1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të Gjermanisë

29 Qershor 2004

Transferimi i pushtetit në duart e irakianëve është sot tema që dominon në faqet e gazetave të Gjermanisë

https://p.dw.com/p/Arzi

E përditshmja "Neues Deutschland" vëren:

"Qeveria e Bushit e ka trumbetuar si hapjen e një epoke të re ndryshimin e pushtetit në Bagdat. Transferimi i pushtetit u krye me spostim kohor, në mënyrë të fshehtë dhe në një qark të vogël. Kjo prej frikës nga sulmet, gjë që kurrësesi nuk është ogur i mirë për të ardhmen e Irakut dhe as për rezultatin e një politike pushtuese me pasoja të rënda të SHBA. Frika dhe dhuna dominojnë këtë vend të karakterizuar prej dy rrymave që aktualisht është bërë shkrumb e hi. Sa i përket rindërtimit ende nuk ka asnjë shenjë. Edhe sovranetiteti që po u premtohet tani irakianëve është një farsë. Pushteti ushtarak dhe ai ekonomik mbeten në duart e sulmuesve dhe në një hapësirë pa ligje, sepse qytetarët amerikanë janë të mbrojtur nga ndërhyrja e gjyqeve irakiane. Vazhdimi i pushtimit me një etiketë tjetër do ta diskretitojë shpejtë edhe qeverinë e re."

Në gazetën "Frankfurter Rundschau" lexojmë:

"Problemet e Irakut mund t´i zgjidhin vetëm irakianët. Për këtë atyre u duhet sovraniteti. Jo vetëm në letër, por edhe në jetën e përditshme. Forcimi dhe respektimi i këtij sovraniteti është ndihma më e mirë që mund t´i japë tani bota Irakut. Por nëse SHBA, Britania e Madhe dhe aleatët e tyre të luftës de facto vazhdojnë të paraqiten si pushtues, atëherë të gjitha shpresat do të shuhen shpejt. Ndarja e punës mes qeverisë, që organizon procesin politik dhe një fuqie të huaj ushtarake që vepron sipas përfytyrimeve të veta, nuk i lë aspak hapësirë zhvillimit paqësor."

Në të njëjtin kontekst e përdisthmja "Die Welt" shton:

"Sovran është ai që vendos mbi gjendjen e jashtëzakonshme. Vërtetë sovran, sipas historianit Karl Shmit, është vetëm ai që është në gjendje ta shfuqizojë shpejt gjendjen e jahstëzakonshme. Në mënyrë që të ndodhë kjo qeveria e tranzicionit duhet të bëjë atë që kanë lënë pas dore që në fillim forcat e koalicionit: afrimin e klerikëve sunitë dhe të të moderuarve të lëvizjes Bat, pra pikërisht atyre forcave në radhët e kryengritësve, të cilat, mendojnë se sulmet e ditëve të fundit e kanë tejkaluar cdo cak. Me ajatollahun e madh Sistani, kemi të bëjmë me rastin e parë të një mullahu në rajon që toleron paralelisht edhe një pushtet sekularist, të cilit madje ai i ka dhënë edhe bekimin. Kjo duhet shfrytëzuar dhe do ta bëjë efektin e vet."

Komenantori i gazetës "Saarbrücker Zeitung" arrin në përfundimin:

"Pavarësisht nga të paprituart nuk ka alternativë vec dorëzimit të sovranitetit. Por tani sa më shpejt që të jetë e mundur duhet të pasojanë zgjedhjet e lira dhe të fshehta, në mënyrë që "pamjes irakiane" t´i shtohet edhe legjitimiteti demokratik. Pushtetarët e rinj në vendin e lumit Tigër nuk i bëjnë asgjë të mirë vetes nëse fillojnë që tani të spekulojnë për shtyrjen e zgjedhjeve të planifikuara për vitin 2005. Me këtë ato vetëm sa inkurajojnë forcat, të cilat qeverinë e tranziconit e konsiderojnë si një kukull të Uashingtonit. Për një afat të mesëm do të jetë e pashmangshme që OKB-ja dhe organizatat shumëkombëshe të involvohen në ndërtimin e Irakut të pasluftës. I nevojshëm është ndërkombëtarizimi i vërtetë i trupave mbrojtëse me një rol kyc për njësitë nga vendet myslimane."