1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Patriotizmi në Gjermani & Rritja e tvsh-së

17 Qershor 2006

Ndër temat që komentohen në shtypin e sotëm veçojmë diskutimin e hapur në Gjermani lidhur me patriotizmin. Nën ethet e Kampionatit Botëror të Futbollit flamuri gjerman po përdoret si asnjëherë tjetër si simbol masiv. Me tone kritike në shtyp analizohet sot kalimi i ligjit në Bundestag dhe në Këshillin Federal për rritjen e taksës mbi vlerën e shtuar.

https://p.dw.com/p/ArpO
Faqja internetit e Gjermanisë
Faqja internetit e Gjermanisë

Në gazetën "Reutlinger General Anzeiger" lidhur me patriotizmin lexojmë: "Gjermania po ngre flamurin. Gjermanët po tregohen gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit në vendin e vet si mikëpritës të mirë, dhe si asnjëherë tjetër qysh pas Luftës së Dytë Botërore kanë krijuar një marrëdhënie te çlirët me ngjyrat dhe simbolet kombëtare. Ne po përjetojmë me kënaqësi shfaqjen e patriotizmit të ri. Por ky patriotizëm është paqësor, i gëzueshëm, i larmishëm dhe as që ka të krahasuar me shovinizmin e marrë të neonazistëve. Ky patriotizëm nuk është i urdhëruar nga shteti dhe motivi i tij s´është politik, pikërisht këtu qëndron domethënia pozitive në aspektin e politikës shoqërore. Kampionati Botëror i Futbollit nuk e shmang përgjegjësinë tonë historike, por ai shënon kthimin e gjermanëve tek normaliteti paqësor kombëtar dhe tek identiteti, që është i vetëkuptueshëm për shumicën e popujve", komenton "Reutlinger General Anzeiger".

Në të njëjtën linjë edhe komenti i "Westfälische Nachrichten" që del në Mynster: "Ky pohim kolektiv s´ka të bëjë me gjermanomaninë e radikalëve të djathtë, dhe as me dehjen e rrezikshme nacionaliste. Kjo për arësyen se ky pohim i vetvetes drejtohet nga brenda, bën reklamë për identitetin vetiak pa iu kundërvënë atij tjetrit. Gjermanët po festojnë ashtu si dhe mysafirët e tyre që në mënyrë mëse të vetëkuptueshme kanë sjellë me vete në valixhe edhe flamurin e tyre kombëtar për botërorin 2006. As kapitujt më të tmerrshëm të historisë gjermane nuk na detyrojnë që të kemi vazhdimisht ndjenjën e rëndë kombëtare. Ngjyrat e flamurit zi, kuq, verdhë simbolizojnë Gjermaninë e konsoliduar demokratike dhe të hapur ndaj botës. Festa popullore e futbollit po e shijon plotësisht këtë", shkruan "Westfälische Nachrichten".

Edhe një vlerësim nga gazeta "Pforzheimer Zeitung": "Avantazhi që ka kjo ndjenjë e re e krijuar është: se të qenit gjerman këtej e tutje s´mund të pretendohet eksluzivisht vetëm prej radikalëve të djathtë, kur këtë e pranojnë si ndjenjë të përbashkët pjesë të tëra të popullsisë. Ndërsa flamuri gjerman më fort se deri më sot do të bëhet simboli demokratik", nënvizon "Pforzheimer Zeitung".

Lidhur me rritjen me 3% të taksës mbi vlerën e shtuar artikujt e publikuar në numart e sotëm janë mjaft kritikë. Veçojmë një citat nga e përditshmja "Express" e Këlnit: "Pas Bundestagut edhe Bundesrati, Këshilli Federal, i dha bekimin grabitjes më të madhe të të gjitha kohërave të taksave. Më kot shpresuam që princat e landeve do të tregonin pak shtyllë kurrizore, fjala është këtu pikërisht për ata kryeministra që me zhurmë e kundërshtonin rritjen e tvsh-së para katër muajve. Por të gjitha i kanë harruar tani, ashtu si edhe paralajmërimet e ekonomisë për pasojat e rënda ndaj koniukturës. Gjithnjë e më shumë po duket se zelli i koalicionit të madh (kristiandemokrat - socialdemokrat) dhe shumica e princave të landeve po rraskapiten në vorbullën e spirales së taksave dhe shpenzimeve. Ndërkohë fare pak po bëhet fjalë për kursime të shpenzimeve, ose për shkurtimet masive të subvencioneve. E nëse vet ministri i financave Shteinbryk ankohet, që koalicioni i madh po shfaq një profil të dobët në opinion, atëherë s´kemi përse të habitemi", komenton gazeta bulevardeske "Express".

"Berliner Kurier" shkruan: "Tre përqind taksë shtesë! Ansjëherë s´ka ndodhur një gjë e tillë. Me këtë rritje të tvsh-së kancelarja Angela Merkel jo vetëm ka bërë gabimin e saj të parë, por ky është gabimi më i madh i saj. E kundërta do të kish qenë më e mira: ulja e taksave për ne qytetarët, në mënyrë që të kemi më shumë para në xhep dhe të blejmë më shumë. Kështu do të mbusheshin edhe arkat e zbrazura të ministrit të financave. Edhe shokëve socialdemokratë duhet t´u vijë turp. Në luftën elektorale ata thërrisinin fuqishëm kundër zonjës Merkel. Ndërsa tani ata ngritën dorën për të votuar. Ju paralajëmroj, se zgjedhjet e tjera do të vijnë shumë shpejt", vëren "Berliner Kurier".