1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të Shqipërisë

Ani Ruci16 Janar 2004
https://p.dw.com/p/As2w
Gazeta "Koha Jonë" e cilëson të papritur dhe tronditëse deklaratën e mbrëmshme në Parlamnet të kryetarit të PSD, Skënder Gjinushit, aleat me socialistët në qeverine e rikompozuar të kryeministrit Fatos Nano, për dorëheqjen e këtij të fundit. Sipas Gjinushit, të cituar sot nga kjo gazetë, kryeministrit nuk i falet kthimi në atdhe dy ditë pas tragjedisës së 9 janarit në ujrat e detit Jon.

Gazeta " Koha Jonë" boton sot fjalën e nënkryetares demokrate të parlamentit, Jozefina Topalli,mbajtur mbrëmë në parlament nën titullin "Joni nuk është për t´u populluar me kufoma" Gazeta" Koha Jonë" boton edhe një artikull ku përpiqet të bëjë të njohura arësyet pse shoqëria shqiptare prodhon kaq shumë emigrantë. " Shqipëria ndodhet në një situatë ekonomike e cila prodhon papunësi gjithnjë e më të madhe dhe nxjerr në breg fuqinë e punës. Në këto kushte askush nuk duhet të habitet pse atyre shqiptarëve që nuk u propozohet asgjë dalin në breg të detit për të kërkuar "mjetin" më të parë drejt bregut tjetër," shkruhet ndër të tjera në këtë artikull. Gazeta"Korieri" konsideron "Ngjarje dite" sulmin e ashpër të kryeministrit Fatos Nano ndaj liderit të opozitës Sali Berisha, mbrëmë në seancën e jashtëzakonshme parlamentare. " Një hijenë, një korb i zi që majmet nga vdekja, i denjë për në Gjykatën e Hagës" citon sot kjo gazetë Nanon të ketë thënë për Berishën. Gazeta"Korieri"citon sot deputetët e opozitës ta kenë akuzuar mbrëmë kryeminsitrin Nano për përfshirje në ngjarjen e 9 janarit dhe për lidhje me trafikantët. Gazetat "Korieri" boton sot si lajm kryesor edhe urdhën e fundit të presidentit amerikan Xhorxh W. Bush për ndalimin e hyrjes në SHBA të personave që kanë pëfituar nga korrupsioni në kryerjen e funksioneve publike. Gazeta citon deklaratën e ambasadës amerikane në Tiranë sipas së cilës " ajo do të bashkëpunojë ngushtë dhe në mënyrë agresive me qeverinë e Tiranës pë të zbatuar këtë politikë të re të dhënies së vizave."

Duke mbetur në temën kryesore të shtypit të Tiranës, mocionit të mosbesimit ndaj kryeministrit Nano dhe seancës së mbrëmshme, të jashtëzakonshme, parlamentare, gazeta "Albania" boton sot kryeartikullin "Njerëzit dhe krokodilët" ku opozita cilësohet po kaq fajtore sa edhe qeveria që shqiptarët vazhdojnë të bëhen pre e trafikantëve, pasi ajo,sipas gazetës, nuk është e aftë të ndryshojë dhe as të krijojë një alternativë dhe politikë ndryshe.Ndryshimet nuk vijnë kurrë, shkruan sot " Albania" kur pozita dhe opozita ngjajnë me njëra tjetrën. Lotët e politikës për viktimat, gazeta i quan "lotë krokodili."

Gazeta"Shekulli" vlerëson ngjarje dite akuzat e Berishës,liderit të opozitës, ndaj kryeminstrit Fatos Nano,në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të mbrëmjes së djeshme."Përgjegjës kryesot për tragjedinë e 9 janarit të organizuar nga shteti, kryeminstri harxhoi 420mije dollarë për pushimet e dimrit" citon gazeta "Shekulli" Berishën. Kjo gazetë boton sot një opinion në lidhje me zhvillimet më të fundit të ardhura nga ngjarja e rëndë e 9 Janarit, ku sqarohet qëndrimi i lëvizjes "Mjaft" dhe nisma e saj për të zhvilluar sot pasdite, para kryeministrisë një miting proteste, ku do të kërkohet dorëheqja e kryeministrit Nano dhe do t´i bëhet thirrje maxhorancës të gjejë brenda vetes alternativa të tjera për të qeverisur vendin. Lëvizja "Mjaft" nuk e gjen veten të gatshme dhe të prirur për t´u identifikuar me politikat aktuale opozitare. Për herë të parë sot shqiptarët thirren për të protestuar për qëllime politike nga një ent jopolitik si Lëvizja "Mjaft" thekson "Shekulli."

Një temë tjetër e trajtuar sot në shtypin e Tiranës është ecuria e operacionit policor "Rrjeta e hekurt". Gazetat bëjnë të ditur se jane bllokuar 40 prona të personave për të cilët dyshohet se kanë lidhje me trafikantët dhe janë bllokuar 50gomone dhe skafe, si edhe dy punishte për prodhimin dhe riparimin e tyre.