1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plan për kthim të përshpejtuar

Anila Shuka, Berlin12 Janar 2006

nga vizita e Petersenit në Berlin

https://p.dw.com/p/Aqgd
Shtajnmajer dhe Petersen në Berlin
Shtajnmajer dhe Petersen në BerlinFotografi: Anila Shuka

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen Petersen i ka premtuar Gjermanisë, se së shpejti do të hartojë një plan për përshpejtimin e kthimit të refugjatëve kosovarë me Duldung. Petersen u takua në mbasdite me ministrin e brendshëm Volfgang Shojble. Sipas zëdhënëses së ministrisë së punëve të brendshme, kristdemokrati Shojble vuri në dukje gatishmërinë e madhe të Gjermanisë për pranimin e tyre në kohën e luftës dhe kërkoi që procesi i kthimit të mos ngecë.

Para takimit, Petersen i pat thënë Dojçe Veles: "E kuptoj që Gjermania po harxhon shuma të mëdha për këtë çështje. Po ne në Kosovë kemi probleme me kapacitetin. Nuk do të na pëlqente të kthehesin njerëzit në mënyrë të pakoordinuar, pra ata duhet të kenë një çati mbi krye." Hollësi rreth propozimeve të Petersenit nuk pati.

Jo fiksime të parakohshme

Paradite Petersen ishte takuar edhe me ministrin gjerman të punëve të jashtme, Frank Valter Shtajnmajer. Në qendër të bisedës ishte zgjidhja e statusit të Kosovës, i tha Dojçe Veles një zëdhënësi i ministrisë. Ministri socialdemokrat Shtajnmajer tha se pret gatishmëri për kompromis nga të gjitha palët. "Duhet të hiqet dorë nga pozicionime të parakohshme, të cilat vetëm sa do ta vështirësonin procesin e zgjidhjes së statusit," – ka thënë kryediplomati gjerman të enjten në Berlin. Shtajnmajer i siguroi Petersenit mbështetje të plotë, siç i deklaroi ky pas takimit programit tonë. "Qeveria gjermane ka interes që kjo çështje të përfundojë sa më shpejt dhe që zgjidhja të jetë e qëndrueshme e të lidhet ngushtë me perspektivën evropiane." Jessen Petersen u shpreh optimist se procesi i statusit do të përfundojë brenda këtij viti.

Protestë kundër transferimit të romëve

Paradite shoqata për popuj të rrezikuar shfrytëzoi rastin vizitës së Petersenit në Berlin për të protestuar kundër transferimit të bujshëm të romëve në ish-kazernat e ushtarëve francezë të KFOR-it. Presidenti i degës gjermane të kësaj shoqate, Tilman Cylh, kritikoi politikën e deritanishme të UNMIK-ut ndaj romëve: "Kjo sigurisht që është shaka, kur ata vazhdojnë të mbeten në një vend të kontaminuar, sepse atyre nuk mund t‘u ndihmohet në aspektin mjekësor. Fakti që UNMIK-u tani u kujtua për t'i furnizuar me fruta dhe perime, është një dëshmi për paaftësinë e tij."

"Shoqata për Popuj të Rrezikuar" kërkon kthimin e romëve në lagjen e tyre në Mitrovicë, ndërsa Petersen është për zhvendosjen provizore në vendbanimin e ri. Edhe Ministria e Jashtme Gjermane, e cila për këtë projekt ka vënë në dispozicion 500 mijë Euro, i tha Dojçe Veles, se këtë zgjidhje e konsideron të përkohshme.