1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit me këto tema: Samiti Shrëder Putin dhe gjykim por jo dënim - Shpallet vendimi në çështjen Dashner në Frankfurt

VFB21 Dhjetor 2004

Analistët në periodikun e Gjermanisë u kushtojnë vëmëndje konsultimeve qeveritare gjermano-ruse. Tema më e nxehtë e politikës së brendshme është mbyllja e procesit kundër zëvendëspresidentit të policisë së Frankfurtit Dashner. Ky i fundit nën akuzën për përdorimin e torturës si mjet presioni në hetimet ndaj një të pandehuri për rrëmbim dhe vrasje u dënua me gjobë dhe kusht duke u lënë në gjendje të lirë.

https://p.dw.com/p/ArxU
Volfgang Dashner, ish-zv-president i policisë në Frankfurt mbi Main, dënohet me gjobë dhe kusht
Volfgang Dashner, ish-zv-president i policisë në Frankfurt mbi Main, dënohet me gjobë dhe kushtFotografi: AP

Gazeta "Nordbayerischer Kurier" komenton: "Ai që kritikon qëndrimin e Dashnerit, duhet t´i vërë gishtin kokës e të mendojë: mos vallë është më i rëndësishëm dinjiteti i rrëmbyesit dhe vrasësit Magnus Gefen se sa ai i fëmijës. Por nga ana tjetër kushdo duhet ta ketë të qartë, se pak torturë nuk ka! Në rast se do te lejohej përdorimi i dhunës, ku do të vendosej kufiri?. Vendime si në rastin e procesit Dashner, ku përplasen me njëra-tjetrën dinjiteti njerëzor, shpëtimi i jetës dhe ndalimi i torturës, nga pikëpamja juridike janë shumë të vështira të gjykohen. Ndaj arësyeja e shëndoshë njerëzore nuk mund të gjejë një zgjidhje të pranueshme. Zëvendëspresidenti i policisë dhe nëpunësi i tij në bazë të ligjit nuk kanë të drejtë. Por ata deshën të shpëtojnë Jakobin e vogël të rrëmbyer. Si rjedhojë trupi gjykues shpalli masën më minimale të dënimit që eksziton në kodin penal. Të dy nëpunësit në të ardhmen juridikisht konsideorhen të pastër, por një gjë u mbetet, ata janë fajtorë", konkludon "Nordbayerischer Kurier".

"Märkische Oderzeitung" analizon: "Gjykata e apelit në Frankfurt ka gjykuar si duhet. Me vendosjen e një mase dënimi kundër ish-zv/presidnetit të Policisë Dashner dhe bashkëpunëtorit të tij, nga njëra anë trupi gjykues ka bërë të qartë, se përdorimi i dhunës, ose thënë me gjuhë të thjeshtë i torturës, gjatë hetimeve në polici është një shkelje e papranueshme e dinjitetit njerëzor, mbrojtja e të cilit garantohet në ligjin themelor. Por nisur nga fakti që dënimi është simbolik, trupi gjykues lë të kuptohet, se kemi pasur të bëjmë me një përjashtim, një situatë të pazakontë, në të cilën ndodheshin policët që donin të shpëtonin jetën e një fëmije të rrëmbyer. E siç reuzltoi më vonë policët u tërhoqën prej hunde nga një vrasës", vëren "Märkische Oderzeitung".

Lidhur me konsultimet e 7 qeveritare gjermano-ruse e përditshmja "Handelsblatt" shtron një sërë pyetjesh: "Ç´rrugë do të marrë Rusia nën Putinin? Mos vallë ajo do t´i devijojë kursit të demokracisë? Ç´qëndrim do të mbajë Perëndimi me Rusinë? Shtimi i mëkateve ruse ka arritur një masë, që e bën qesherak këdo që mundohet t´i paraqesë ato si raste të vecanta sa për të të ardhur keq. Ndërsa ata që bëjnë thirrje për stabilitet, kujtojnë kohët sovjetike, kur gjithcka i nënshtrohej minimizimit të gjërave. Por nuk është e udhës të flasësh për stabilitet sa për të mos trazuar furnizimet me energji nga Rusia, për të mos frenuar bizneset e tregtisë, apo për të mos penguar udhëtimin e gjermanëve të Rusisë. A mund të jetë kjo mënyra e vlerësimit të një vendi fqinjë me mandat në Këshillin e Sigurimit, në OSBE dhe me lidhje instucionale me BE-në? Përgjigja është, jo, kurrësesi. Por kancelari ndoshta mendon, se mund të arrijë shumë me tone të ulëta dhe me komplimente në adresë të Putinit. Ndërsa të tjerë këkrojnë kritikë me zë të lartë...", tërheq vëmendjen "Handelsblatt".

Një citat nga komenti i "Ostthüringer Zeitung": "As ndryshimi i butë i kursit dhe as kritika paarësye nuk kanë vend në politikën ndaj Rusisë. Zgjerimi i bashkëpunimit si në fushën e ekonomisë ashtu edhe në politikë, është me sa duket e vetmja rrugë që premton suksesin. Një demokraci sipas modelit perëndimor vështirë se do të arrihet shpejt në Rusi, por ky vend edhe pa marrëdhëniet me Gjermaninë do të vazhdojë ta forcojë pozicionin e vet të pushtetshëm", analizon "Ostthüringer Zeitung".