1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasuritë e patundshme dhe zgjedhjet në SHBA

Simone Mir Hashemi3 Mars 2008

Në zgjedhjet preliminare për kandidatët për president të SHBA, një rol të veçantë do të luajë kriza e pasurive të patundshme. Votuesit duan një president, i cili sjell më shumë siguri.

https://p.dw.com/p/DHEs
SHBA: tabela shitjeje të shtëpive pas krizës së pasurive të patundshme
SHBA: tabela shitjeje të shtëpive pas krizës së pasurive të patundshmeFotografi: AP
"Duhet të nxirren ligje të reja, për atë se çfarë u lejohet të bëjnë sipërmarrësve të ndërtimeve, për përllogaritjen e shpenzimeve, për çmimet e trojeve e kështu me radhë." Joi Beacham shpreson se ligje të tilla mund t'i nxjerrë Barack Obama. Prandaj ajo ka vendosur të punojë vullnetarisht në shtabin e tij zgjedhor në kryeqytetin e Ohajos, Kolumbo. "Me të vërtetë është dëshpëruese, sepse ne jemi njerëz të mirë dhe mundohemi sa mundemi, punojmë shumë", thotë ajo. Megjithatë nuk ka mjaftuar: shtëpia e blerë para tre vitesh e Joi Beacham dhe familjes së saj u nxor me detyrim në ankand. Ata jetojnë tani me qira në një banesë të vogël. Joi mendonte se llogaritë e bëra prej bankave dhe tregtarëve të pasurive të patundshme, ishin në rregull. "Ne mund t'i strukturojmë financat tuaja në mënyrë që ju mund ta bleni shtëpinë. Dhe të thonë edhe gjëra si: "Ju jeni afro - amerikanë, e ne duam që sa më shumë të tillë të kenë shtëpitë e tyre dhe jo të banojnë me qira", thoshin ata. Edhe unë shpresoja realizimin e ëndrrës amerikane...", ankohet Joi. Endrra e saj amerikane nënkuptonte pagesën e hipotekave në vlerë prej 1.100 dollarësh në muaj, për të cilën nuk e kishte njoftuar askush. Kur burri i Joit humbi punën, ata u përpoqën të shesin shtëpinë, por më kot. Shtëpia u nxorr me detyrim në ankand. Vullnetarët e tjerë në shtabin e Obamës nuk dinë asgjë për këtë problem, sepse Joi ka turp t'u tregojë. Paul Haggart, i cili udhëheq një organizatë, që kujdeset për të dëmtuarit nga kriza e pasurive të patundshme, mendon se kjo është shumë tipike. "Çështja e financave është punë private. Njerëzit nuk e dinë fare me kë duhet të flasin për këto gjëra. Ata kanë frikë të flasin me kredidhënësit. E kanë vështirë të kërkojnë ndihmë, në veçanti nëse nuk e dinë nëse mund t'u besojnë besojnë bashkëbiseduesve", shpjegon ai. Kriza në veçanti e ka goditur Klevlandin (Cleveland), qytetin e dytë më të madh në shtetin e Ohajos. Me lagje të tëra janë shitur me detyrim. Joi e ka shumë të vështirë të jetojë në banesën e tanishme të vogël. Ajo shpreson se me fitoren e Obamës do të zgjidhen më lehtë problemet e tyre. "Ato që Obamën e bëjnë të veçantë janë vizioni i tij i jashtëzakonshëm dhe vendosmëria për realizimin e qëllimeve. Ai e shfrytëzon shpresën si mjet për të vënë gjëra në lëvizje. Prandaj në fushatën e tij janë përfshirë të gjithë: të rinj, të vjetër, të zinj dhe të bardhë. Të gjithë ata punojnë së bashku, sepse shpresojnë një të ardhme më të mirë", pohon ajo.