1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pikëllim dhe tronditje pas sulmeve terroriste në Londër

PP7 Korrik 2005
https://p.dw.com/p/Arun
Dhimbje, dëshpërim dhe zemërim pas atentateve të Londrës
Dhimbje, dëshpërim dhe zemërim pas atentateve të LondrësFotografi: AP

Tema që dominon sot mediet gjermane janë goditjet terroriste që tronditën Londrën, të cilat u shoqëruan me të vrarë dhe të plagosur.

"Pa marrë parasysh asgjë, familje krejtësisht të pafajshme mbulohen sërish prej dhimbjes, dëshpërimit dhe zemërimit" - shkruan gazeta "Mannheimer Morgen". Kemi të bëjmë me një ndjenjë mes urrejtjes dhe një ftohtësie ndjenjash, që lë pas dëshpërimi. Falë mjeteve moderne të komunikimit pamjet e tmerrit u përhapën rrufe në të gjithë botën. Dhe pikërisht për këtë rreziku konsiderohet prej shumë njerëzve si i gjithëpranishëm kudo. Dhe ky rrezik nuk mund të pengohet, kur kemi të bëjmë me njerëz të verbuar prej indoktrinimit dhe para së gjithash me fanatikë të vendosur, të cilët pa i dhënë asnjë rëndësi jetës së tyre, përhapin vdekje dhe shkatërrim në radhët e njerëzve të pafajshëm."

Gazeta "Landeszeitung" që botohet në Lüneburg shkruan:

"Strategjia e terroristëve që luftojnë për besimin ka si synim të tërheqë sa më tepër vëmendjen e medieve. Sulmet e Londrës kishin në shënjestër vasalin besnik të Bushit, Tony Blair. Ato donin t'u demonstronin të fuqishmëve të G-8 pazotësinë e tyre dhe të përhapinin frikë në qytetin e ardhëshëm të Lojrave Olimpike. Mbetet të diskutohet nëse luftrat kundër shteteve janë mjeti i drejtë për të luftuar terrorin. Mjetet policore duket se janë më të efektshme. Islamistët duan t'i frikësojnë shtetet e kryqëzatave, që janë angazhuar ushtarakisht në Irak dhe Afganistan. Në këtë mënyrë edhe Gjermania po i afrohet shenjestrës së vrasësve një vit përpara zhvillimit të kampionati botëror të futbollit. Të kthesh kokën mënjëanë kundrejt dhunës do të ishte tradhëti ndaj vlerave të demokracisë. Lufta ndaj terrorit është e vështirë për t'u fituar, por ajo gjithsesi duhet zhvilluar, ama ndryshe nga deri tani.


Ndërsa në gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung" lexojmë:

"Duket si një cinizëm i rastësisisë që qyteti, që një ditë më parë brohoriste për fitoren në garën e qyteteve, ku do të zhvillohen Lojrat Olimpike 2012, sot është mbuluar nga tmerri, dhimbja dhe pikëllimi. Por nuk është rastësi që objektiv i sulmit terrorist ishte pikërisht Londra. Në këtë qytet shumëkombësh nuk kanë selinë e tyre vetëm shumë banka dhe koncerne ndërkombëtare, por kanë përfaqësitë e tyre edhe thuajse të gjitha grupimet radikale islamike. Disa prej tyre madje krejt zyrtarisht, edhe pse në shumë raste lidhjet me skenën terroriste në rajonin e Lindjes së Mesme janë krejt të dukshme. Meqenëse se kryeministri britanik Blair është aleati më i ngushtë i Amerikës në Irak, Londra kishte kohë që ishte ndër të parat në listën e qyteteteve të kërcënuara prej terrorit islamik."

Gazeta "Këlner Stadtanzeiger" e përqëndron vështrimin në rrezikun që kërcënon vende të tjera pas ngjarjeve të Londrës. Citojmë:

"Në letra që marrin përsipër autorësinë e atentateve të Londrës shpallen edhe emrat e qyteteve të tjera të cilat do të bëhen pre e sulmeve: e pikërisht Italia dhe Danimarka, ndërkohë që përmenden edhe të gjitha qytetet e tjera të cilat janë angazhuar ushtarakisht në Irak dhe në Afganistan. Pra edhe në Gjermani nuk ka pse ndokush të këtë iluzione. Lufta për një botë pluraliste, të lirë dhe tolerante do të vazhdojë për vite të tëra dhe do të vazhdojë të kushtojë vazhdimisht një numër të madh viktimash. Në rast se pritet që kjo luftë të përfundojë me fitore, atëhere duhet të zhvillohet ndryshe nga lufta në Irak. Pra me mjetet e duhura ndaj armikut të vërtetë dhe jo si një luftë ndaj disa njerëzve të shpallur në çfarëdolloj mënyre si terroristë apo armiq, ose ndaj botës muslimane. Ajo duhet të zhvillohet si një luftë ndaj një grupi kriminelësh fanatikë që veprojnë në të gjithë botën, e cila ndjek qëllimet e saj të dëmshme duke shpërdoruar botëkuptimin e një prej feve të botës. Kjo luftë nuk mund të fitohet duke i shpaguar përbuzjet e njerëzve nga njëra palë me shpërbuzje nga pala tjetër si në rastin e Guantanamos, por duke përdorur të gjitha mjetet legjitime qoftë civile, qoftë penale si dhe mjetet e përshtatshme ushtarake, policore dhe ato të shërbimeve sekrete.