson. Artikullshkruesi nga Brukseli ndër të tjera vëren:

"Në sukseset e periudhës së tij në post Robertson llogarit angazhimin e përbashkët të Natos dhe të Bashkimit Evropian në Maqedoni, angazhim i cili, sipas tij ndihmoi që të ndalohet shpërthimi i një lufte civile. Më pak janë regjistruar në publik përpjekjet e tij për rezidencën strategjike të Natos në Norfolk, Virxhinia, në një komandë qendrore, e cila të kujdeset për transformimin e forcave të armatosura aleate dhe që të kujdeset që të mos humbet kontakti me zgjidhjet e reja teknike dhe të menduarit e ri operativ të amerikanëve. Gabimi i tij më i madh, sipas mendimit të shumë vetëve në rezidencën kryesore të Natos në Bruksel ishte kriza në shkurtin e këtij viti, për shkak të mbështetjes për Turqinë para shpërthimit të luftës së Irakut. Përmes këmbënguljes shumë të zellshme për të marrë një vendim ai e bëri publike përcarjen në Nato, në vend që të priste i qetë për një konsens. Megjithatë, thuajse askush nuk e kundërshton se sekretari i dhjetë i përgjithshëm i Natos bën pjesë në më të rëndësishmit. Më shumë se shumë fjalë të mëdha për largimin e tij, thotë vërejtja e një oficeri të lartë:"Humori i tij do të na mungojë". Përgatitur nga Auron Dodi