1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

5 Nëntor 2003
https://p.dw.com/p/As4X

Afera Hohmann lidhur me fjalimin e kritikuar si antisemitik të deputetit kristiandemokrat, gjerman Martin Hohmann vazhdon. Ministri i Mbrojtjes Peter Struck shkarkoi kreun e "Njësitit Veprues Forcat Speciale" të ushtrisë, gjeneral-brigade Reinhard Günzel, pasi ai e kishte lavdëruar veçanërisht fjalimin në fjalë. Vendimi i shpejtë i ministrit Struck dhe qëndrimi i Partisë Kristiandemokrate zënë vend në komentet e sotme. - Një përmbledhje nga Ulrike Quast.

E përditshmja Die Welt shkruan:

"Kaq shpejt sa u shkarkua Reinhard Künzel-i ka kohë që nuk është shkarkuar ndonjë gjeneral. Nuk duhet të ishte pritur as një sekondë më gjatë. Ajo që i shkroi kreu i Njësitit Veprues Forcat Speciale deputetit të CDU-së Martin Hohmann për fjalimin e tij mbi hebrenjtë si "popull fajtor" është i padurueshëm. Është më keq sesa ajo që tha Hohmann-i. Gjersa ai u zbraz "vetëm" për rolin e hebrenjve në Revolucionin e Tetorit, gjeneral-brigade Günzel e falenderonte meqënëse "mendimet e tij dilnin nga zemrat e shumicës së popullit."

Frankfurter Rundschau mendon:

"Ministri tha se shkarkoi një "gjeneral të çoroditur". Si përshkrim gjendjeje individuale kjo mund të jetë e saktë. Megjithatë pyetja që shtrohet prej kohësh është një tjetër. Është pyetja për terrenin ushqyes në të cilin çoroditje të tilla duken dhe përhapen si të vërteta të guximshme. Për të vërtetë, rëndësi ka kundërshtimi i të djathtit që i minimizon veprat kriminale, por edhe guximi i kreut të CDU-së, i cili nuk pranon kërkimin falje vetëm për arsye taktike. CDU-ja duhet të ndahet nga Hohmann-i dhe nga ata me mendime të njëjta."

Ngjashëm Süddeutsche Zeitung:

"Në shtetin ligjor iria e mendimit i ka kufijtë atje ku fillon ndërsimi i popullit. Megjithatë afera Günzel përmban një mësim tjetër, atë për CDU-në. Për deputetin Hohmann vlen gjithçka që vlen edhe për Günzel-in. Hohmann-i foli trashë dhe rrezikshëm duke dëmtuar imazhin e partisë së tij. Ai duhet përjashtuar nga fraksioni parlamentar, por ndryshe nga ministri Struck kryetarja e CDU-së Merkel deri tani nuk e ka patur atë guxim."

Berliner Zeitung komenton:

"Struck-u shmangu kthimin e aferës Günzel në aferë të ushtrisë gjermane. Nuk do të ishte hera e parë që për arsye të sjelljes së gabuar të individëve t'i ekspozohej dyshimit të përgjithshëm, se duron në radhët e saj radikalë të krahut të djathtë, madje se është vend i mbrojtur, ku radikalizmi i djathtë mund të përhapet në mënyrë të pakontrolluar. Ministri veproi kundër paragjykimit të rëndomtë. Ai e ndërpreu lidhjen midis burokracisë dhe politikës duke kontribuar kështu për higjenën politike në vend.

Ndërrojmë temë: Shoqëria aksionare Adam Opel do të shmangë shkurtime nga puna duke i zvogëluar orët e punës në javë në 30 pa kompensuar plotësisht pagat. Lidhur me këtë Coburger Tageblatt shkruan:

"Në fakt të gjithë ne duhet të punonjmë më gjatë, në mënyrë që ta nxjerrim Gjermaninë nga rënia ekonomike. Por edhe më pak orë pune në javë mund ta zgjidhin krizën. Në të ardhmen në firmën Opel në Rüsselsheim, ndërtuesja e automobilëve, e cila po rimëkëmbet por që nuk ka shpëtuar ende, do të fitohet më pak dhe do të punohet më pak. Kjo ul shpenzimet për sipërmarrjet dhe e shpëton personelin nga shkurtimet. Shembull i mirë për atë se si me instrumentin e marrëveshjeve në ndërmarrje mund të arrihet në zgjidhje të vlefshme për të gjitha palët pjesëmarrëse. Vërtetim për atë se në shtetin me paga kombëtare të përcaktuara për çdo profesion fleksibiliteti nuk duhet të humbasë."

Në përfundim Berliner Zeitung:

"Për 5.500 punëtorë do të reduktohet me 14 për qind koha e punës, por pagat e tyre ulen vetëm me 6,8 për qind. Paga për orë rritet dhe kështu shtrenjtohet edhe prodhimi. Por është e sigurt që një kosto më e lartë nuk është mjeti i duhur për të përmirësuar në kohë të vështira aftësitë konkurruese të firmës. Kancelari do të kishte vetëm atëherë arsye të gëzohej kur firma Opel të reduktonte si kohën e punës ashtu edhe pagat me 14 për qind. Kështu ai vetëm sa lavdëron një shembull të keq dhe bërtet krah për krah me sindikatat në rrugën e gabuar."