1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit ndërkombëtar të javës

Annamaria Sigrist2 Korrik 2006
https://p.dw.com/p/Arp9
Jan Ullrich përjashtohet nga Tour de France
Jan Ullrich përjashtohet nga Tour de FranceFotografi: AP

Shtypi ndërkombëtar i javës që lamë pas kishte në qendër të vëmendjes ndër të tjera dy tema konfliktin në Lindjen e Mesme si dhe skandalin e dopingut në radhët e çiklistëve para fillimit të Tour de France.

Pas kidnapimit të një ushtari izraelit prej palestinezëve militantë dhe marshimit të trupave izraelite në Rripin e Gazës gjendja në Lindjen e Mesme është acaruar dhe komentatorët vlerësojnë në mënyra të ndryshme gjendjen në këtë zonë.

Në gazetën spanjolle "El Pais" lexojmë:

"Qeveria e Ehud Olmertit do të ketë vështirësi serioze për t'u shpjeguar qytetarëve të saj, palestinezëve si dhe pjesës tjetër të botës se ç'lidhje logjike ka mes përpjekjeve për çlirimin e ushtarit izraelit dhe shkatërrimit të centralit më të rëndësishëm elektrik në Gaza. Tani duhet që acarimi i mëtejshëm të frenohet sa më shpejt. Për këtë duhet të ndërpritet menjëherë marshimi i trupave izraelite si dhe të ushtrohet presion masiv ndaj Hamasit dhe Sirisë që ta lirojnë ushtarin e kidnapuar."

Gazeta londineze "Telegraph" plotëson:

"Izraelitët dhe palestinezët duhet të mendojnë se ku i çon konfrontimi. Eshtë shumë e dyshimtë nëse Izraeli do të jetë në gjendje me ofensivën e vet ushtarake që ta lirojë ushtarin e kidnapuar. Sulmet ajrore janë një masë shumë largvajtëse. Kjo është një masë dënimi kolektive për një veprim që e kanë kryer ekstremistët. Më me vend do të ishin në këtë mes bisedimet e fshehta dhe në këtë fushë Izraeli është mjeshtër."

Kurse gazeta holandeze "De Volkskrant" komenton:

"Eshtë e kuptueshme që Izraeli nuk do ta linte të kalonte kaq kollaj sulmin e palestinezëve. Por kundërmasat që po merr pala izraelite nuk janë në raport me atë që ka ndodhur. Bombardimet kanë shkaktuar shkatërrime prej së cilave në radhë të parë vuan rëndë popullsia civile. Jo pa të drejtë presidenti palestinez Abaz u shpreh për "dënim kolektiv". Për fat të keq ai është vetëm një nga të paktët krerë të palestinezëve, të cilët kanë ngritur me të drejtë zërin në këtë çështje. Kriza aktuale në Rripin e Gazës i ka rrënjët në një masë të konsiderueshme në mungesën e madhe të unitetit në radhët e palestinezëve dhe sidomos në pamundësinë apo madje mungesën e dëshirës së qeverisë së Hamasit për të filluar një kurs, i cili do të çonte në më tepër stabilitet dhe njohje ndërkombëtare."

Në fund në lidhje me këtë temë citojmë nga gazeta "New York Times":

"Megjithë shpresat e shumëkujt Hamasi nuk arriti ta kuptojë në këto pesë muaj qeverisjeje realitetin. Në rast se gjërat vazhdojnë në këtë mënyrë palestinezët mund të bëhen gati për një qark të pafund provokimesh nga ana e Hamasit dhe reagimesh të ashpra nga Izraeli. Për këtë Hamasi nuk duhet lejuar të vazhdojë në këtë rrugë dhe nuk është vetëm çështje e Izraelit që t'ia transmetojë këtë mesazh Hamasit."

Kalojmë në temën tjetër. Turneu i 93-të i çiklizimit Tour de France filloi pa favoritët gjermanin Jan Ullrich dhe italianin Ivan Basso, të cilët u përjashtuan për shkak të dyshimit për doping.

Ja sesi shprehet për këtë gazeta zvicerane "NZZ":

"Tour de France humbi reputacionin dhe kur hedh një vështrim në zbrazëtirën e këtij turneu çiklizimi e kupton se në ç'gjendje të vështirë gjendet sporti i çiklizimit. Thuajse të gjithë protagonistët e garave të mëdha të tri viteve të fundit u konstatuan se kishin marrë doping, apo kishin konsumuar substanca të tjera të palejueshme. Të gjithë e dinë se pas skandalit me Festinën nuk u kujdes njeri për ndryshime të mëdha. Por se pas këtij skandali problemi i dopingut është përhapur edhe më tepër, kjo po bëhet e qartë sot."

Gazeta daneze "Politiken" shkruan:

"Pa dyshim e drejta e ekzistencës së show-t gjigand sportiv me emrin Tour de France shtrohet për diskutim, kur dy starët e mëdhej Jan Ullrich dhe Ivan Basso hiqen nga lista për shkak të dyshimeve për konsum dopingu."


Së fundi citojmë nga gazeta franceze "Le Figaro" e cila shkruan:

"Turneu i çiklizimit Tour de France humbi starët e vet. Kjo është një goditje e tmerrshme, por e domosdoshme në rast se ekipet duam që t'i çlirojmë vërtet përfundimisht prej dopingut."