1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit mbi: skandalin e basteve në futbollin gjerman dhe zgjedhjet në Irak

VFB31 Janar 2005

Përfundimi me sukses, ndonëse nën hijen e dhunës, i zgjedhjeve në Irak është temë qendrore e komenteve në shtypin gjerman. Një temë tjetër mjaft e komentuar është edhe skandali i basteve për futbollin dhe kompromentimi i gjyqtarëve e madje edhe i lojtarëve në kampionatin gjerman nga mafia e basteve.

https://p.dw.com/p/Arww
Gjyqtari Robert Hojcer në ndeshjen HSV dhe SC Paderborn
Gjyqtari Robert Hojcer në ndeshjen HSV dhe SC PaderbornFotografi: dpa

Lidhur me zgjedhjet në Irak në të përditshmen "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG" komentohet: "Zgjedhjet në Irak u zhvilluan dhe ecuria e tyre ishte si një veprimtari mes gëzimit dhe tolerancës. Në Veri dhe në Jug mrekullisht njerëzit vërshuan me vendosmëri drejt qendrave të votimit. Ndonëse përpara votave u desh të numërohehsin viktimat. Bombat në Bagdat dhe në Basra, sulmet e shkëmbimet e zjarrit në shumë pjesë të vendit, bënë që demokracia të ishte në shënjestër. Por kundërshtarët e zgjedhjeve nuk ia arritën qëllimit të tyre për t´i penguar votimet. Ky lajm i mirë vjen falë atyre irakianëve që duke rrezikuar kokën dhanë votën e tyre. Tashmë është përforcuar fuqishëm shpresa, se kjo ishte një votë për një të ardhme më të mirë", konkludon komentatori i "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG".

Gazeta "KÖLNISCHE RUNDSCHAU" vëren: "Pjesëmarrja me 70% në votime dëshmon vullnetin e njerëzve mes Eufratit dhe Tigrit për ta marrë vet në dorë fatin e tyre politik. Siç duket forcat e policisë ishin të përgatitura mirë. Me këtë është bërë një hap i parë pozitiv për një të ardhme më të mirë në këtë vend të shkatërruar dhe të përçarë. Kjo nuk është pak. Por për fat të keq pak rëndësi kanë zgjedhjet e sukseshme në sfondin e tensioneve të jashtëzakonshme politike dhe shoqërore të Irakut", tërheq vëmendjen "KÖLNISCHE RUNDSCHAU".

Një temë që ka tërhequr vëmendjen e opinionit në Gjermani ditët e fundit është skandali i gjyqtarit të futbollit Robert Hojcer, i cili ka manipluluar ndeshjet duke pranuar ryshfet nga një agjenci kroate bastesh në Berlin. "FRANKFURTER ALLGEIMEINE ZEITUNG" boton një analizë speciale mbi këtë temë, prej nga veçojmë: "...Emri i Robert Hojcer do të hyjë në histori si sinonim për skandalin më të madh në historinë e fubtollit gjerman qysh prej viteve 30. Përmasat e krizës janë ende të paparashikueshme. (...) Me rastin Hojcer futbolli profesionist rrezikon të humbasë themelin. Bastet sportive s´kanë më vlerë, nëse gjyqtarët dhe mashtruesit paracaktojnë rezultatet nëpër agjencitë e basteve. (...) Futbolli i blerë u rrëmben tifozëve përpara syve shpirtin e lojës, ndërsa investuesve të mëdhenj bazën e biznesit. Në një biznes miliardash, që gjithnjë e më shumë i është përshtatur mekanizmave të industrisë së argëtimit, gjyqtari gjerman dukej si vrima e fundit e kavallit. E tani edhe ky tradhëtoi. Ryshfeti funksionon sipas një parimi të thjeshtë: kudo ku është paraja në lojë ka ryshfet", shkruan "FRANKFURTER ALLGEIMEINE ZEITUNG".

Qysh prej ditësh në shtyp shtrohet pyetja mos vallë është kjo vetëm maja e ajsbergut në futbollin gjerman? Përgjigjen e jep në numrin e saj të sotëm "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG": "Tre gjyqtarë të tjerë dhe tetë lojtarë nga tri skuadra të ligës së 2 mendohet të jenë të implikuar në skandalin e basteve. Sipas kësaj gazete në bazë të hetimeve të prokurorisë së Berlinit deri tani nuk ka të dhëna për implikimin e ndonjë lojtari nga klubet e ligës së parë. Ndërkaq i pandehuri kryesor, gjyqtari Hojcer, e ka pranuar,që ka marrë 70.000 euro prej mafies kroate të basteve në Berlin. Ai ka manipuluar katër ndeshje duke marrë nga 5.000 deri në 15.000 euro. Me porosi të mafies së basteve gjyqtari Hojcer i ka ofruar disa qindra euro një kolegut të tij, në mënyrë që edhe ky të fishkëllejë në fushë ashtu siç kërkojnë ata që vënë bastet", shkruan "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG".

Gazeta "KÖLNISCHE RUNDSCHAU" citon përfaqësuesit e Federatës së Futbollit, të cilët kërkojnë një sqarim të shpejtë të këtij skandali dhe presin të shohin sa më parë dosjen e hetimeve të prokurorisë së Berlinit. (...) Por edhe politika do t´i luftojë më me forcë bastet ilegale sportive në Gjermani. Sipas gazetës në fjalë, kryeministrat e landeve i kanë paraqitur kërkesën përkatëse ministrisë federale të punëve të brendëshme. Ministri i brendëshëm Oto Shili është shprehur për vendosjen e sanksioneve të ashpra kundër autorëve të të tilla manipulimeve. "Gjyqtarët dhe të gjithë ata që implikohen në manipulime, nuk kanë ç´të kërkojnë më në futbollin profesionist", citon ministrin Shili "KÖLNISCHE RUNDSCHAU".