1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Petersen sjell në Kosovë mesazhet nga Grupi i Kontaktit

Bekim Shehu10 Nëntor 2005

Rugova vlerëson si korrekte pesë parimet bazë të Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

https://p.dw.com/p/Aqho
Søren Jessen Petersen kthehet nga Nju Jorku
Søren Jessen Petersen kthehet nga Nju JorkuFotografi: AP

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili është kryesues i grupit negociator të Kosovës, i ka cilësuar korrekte parimet bazë të Grupit të Kontaktit, mbi të cilat do të zhvillohet procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës, ndërsa, si pozitive ka vlerësuar edhe qëndrimet e mëhershme të këtij mekanizmi ndërkombëtar për Kosovën. Këtë qëndrim presidenti Rugova, e bëri sot, pas një takimi që zhvilloi me kryeadministratorin e Kosovës, Soren Jesen-Petersen, i cili sapo është kthyer nga udhëtimi i tij në SHBA-së.

Zgjidhja statusit përmes bisedimeve

Grupi i Kontaktit për Kosovën u ka dërguar sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, Këshillit të Sigurimit, Bashkimit Evropian dhe zyrtarëve në Prishtinë e Beograd pesë parimet bazë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Emëruesi i përbashkët i këtyre parimeve është se përparësi e bashkësisë ndërkombëtare do të jetë zgjidhja për Kosovën e arritur përmes bisedimeve.

Në këtë linjë presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, tha se Grupi Negociator i Kosovës është duke vazhduar punën e tij në mënyrë që me zyrtarizimin e fillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës, pala kosovare të jetë gati për tu future në këtë proces. Mirëpo, megjikëtë gatishmëri, presidenti Rugova, vazhdon të kërkojë njohjen e drejpërdrejt të pavarësisë së Kosovës.

Petersen takohet me grupin negociator

Kryeadminisratori i Kosovës, Soren Jesen-Petersen, do të takojë po sot të gjithë anëtarët e grupit negociator të Kosovës për tu përcjellë nga dora e parë mesazhin e Grupit të Kontaktit dhe për të kërkuar unitet në radhët e grupit të Kosovës. Takimi i fundit i këtij grupit ishte pak më i relaksuar. Nuk u shënuan shumë mospajtime krahasuar me takimet e shkuara, ndërsa, ata formuan një grup politik ku do të përfaqësohen të gjitha subjektet kryesore politike. Ky grup u autorizua që të hartojë menjëherë platformën politike për Kosovën, për shtet të pavarur dhe sovran.