1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plan "B" për lindjen e Ukrainës

Roman Goncharenko / E. Xhani5 Korrik 2014

Tanke, obusë, avionë lufte, : me armatime të rënda qeveria në Kiev po përpiqet të dëbojë nga vendi separatistët në lindje të Ukrainës. Objektivi qendror është të mbyllet kufiri me Rusinë.

https://p.dw.com/p/1CW5E
Fotografi: Reuters

Në sfondin e luftimeve të reja në Ukrainën Lindore në Kiev do të ndërrohet ministri i Mbrojtjes. Parlamenti votoi të enjten (03.07.2014) për Valerij Heletej , i cili ishte propozuar më parë nga Presidenti Petro Poroshenko për këtë post. Heletej pason Myhailo Loval, i cili qendroi në detyrë vetëm tre muaj. Me këtë ndryshim presidenti i sapozgjedhur ukrainas forcon ndikimin e tij në qeveri, thonë vëzhguesit në Kiev.

Valerij Geletej u konfirmua si ministër i ri i Mbrojtjes nga parlamenti në Ukrainë.
Valerij Geletej u konfirmua si ministër i ri i Mbrojtjes nga parlamenti në Ukrainë.Fotografi: Reuters

"Unë jam i sigurt se Ukraina do të fitojë", tha Heletej në fjalimin e tij para deputetëve në parlament me rastin e marrjes së detyrës. Ai kërcënoi indirekt Rusinë dhe premtoi të mbajë "paradën e fitores në Sevastopolin ukrainas" në gadishullin e aneksuar nga Rusia, Krime.

Ministri i ri i Mbrojtjes merr drejtimin e dikasterit vetëm pak ditë pasi ushtria ukrainase rifilloi operacionin e saj anti-terror kundër separatistëve prorusë në krahinat Donjeck dhe Luhansk në lindje të vendit. Presidenti njoftoi se tani do të kalohet në një plan "B", pasi armëpushimi dhjetëditor nuk u respektua nga "terroristët". Luftëtarët nuk pranojnë as të dorëzohen dhe as të rikthehen në Rusi.

Luftime në kufirin ukrainas - rus

Hollësitë e planit të Poroshenkos mbahen të fshehta. Ushtria ukrainase së fundi i kërkoi medieve dhe aktivistëve të mos përhapin asnjë informacion për lëvizjet e trupave. Në internet ka pasur kohët e fundit një mori fotografish: tanke, topa, avionë dhe helikopterë. Vetëm pak blogger ishin me sa duket të vetëdijshëm se me ato rrezikojnë ushtarët në mision.

Ushtria ukrainase së bashku me shërbimin e sigurisë dhe policinë duan në radhë të parë të rivendosin kontrollin ndaj kufirit shtetëror me Rusinë, mendon Volodimir Hoerbatsh nga Instituti i Kievit për Bashkëpunim Euroatlantik. "Nga kufiri nuk duhet të hyjnë më mercenarë dhe armë lufte", tha eksperti në një bisedë me Deutsche Welle. Ndërkohë rojet kufitare ukrainase janë rikthyer në njërin nga kalimet e braktisura kufitare në Lindje të Ukrainës. Njoftohet për luftime të vazhdueshme. "Separatistët dhe depot e tyre të municioneve sulmohen në mënyrë masive nga ajri dhe artileria", thotë Horbatsh.

Ushtarët ukrainas do ta përshëndesin rifillimin e luftimeve, theksoi ish-komandanti Petro Nedselski, i cili ka shërbyer më parë në zbulimin nga ajri të Ukrainës. "Ushtarakët ankoheshin se udhëheqja politike është e pavendosur në luftën kundër separatistëve", tha Nedselski. Kjo tani ka marrë fund. "Pasi 27 ushtarë ukrainas u vranë gjatë armëpushimit, u bë e qartë se duhej të veprohej", tha ai për Deutsche Welle-n.

Kritikë ndaj operacionit antiterror

Por ka edhe dyshime sa i takon misionit ushtarak në lindje të Ukrainës. Valentin Badrak, drejtor i Qendrës së Kievit për studime për ushtrinë, nuk përjashton që qeveria në Kiev të mos ketë një plan të qartë për operacionin në lindje. Eksperti është megjithatë optimist: "Shpirti luftarak i trupës po bëhet gjithnjë e më i fortë."

Dmitry Tymtschuk
Dmitry TymtschukFotografi: privat

Një nga kritikët më të ashpër të mënyrës aktuale të veprimit kundër luftëtarëve prorusë është gazetari për ҫështje ushtarake nga Kievi, bloggeri Dmytro Tymtshuk. Operacioni anti-terror faktikisht po drejtohet nga shërbimi i sigurisë dhe jo nga ushtria, shkruante ai në një analizë.

Vec kësaj strukturat e ndryshme të ushtrisë nuk janë fare të koordinuara mes tyre. "Ushtria ukrainase është sot më mirë e përgatitur për një bashkëpunim me ushtrinë e një vendi të NATO-s se sa për një mision të përbashkët me struktura të tjera të armatosura brenda Ukrainës", thotë Tymtshuk. Shkaku: ushtria ukrainase ka zhvilluar për vite me radhë manovra të përbashkëta me trupat e NATO-s por shumë pak me policinë dhe shërbimin sekret të vendit të vet.