1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit rreth tërmetit në Azinë Juglindore

VFB27 Dhjetor 2004

Tërmeti me forcën 8,9 ballë të shkallës Rihter që goditi Juglindjen e Azisë duke lënë pasoja katastrofale në disa vende është më i fuqishmi qysh prej 60 vjetësh në këtë rajon.

https://p.dw.com/p/ArxQ
Në Jug të Indisë vala e baticës arrin mbi 10 m.
Në Jug të Indisë vala e baticës arrin mbi 10 m.Fotografi: AP


Duke marrë shkas nga kjo tragjedi natyrore analistët në shtypin gjerman tërheqin vëmendjen, se pavarësisht nga avancimi i shkencës dhe teknikës, njeriu edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë i pafuqishëm kundrejt forcave të natyrës. Ja se si komenton e përditshmja "Die Welt": Një Tsunami e tronditi botën në ditën e atmosferës së paqtë të Krishtlindjeve. Mijëra njerëz gjetën vdekjen në Azi prej një batice gjigande. Ne na tmerron jo vetëm përmasa e kësaj katastrofe, por edhe paaftësia e plotë e jona kundrejt të tilla ngjarjeve natyrore. Në raste të tilla s´kemi të bëjmë as me pakujdesi njerëzore, as me ndonjë veprim të gabuar, apo defekt dhe as me veprime armiqësore që mund të jenë argumenta për sqarimin e ngjarjes. Kjo do të thotë gjithashtu, që nuk ka asnjë shpresë, se në të ardhmen do të jemi në gjendje t´u bëjmë ballë më mirë të tilla situatave, apo të mbrohemi më mirë prej tyre. Tërmeti dhe batica me dallgët gjigande të shkaktuara prej tij na kujtojnë, se planeti Tokë posedon një dinamikë të vetën të jashtëzakonshme, forcat e së cilës nuk mund të mbisudnohen nga njeriu. (...) Por njeriu duke dashur të mbivlerësojë veten nënvleftëson planetin Tokë dhe forcën e tij", vëren "Die Welt".

"Wiesbadener Kurier" kritikon mungesën e sistemeve të paralajmërimit: "Kaluan disa orë derisa dallgët e shkaktuara prej tërmetit arritën destinacionet e tyre në distancën prej disa kilometrash në Sri Lanka dhe Phuket, ku ato morrën me vete jetë njerëzish. Gjatë këtyre orëve shumica e njerëzve të mbytur do të kishin pasur mundësi të shpëtonin. Në epokën e globalizimit ne informohemi brenda sekondës për luahtjet e kurseve në bursë, ndërsa kur është fjala për kërcënime ekzistenciale, një gjë e tillë nuk funksionon. Në Japoni apo në Havai ekzistojnë sistemet e vëzhgimit dhe të paralajëmrimit ndaj të ashtuquajturit Tsunami, por siç duket të tilla nuk ka për rajonet më pak të zhvilluara përreth oqeanit Indian. Një turp!", shkruan "Wiesbadener Kurier".

Gazeta "Westfälische Rundschau" komenton: "Orë pas ore mediet e mbushin jetën tonë të përditshme me pamje të vuajtjeve të paperceptueshme njerëzore. Një tërmet, më i fuqishmi qysh prej një gjysmë shekulli, brenda një kohe fare të shkurtër shkatërroi mijëra jetë njerëzish. Miliona të tjerë janë prekur prej tragjedisë duke mbetur të pastrehë, të papunë dhe të pashrpesë. (...) Nuk ka vetëm globalizim të ekonomisë. Nuk është vetëm turizmi mbarëboëtror që i nxit paqëllim njerëzit nga vendet e mirëqenies në rajone me katastrofa të tilla natyrore. Me globalizimin e komunikacionit vjen edhe globalizimi i vuajtjeve. Kjo është një botë, në të cilën ne jetojmë dhe ku njerëzit mbajnë përgjegjësi për njëri-tjetrin - përtej sferës së vogël të veprimit të tyre. Me dashurinë për tjetrin dhe me pak patetizëm, solidariteti nuk mund të reduktohet vetëm në ditë festash, gjë që tregohet në ndihmën e të pasurve për të varfërit. Katastrofa si kjo i relativizojnë problemet tona. Ato na mësojnë përulje, e kjo na detyron për ndihmë" shënon "Westfälische Rundschau".


Një citat nga artikulli i gazetës "Express": "E çfarë mund të na trondisë më ne? Njeriu i ka bërë dhe i ka arritur të gjitha. Ai është ngjitur në malin më të lartë dhe ka studjuar thellësitë më të mëdha. Teknika jonë na bën të pagabueshëm dhe dijen tonë të pamposhtur. A është e vëtretë kjo? Jo, nuk është e vërtetë. Tërmetin në thellësinë 40 km. nuk mund ta parashikonte askush, askush nuk mund ta parandalonte atë dhe baticën e dallgët e shkaktuara prej tij. Sipas përllogaritjeve të para mijëra jetë njerëzish u shuan brenda pak sekondash. A ka më vlerë teknika jonë? Aspak. Ne nuk mund t´i mbisundojmë të gjitha. Para së gjithash ne nuk mund t´i bëjmë ballë forcës së natyrës. Ajo që na mbetet janë dy mendime: ne duhet të ndihmojmë! Dhe ne duhet të gjejmë më shumë përulje. Jo gjithçka mund të studjohet dhe jo gjithçka është e evitueshme. Një e vërtetë e hidhur me të cilën duhet të ambjentohemi", nënvizon "Express".