1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

PD-PS në bisedime direkte - Përpjekje për kapërcimin e ngërçit politik

16 Korrik 2010

Hapja e bisedimeve direkte mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve të kaluara është në qendër të axhendës politike në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/ONGY
Qendër votimi në Tiranë, 2009.
Zgjedhjet parlamentare të 2009 - mollë sherri mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri.Fotografi: AP

Dy partitë kryesore politike kanë bërë publike ato elementë të raundit të parë negociatave ku ndajnë të njëjtin mendim: të ngrihet një komision i ri hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009; shumicën e anëtarëve të komisionit dhe drejtimin ta ketë opozita.

Por dakordimi për këto aspekte formale duket si i papërfillshëm po të kemi parasysh se demokratët dhe socialistët janë po aq larg sa në kulmin e krizës politike kur është fjala për objektin e punës së komisionit hetimor.

Për PD objekti do të përfshijë vetëm materialet zgjedhore, që e thënë me thjeshtë janë: listat e votuesve, procesverbalet për votimin, pjesëmarrjen, numërimin etj. Kurse socialistët thonë që krahas tyre të përfshihen dhe kutitë e fletëve të votimit. Pra që të ketë në thelb një rinumërim të tyre. Ky ka qënë dhe argumenti kyç i tyre gjatë një viti: në valën e protestave e kontestimeve, bojkotit ndaj parlamentit, grevës së urisë, apo dhe në deklaratat aktuale në punimet e parlamentit.

Reagimet e socialistëve shihen me mjaft rezerva nga nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka. Ai thotë për Deutsche Wellen se nga ana e socialistëve nuk po lexohet drejt rezoluta e fundit e Parlamentit Europian.

Edi Paloka nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Edi Paloka nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.Fotografi: DW

“Kemi të bëjmë me një qëndrim paksa të çuditshëm. Pranohet rezoluta, por nuk pranohet ajo që thotë rezoluta. Do të ishte më e ndershme që PS të deklaronte se ne nuk e pranojmë këtë rezolutë dhe kërkojmë hetimin e plotë dhe numërimin e fletëve të votimit. Por jo të thuhet se pranojmë rezolutën se ajo thotë që mund të numërohen fletët e votimit, gjë që nuk është e vërtetë. Pra duke patur parasysh këtë fakt nuk jam shumë optimist se do të arrihet ndonjë marrëveshje. Megjithatë nuk dua t'ua pres hovin negociatorëve. Uroj që të bien në një marrëveshje.”

Nënkryetari i deputetëve demokratë Edi Paloka thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte që Partia Socialiste t'i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të marrë opinion nga Komisioni i Venecias për këtë çështje.

Nga ana e tij nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, shikon si pozitive në fillimin e dialogut Patozi – Ruçi, faktin se kjo është rruga drejt transparencës së zgjedhjeve. Kjo ka qënë një kërkesë permanente e opozitës në 12 muajt e fundit dhe mazhoranca u ul në bisedime nga presioni i faktorit ndërkombëtar, thotë Tahiri për Deutsche Wellen.

Sajmir Tahiri nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Sajmir Tahiri nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.Fotografi: DW

“Është vetë rezoluta e Parlamentit Europian që i konsideron zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar si problematike dhe si të tilla të hetueshme nga parlamenti. Gjithashtu dikton mazhorancën që të pranojë dhe të lejojë komision hetimor të kërkuar nga opozita, që duhet të hetojë të gjitha aspektet e zgjedhjeve, duke përfshirë këtu materialet zgjedhore, pastaj pse jo të shohim dhe çështjen e fletëve të votimit. Për të gjetur modalitetet që të shkojmë deri tek hetimi i fletëve të votimit, pasi kjo të ketë marrë më parë vendimin e Komisionit të Venecias”.

Fillimi i negociatave Patozi – Ruçi, pavarësisht nxjerrjes në pah të diferencave në qëndrime ka evidentuar një fakt pozitiv. Ulja në tryezë është arritur si rrallë herë në politikën e Tiranës pa nevojën e ndërmjetësimit ndërkombëtar. Por deri në arritjen e një zgjidhje kompromisi faktori ndërkombëtar, sipas analistëve pritet të jetë i pranishëm, si një nxitje që të dyja palët të lëshojnë pe nga qëndrimet aktuale.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e ka konsideruar si një zhvillim pozitiv nisjen e bisedimeve mes PD dhe PS. Elton Tahirllari nga departamenti i marrëdhënieve me publikun citon për Deutsche Wellen ambasadorin Robert Bosch, të jetë shprehur se “më në fund po shikojmë se dy partitë politike po merren me gjëra substanciale. Ne e përgëzojmë nisjen e negociatave dhe urojmë e shpresojmë gjetjen e një zgjidhjeje”.

Njëri nga synimet kryesore të prezencës së OSBE-së në Shqipëri prej 13 viteve ka qënë dhe mbetet ofrimi për institucionet dhe subjektet politike i mbështetjes dhe ekspertizës për reformën zgjedhore, monitorimin dhe përpilimin e rekomandimeve nga ekipet ndërkombëtare të vëzhguesve. OSBE-ja pritet që të jetë aktori kryesor në përmirësimet, që do ti bëhen ligjit aktual zgjedhor, në prag të votimeve për pushtetin lokal që do të mbahen brenda pranverës së vitit të ardhshëm.


Autor: Arben Muka

Redaktoi: Eliana Xhani