1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të Gjermanisë

28 Maj 2004

Tema kryesore e komenteve në shtypin e Gjermanisë është sot rasti i udhëheqësit islamist Metin Kapllan, i cili pas një dënimi me kusht është zhdukur pa lënë gjurmë. Kjo u zbulua vetëm pas urdhërarrestit për ekstradimin e tij në Turqi. Në paqsqyrën e shtypit veçojmë edhe komente lidhur me misionin e Bundesverit në Kosovë, pas zgjatjes dje edhe me një vit të mandatit nga Bundestagu.

https://p.dw.com/p/As0G

Farsa administrative dhe juridike në rastin Kapllan ka ndezur një debat të zjartë në qarqet e drejtësisë dhe të policisë në Gjermani. Mbi këtë temë e përditshmja "Meinheimer Morgen" shkruan:

"Kalifi i Këlnit Kapllan del në ilegalitet, si rjedhojë drejtësisë i duhet të shfuqizojë urdhërarrestin dhe të ndërpresë hetimet, kjo vetëm për arësyen se qyteti nuk e ka bërë si duhet detyrën e tij... Pavarëssiht nga fakti, se kur do të ekstradohet Kapllani, dilentatizmi në këtë rast tregon edhe një herë, se nuk mungon ashpërsia e ligjit, por mungon efektiviteti në zbatimin e tij... Në cështjen Kapllan autoritetet dhe policia janë treguar neglizhente deri në naivitet."

Në mënyrë të ngjashme komenton edhe gazeta "Rheinpfalc" që botohet në Lundvighafen:

"Në rastin e Kapllanit në mënyrë ekzemplare u dëshmua, se boshllëqet në sistem që shfrytëzohen prej islamistëve në Gjermani nuk kanë të bëjnë me ligjin, por me qëndrimin e papërgjegjshëm të autoriteteve ndaj personave që "paraqesin rrezik".

Komentatori i "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shprehet me nota ironike:

"Të bëhet c´të bëhet, është një nga shprehjet elektorale të natyrave gazmore nga zona e Rinit. Por në rastin e Kalifit të Këlnit kjo shprehje mund të përkthehet në: secili le të shkojë ku t´i dojë qefi. E këtu nënkuptohet edhe një ekstremist i kalibrit të Kapllanit. Nëse kjo nuk është tragjike, atëherë është për të qeshur. Por në këtë mënyrë farsa shndërrohet në skandal. Cështja Kapllan provon mësë miri se si ai që është i interesuar mund ta heqë nga hunda shtetin gjerman të së drejtës. Një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet më kurrë."

Kalojmë në temën e dytë lidhur me misionin e ushtrisë gjermane në Kosovë. Në shumë gazeta të sotme u kushtohet vëmendje diskutimeve të zhvilluara dje në Bundestag, vecanërisht lidhur me debatin mbi akuzat për keqtrajtime të kryera nga ushtarët gjermanë në burgje në Kosovë. Pothuajse në të gjithë artikujt citohet ministri i mbrojtjes, Peter Shtruk, i cili i hodhi poshtë si të pabazuara këto akuza. E përditshmja Tagesspiegel vendimin e djeshëm të Bundestagut për shtyrjen edhe një vit të mandatit e komenton nën titullin "Të lodhur në Ballkan". Autori shtron pyetjen, se vërtetë u zgjat mandati i Bundesverit, por ku janë perspektivat për Kosovën? Më tej citojmë:

"Sytë e të gjithë të përfaqësuar prej kamerave televizive janë fokusuar aktualisht tek Afganistani, Bagdati e ndoshta së shpejti edhe në Sudan. Ndërkohë që fakti se këtu në mes të Evropës bubullin një konflikt i madh ende i pazgjidhur, na tërheq vëmendjen vetëm pas traziarve si ato të marsit në Kosovë. Ky kapitull i historisë botërore ka marrë tashmë një emër: diplomatët dhe ushtarakët bëjnë fjalë për "lodhje ballkanike". E gjitha kjo nuk do të ish aq tragjike, nëse do të kish shpresa për një zgjidhje brenda një kohe të pranueshme të konflikteve ballkanike. Por në horizont nuk ka asnjë kontur shprese, përkundrazi". ...Autori i "Tagesspiegel" arrin në përfundimin, se "Ballkani, ky kontinent i vogël i rraskapitur dhe i harruar, në prag të portës sonë, ka nevojë për një perspektivë. Lodhja jonë ballkanike nuk është ndonjë vuajtje dosido, por një sëmundje e rezikshme. Kjo sëmundje ngjitet dhe përgjumet. Ndoshta dremitja
është komode, por zgjimi prej saj mund të jetë tronditës."

Gazeta zvicerane "Neue Zyrher Zeitung" boton sot një dosje speciale mbi Tribunalin e OKB-së në Hagë për krimet e luftës në Ish-Jugosllavi. Në këtë artikull botohen pjesë nga libri i gazetares dhe shkrimtares kroate Sllavenka Drakulic. Ajo gjatë pesë muajve të proceseve në Hagë ka vëzhguar qëndrimin e të akuzuarve në kabinën e xhamit që i izolon ata prej të pranishmëve në sallë. Për pasqyrën e shtypit vëcojmë këtë konstatim:

Jugosllavia e cuditshme në miniaturë, ky është titulli i nënkapitullit: "Të akuzuarit nga Tribunali i Hagës ndodhen në burgun e hetuesisë në Shevengingen të Hollandës. Kroatë, serbë e myslimanë jetojnë këtu së bashku, sic duket me dëshirën e tyre, e kjo pasi ata kanë luftuar kundër njëri-tjetrit. "Papritur tek këta nuk gjen më asnjë gjurmë nga nacionalizmi" që shkatërroi të gjithë vendin. Në Sheveningen ekziston ende një Jugosllavi në miniaturë, Jugosllavia e vjetër e "vëllazërimit dhe unitetit", pra mund të thuash një bashkëekzistencë paqësore, pavarësisht nga dallimet etnike dhe pikepamjet e ndryshme, gjë për të cilën endërrojnë bashkëatdhetarët e të akzuarve në vendin e tyre" kështu e mbyll librin e saj autorja kroate Drakulic.