1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të Gjermanisë

22 Shtator 2004

Mbledhja e asamblesë së përgjithshme të OKB-së në Nju Jurok është një ndër temat ndërkombëtare më të komentuara në shtypin e sotëm të Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/AryS

Një çështje e rëndësishme që u shtrua në Asmablenë e Përgjithshme të OKB-së ishte reformimi i Këshillit të Sigurimit dhe kërkesa e katër vendeve të mëdha, Indisë, Japonisë, Brazilit dhe Gjermanisë për antarësi të përhershme në këtë forum. Gazeta "Süddeutsche Zeitung" komenton:

"Muajt e fundit kancelari Gerhard Shrëder nuk ka lënë t´i shpëtojë asnjë rast pa u përpjekur të bëjë reklamë për njërin prej projekteve më të preferuara të tij. "Gjermania e konsideron veten si kandidate për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit", kjo është fjalia më e lakuar në çdo fjalim të kancelarit. Si kancelari edhe ministri i jashtëm Joshka Fisher janë të mendimit, se Këshilli i Sigurimit me 5 fuqitë me të drejtë vetoje dhe 10 antarët e zgjedhur me rotacion nuk i përshtatet më realitetit të botës në shekullin e 21. ...Nisur nga përvoja e ndërhyrjes në Kosovë, në Afganistan, por edhe nga qëndrimi refuzues i Gjermanisë ndaj luftës së Irakut, si Shrëder edhe Fisher e shohin të konfirmohet, se sa më shumë të afrohet një vend në forumet ndërkombëtare, aq më i sukseshëm është ai në realizimin e interesave të politikës së jashtme".

Në komentin e së përditshmes "Kölner Stadtanzeiger" lexojmë:

"Nëse qeveria e Shrëderit kërkon një vend të përhershëm dhe të drejtë vote në forumin vendimarrës, pra në Këshillin e Sigurimit, kjo nuk ka të bëjë me etjen për të qenë fuqi e madhe. Megjithatë mbetet dyshimi, nëse Gjermania është vërtetë e përgatitur për këtë rol të ri. Paratë për më shumë angazhime ndërkombëtare mungojnë. Një trupë të mëvetësishme të OKB-së për misionet e ndërhyrjes në raste krizash nuk do të ketë as pas reformës. Por Këshilli i Sigurimit do ta ndjejë veten nën presion në rast se do të shpërthejnë kriza të reja. Jo gjithnjë ndëhyrja mund të zëvendësohet me ndërmjetësim. Vendi i përhershëm i Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit do të ishte jo vetëm mirënjohje për angazhimin e saj por edhe një detyrë e madhe."

"Ka trokitur sërish ora e multilatëralizmit, nënvizon gazeta "Fränkischer Tag" duke shtuar më tej:

"Ky është një nga argumentat më të forta të Fisherit për një vend me të drejtë vetoje të Gjermanisë: Berlini dëshiron të prezantohet si mbrojtës i Evropës. Parë nga perspektiva ndërkombëtare, kjo përmban rezikun që në rast konflikti nuk mund të përfaqësohen me një zë të gjithë antarët e BE-së. Megjithatë një gjë e tillë do të ishte më mirë, se sa një vend i përhershëm i BE-së në Këshillin e Sigurimit. Rasti i luftës në Irak dëshmoi se BE-ja mund t´i bllokojë vendimet, sepse ajo ende është shumë larg një politike të përbashkët për marrëdhëniet me jashtë dhe sigurinë. Sidoqoftë të gjitha këto modele i përkasin së ardhmes. Tani për tani vazhdon të ketë efekt forca e insistimit të strukturave të ngurtësuara të pushtetit. Pesë shtetet me të drejtë vetoje nuk mund t´i imponosh që tërhiqen nga privilegji i tyre i bllokadës, në rast nevoje ato mund të vendosin veton e tyre kundër."

Kriza e Irakut ishte gjithashtu një aspekt i rëndësishëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Në numrin e sotëm të "Osnabrücker Zeitung" lexojmë:

"Njëri flet për të drejtën e vetos dhe tjetri për lirinë. Edhe një vit e gjysmë pas luftës në Irak as që ka ndonjë gjurmë unanimiteti. Përpara Asamblesë së Përgjithshme Sekretari i Përgjithshëm, Kofi Anan, paralajëmron, se pa drejtësi, që do të thotë pa maturinë e shteteve më të fuqishme, nuk ka paqe. Në të kundërt presidenti amerikan Xhorxh Bush mendon, se drejtësia vendoset për të qenë në dobi të lirisë. Si shembull për këtë Bush sjell rëzimin e dhunshëm të imponuar nga Amerika të talibanëve në Afganistan dhe të diktatorit Sadam Husein në Irak. Por që të dy heshtin për faktin që medalja ka dy faqe."

Nën titullin "Rebelimi është çmimi i egoizmit" revista "Der Spiegel" në botimin online duke iu referuar fjalimeve të presidentit të Brazilit dhe të Francës shkruan:

"Presidenti i Francës dhe ai i Brazilit i bënë thirrje me insistim ndërkombëtare bashkësisë për të luftuar varfërinë. Varfëria nxit dhunën, paralajëmroi presidenti francez Zhak Shirak duke nënvizuar, se "egoizmi paguhet me rebelim". Sipas presidentit Shirak "është në dorën tonë për ta pajisur me ndërgjegje globalizmin". Ai kërkoi që pasuria e pakrahasueshme duhet të jetë mjet për integrimin dhe jo për përjashtimin e të paprivilegjuarve. Në të njëjtën mënyrë u shpreh edhe braziliani Luiz Inacio Lula de Silva, i cili theksoi se: "Globalizimi i ndershëm fillon me të drejtën e secilit për një vend pune."