1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pavarësia jo këtë vit

13 Dhjetor 2007

Zhvillimet e brendshme në Serbi nuk duhet të lidhen me çështjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës, thotë Prishtina zyrtare. Kosova duhet të bashkërendojë veprimet me bashkësinë ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë

https://p.dw.com/p/CbCW
Prishtinë, 2007
Prishtinë, 2007Fotografi: picture-alliance/ dpa

Udhëheqësit politik të institucioneve të Kosovës, thonë se zhvillimet e brendshme në Serbi nuk duhet të influencojnë çështjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Autoritetet serbe shpallën datën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Serbi, më 20 janar të vitit të ardhshëm. Disa qarqe të bashkësisë ndërkombëtare kanë kërkuar nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, që të mos shpallin pavarësinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në Serbi, në mënyrë që mos t`u jepet rast për fitore të mundshme forcave radikale serbe. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, thotë se Prishtina zyrtare do të bashkërendojë veprimet me bashkësinë ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë, dhe orientimet nuk do t`i bazojë në zhvillimet serbe.

Sidoqoftë, autoritetet kosovare duket se janë pajtuar me kërkesën që këtë vit të mos ketë vendim për pavarësinë e Kosovës. Ata presin zhvillimet në KS-it, sidomos në seancën e 19 dhjetorit, kur do të debatohet raporti i treshës së Grupit të Kontaktit, për rrjedhën e bisedave Prishtinë- Beograd. Për shefin e UNMIK-ut, Joakim Rycker kjo seancë është shumë e rëndësishme. "Mendoj se kjo seancë do të jetë shumë e rëndësishme sepse aty do të shihen konkluzionet që do të nxjerrë KS-it, për raportin e treshës së Grupit të Kontaktit, për rrjedhën e bisedave shtesë Prishtinë-Beograd të cilat zyrtarisht përfunduan më 10 dhjetor," thotë Joakim Rycker. Ai konfirmoi se gjatë raportimit të tij në KS-it, do të marrë pjesë edhe presidenti të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe i mandatuari për krijimin e qeverisë së re kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi. Pala kosovare nuk do të ketë të drejtë fjale.