1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të Gjermanisë

13 Maj 2004

Në komentet e shtypit të Gjermanisë i kushtohet vëmendje e vecantë sot fjalimit të presidentit Johanes Rau në Berlin. Ky ishte fjalimi i fundit i presidentit Rau, i cili nuk do te rikandidojë për postin në zgjedhjet presidenciale që zhvillohen së shpejti. Temë mjaft e trajtuar në shtyp është edhe gjendja në Irak.

https://p.dw.com/p/As0Z

Në gazetën e Mynihut "Süddeutsche zeitung" lexojmë:

"Fjalimi i presidentit ishte finalja e një sërë fjalimesh të mëdha, ishte rezymeja brilante e jetës së një politikani, amaneti i një presidenti, për të cilin kish rëndësi pajtimi dhe që në fund të mandatit konstaton, se vendi është i papajtueshëm me vetveten: Gjermania është bërë armiku i vetvetes, vendi nuk ka besim tek vetja dhe lufton vetveten."

Gazeta "Kölner Stadtanzeiger" shprehet me tone kritike:

"Me Raun nga posti i presidentit largohet një personalitet që
është skeptik ndaj kërkesës për më shumë përgjegjës individuale të njerëzve. Shteti për të vazhdon të ketë funksionin mbrojtës për individin madje edhe kundrejt interesave ekonomike. ... Ndoshta tek Rau më shumë se tek cdo politikan tjetër ndjehet socializimi politik i një kohe tjetër."

Komentatori i së përditshmes "Thüringer Allgemeine" që botohet në Erfurt konstaton:

"E c´vlerë ka që të largohesh nga posti duke mbyllur me forcë derën e kështjellës? E rëndësishme është që të vlerësohen seriozisht pikëpamjet e shpalosura nga presidenti në kohën kur mori postin. ... Sot pothuajse askush nuk i mban mend fjalimet e tij të mëparshme për globalizimin apo teknologjinë gjenetike."


Ndryshe argumenton gazeta "Leipziger Volkszeitung":

"Në fund Johanes Rau ia doli mbanë: ai largohet nga posti i presidentit me një zë që tërheq vëmendjen dhe nuk pajtohet me frymën depresive të shoqërisë dhe të individë që duan ta nxijnë realitetin, të atyre që vuajnë nga makthi për të blerë aksione në bursë, apo cinikëve. Rau me fjalimin e tij u ka prekur thembrën e Akilit të gjithë atyre që përpiqen ta shfrytëzojnë për përfitim privat, për pushtet dhe vetëm për pushtet politikën, ekonominë dhe shoqatat."

Kalojmë në temën ndërkombëtare, gjendja në Irak.
E përditshmja "Die Welt" që botohet në Berlin lidhur me vrasjen e shtetasit amerikan shkruan:

"Filimisht u shfaqën fotografitë për keqtrajtimet dhe më pas videokaseta që tregon se si i pritet koka një amerikani. Pamjet e tmerrshme pasohen nga skena edhe më të tmerrshme dhe ne konsumuesit e medieve mendojmë, se këtu kemi të bëjmë me një kontekst moral. Por një gjë e tillë nuk ekziston: Kafshëria e terroristëve nuk është pasojë e sadizmit në burgun Abu Graib. Kohë përpara se të bëhej e ditur kjo, kufomat e amerikanëve janë varur nëpër ura. ... Terroristët nuk kanë nevojë për arësye morale, sepse ato nuk kanë moral."

Gazeta "Westdeutsche Allgemeine Zeitung" që del në qytetin e Esenit analizon.

"Ka të drejtë kushdo që duke parë skenat e torturave kujton Mesjetën. ... Ne po përjetojmë një prapaktheu në epokën paramoderne: në privatizimin e luftës. Nëse fusha e betejës u lihet cetnikëve dhe mercenarëve atëherë kemi hequr dorë nga pushteti i shtetit. ... SHBA në "luftë kundër terrorit" donin të eliminonin frenuesit e bezdishëm që kontrollnin duke bërë që të krijohen kështu zona pa ligj. Dhe ky është ndoshta njëri prej gabimeve më të mëdha dhe më me pasoja që kanë bërë amerikanët."

Së fundi edhe një citat shkëputur nga artikulli i "Berliner Zeitung":

"Katastrofa morale që po përjeton gjatë këtyre javëve qeveria e SHBA ka shumë aspekte. Njëri prej tyre ka të bëjë me zëdhënësin e shtëpisë së bardhë, i cili vrasjen e Nik Berg e komentoi me fjalët: "ata nuk kanë respekt për jetën e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm." Katastrofa qëndron këtu, se cdo qytetar irakian do t´i konfirmonte këto duke thënë të njëjtat fjalë. Por këtyre të fundit as që do t´u shkonte mendja tek terroristët, por tek ushtarët amerikanë e britanikë."