1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

pasqyra e shtypit gjerman

17 Dhjetor 2003
https://p.dw.com/p/As3V

Gazeta NOJE ZYRHER CAJTUNG boton një korrespondencë nga Haga. nën titullin: "Tribunali i Hagës nën presion kohe - ujdi të diskutueshme me të akuzuarit", artikullshkruesi vëren:

"Në fillim të këtij viti, pala akuzuesi ndërmori një ndryshim strategjie që të tërheq vëmendjen: ndryshe nga deri tani, ajo pranon të bëjë ujdi me të akuzuarit. Kështu që një numër i madh serbësh kanë pranuar tani se janë fajtorë. Si shpërblim për bashkëpunimin me Tribunalin atyre u janë premtuar dënime më të lehta. Por marrëveshje të tilla janë të diskutueshme. Kritikohet para së gjithash rrethana që pala akuzuese është madje e gatshme ta quajë pa vlerë edhe krimin më të rëndë, atë të genocidit. Mund të ndodhë edhe që eprorë, të cilët e kanë pranuar ujdinë, të marrin dënime më të lehta se sa vartësit e tyre, të cilët janë dënuar më parë dhe nuk e kanë pasur këtë mundësi. Kritikët thonë se ekziston rreziku që Gjykata të humbasë besueshmërinë.

Më tej në gazetën NOJE ZYRHER CAJTUNG lexojmë:

Pala akuzuese pranon se marrëveshjet me kriminelët e luftës janë të pashpjegueshme për viktimat. Prandaj atyre u duhet shpjeguar një procedurë e tillë dhe të përmenden avantazhet e saj. Vendimtare nuk ë shtë se në këtë mënyrë proceset gjyqësore do të zgjasin më pak. Në rend të parë është diçka tjetër: në sajë të pranimit dhe të pohimeve të të akuzuarve serbë bëhet i pamundur mohimi i krimeve të luftës, siç ndodh ende në Serbi. Shumë fakte tani janë mbi tryezë dhe ato mund të shërbejnë një ditë si bazë për ta shkruar ndryshe historinë për të gjithë rajonin.

Bilanci mund të bëhet në fund të vitit të ardhshëm: deri atëherë, me kërkesë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të gjitha hetimet duhet të kenë përfunduar.... Hetime po zhvillohen edhe kundër anëtarëve drejtues të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Vështirësia qëndron në gjetjen e dëshmitarëve kosovarë të gatshëm për të folur. Gjithashtu ë shtë e vështirë që udhëheqja e UCK-së të vihet në lidhje direkte me krimet e luftës, sepse Ushtria Clirimtare e Kosovës ka qenë një njësi luftarake e decentralizuar,pa struktura të qarta urdhri."

Ndërrojmë temë:

Gazeta NOJE DOJCLAND që del në Berlin merret me përpunimin e diktaturës në Irak pas Sadam Huseinit:

"Vendimi që pret Sadam Huseini në procesin gjyqësor të tij do të jetë i ashpër - dhe megjithatë do të ketë rëndësi dytësore. Shumë më e rëndësishme është se cfarë kontributi do të japë procesi gjyqësor për sqarimin e krimeve të ushtruara nga diktatura e tij për gati një cerek shekulli. E rëndësishme është se cfarë informacionesh të reja për shkeljet e të drejtave të njeriut në Irak, për aktet poshtëruese ndaj minoriteteve, për likuidimin e opozitës politike, për luftën vrastare kundër Iranit dhe sulmin në Kuvajt do të sjellë ai. Nëse ato shtetet dhe qeveri që e përshëndetën me kaq gëzim arrestimin e Sadamit do ta presin po me kaq gëzim një sqarim të tillë, kjo mbetet të shihet."

Gazeta "Manhajmer Morgen" pyet:

"A do të përfundojë në karrigen elektrike ekzistenca tokësore e Sadamit? Një gjë është e qartë: kasapi i Bagdadit duhet të japë llogari për krimet e tij. Rreziku që në procesin gjyqësor ai të marrë rolin e një martiri, nuk duhet të jetë shumë i madh. Për këtë, që në fillim të jetës së tij në burg ai bëri gjeste të qëlluara: Sadami pa strehë, e lë ta arrestojnë pa kundërshtuar dhe që t'i kontrollojnë dhëmbët si kalit. Një hero i tillë nuk u duhet as edhe më fanatikëve në botën arabe."

Ndërsa gazeta FRAJE PRESE nga Kemnici shkruan: "Duket me vend që krimet e Sadamit të dalin para një gjykate ndërkombëtare - sigurisht jo pa pjesëmarrjen irakiane- dhe që atje të merret për të vendimi. Probleme të kredibilitetit në këtë mënyrë do të shmangeshin që në fillim - si edhe cdo përpjekje për të ushtruar drejtësi nga pozita e fitimtarit. Vendimin se kush do ta gjykojë tiranin irakian dhe se ku do të zhvillohet më në fund procesi, presidenti Bush me shumë gjasa nuk do të lërë t'i marrin nga dora. Atëherë do të shihet edhe nëse SHBA kanë mësuar nga gabimet e tyre të së kaluarës. Trajtimi këtej e tutje i Sadam Huseinit do të bëhet për SHBA në Irak një provë e vështirë."