1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit ndërkombëtar të javës

28 Maj 2006

Ndër temat e shtypit ndërkombëtar të kësaj jave kemi veçuar dy tema: vizitën e kancelares gjermane Angela Merkel në Kinë si dhe refrendumin për pavarësinë në Mal të Zi.

https://p.dw.com/p/Arpj
Malazeze të ngazëllyera për pavarësinë
Malazeze të ngazëllyera për pavarësinëFotografi: AP

Ndër temat e shtypit ndërkombëtar të kësaj jave kemi veçuar dy tema: vizitën e kancelares gjermane Angela Merkel në Kinë si dhe refrendumin për pavarësinë në Mal të Zi.

"Shanghai Evening Post" shkruan:

"Në krahasim me parardhësin e saj Shrëder kancelarja Merkel të lë një përshtypje të freskët, megjithëse edhe ajo ka në vetvete diçka misterioze. Angela Merkel u duket kinezëve enigmatike dhe ata duan të mësojnë më tepër për të. Ajo ka një stil të matur, të menduar dhe jo mburravec. Edhe pse prej qeverisë së re marrëdhëniet kinezo-gjermane janë në fazën e përputhjeve, ndryshime të mëdha nuk do të ketë."

"Nesavisimaja Gazeta" (Moskë) shkruan:

"Merkeli u shfaq në Kinë si një politikane e ekulibruar e cila ndjek një strategji tjetër prej asaj të paradhësit të saj. Për këtë dëshmojnë pozicioni i saj i ashpër në lidhje me embargon e BE për armët ndaj Kinës si dhe vendimi për t'i zënë me gojë tema të tilla të politikës së brendshme si respektimi i të drejtave të njeriut. Ajo demonstroi një politikë të afrimit të kujdesshëm."

"Salzburger Nachrichten" komenton:

"Guximi për të përdorur tone kritike nuk synonte t'i binte si tullë në kokë qeverisë kineze. Kancelarja gjermane ishte e ndërgjegjshme për rolin e saj si kryeshitëse e ekonomisë gjermane në Kinë. Por duke bërë këtë spargatë ajo nuk u përkul. Zonja Merkel demonstron se mbajtja fort pas vlerave morale personale është tek e fundit politika më e mirë reale. Vizita e saj në Kinë tregon se ky vend po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për botën. Njëkohësisht ajo tregon se euforia për Kinën dalëngadalë po zbehet për t'ia lënë vendin një gjykimi më realist për Kinën: vendi me joshjet e mëdha ekonomike ka edhe probleme të mëdha të brendshme."

Nisur nga vizita e kancelares në Kinë "Eesti Päevaleht" (Talin) shkruan:

"Kina është ndërkohë fuqia e katër ekonomike botërore. Ambiciet e 1,3 miliardë kinezëve janë që deri në vitin 2020 Kina të hyjë në grupin e vendeve të industrializuara të botës. Gjatë viteve të ardhshme pritet të ndërtohen 24.000 km autostrada dhe nëntë centralëve atomikë që ka vendi do t'u shtohen edhe 21 të tjerë. Po ashtu do të zgjerohen apo do të ndërtohen edhe 80 aeroportë. Zhvillimet në Kinë e detyrojnë vendin që të ndjekë një politikë të jashtme aktive."

Kalojmë në temën tjetër, referendumin në Malin e Zi.

"La Repubblica" (Itali) shkruan:

"Serbia dhe Mali i Zi do të ndjekin tani rrugë të ndara në afrimin me BE. Ka mundësi madje që Podgorica të ecë më shpejt se Beogradi në këtë drejtim. Një vend i vogël si Mali i Zi me 650.000 banorë duket se është më i lehtë për t'u përtypur prej Brukselit, ndërsa Serbisë i duhet të kujdeset për arrestimin e Ratko Mladicit."

"De Volkskrant" (Holandë) vëren:

"Vendi është tepër i vogël dhe ka pak fuqi ekonomike për të qenë në gjendje që të zhvillojë një ekzistencë ekonomike. Në këtë mënyrë në Ballkan po lind një "bimë e re sere" e cila ka nevojë për trajtim të posaçëm dhe të komplikuar politik dhe ekonomik prej bashkësisë ndërkombëtare. Po si edhe në rastin e një martese nuk ka kuptim që një çift të rrijë bashkë me zor, kur njëri prej partnerëve thellë në shpirt dëshiron të ndahet."

Britanikja "The Independent" shkruan:

"Dikur deklarata të tilla për pavarësi thjesht nuk ekzistonin, kufijtë ishin të shenjtë, sidomos pas përfundimit të Luftës së II Botërore. Rënia e murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë ndryshuan gjithçka. Shumë prej shteteve të vogla të formuara në Evropë pas ribashkimit të Gjermanisë janë produktive, kanë mirëqënie dhe e marrin seriozisht përgjegjësinë e tyre. Harta e re e Evropës mund të jetë ndoshta një shembull për Azinë apo Afrikën, ku kufijtë e vendosur artificialisht në disa vende nuk kanë asgjë të përbashkët me përbërjen etnike të tyre."