1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plani ynë është realizimi i vetësisë së Kosovës

Fabian Schmidt8 Nëntor 2006

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu flet mbi pasojat që mund të ketë shtyrja e bisedimeve per statusin final te Kosoves, mbi kushtetuten e re dhe zgjedhjet në Serbi, si edhe mbi problemet kryesore me të cilat Kosova lufton ende si problemi i pakicave në vend dhe decentralizimin. Intervistën e zhvilloi shefi i programit shqip të DW-së, Fabian Schmidt

https://p.dw.com/p/ArbN
Fatmir Sejdiu, President i Kosovës
Fatmir Sejdiu, President i KosovësFotografi: AP

Deutsche Welle: Zoti Presidenti, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, ka paralajmëruar se bisedimet për statusin mund të shtyhen për vitin e ardhshëm. Cili është qëndrimi i Grupit Negociator në lidhje me këtë paralajmërim?

Fatmir Sejdiu: Unë paraprakisht mund të them se ndodhemi vërtet në një proces të rëndësishëm, që dëshirojmë ta përmbyllim në mënyrë të suksesshme. Vizioni ynë është edhe vizioni zyrtar i bashkësisë ndërkombëtare, që viti 2006 të jetë edhe viti i përfundimit të këtij procesi. Dhe mendoj se ka arsye të shumta përse duhet të kryhet sa më shpejt ky proces. Së pari mendoj se është një investim i qëlluar dhe me kualitet, pavarësisht nga vështirësitë objektive që kena pasur si bashkësia ndërkombëtare ashtu edhe qytetarët e Kosovës për të arritur në këtë nivel pjekurie, që Kosova mund të veprojë si shtet. Së dyti jemi vërtet të gatshëm që të ecim përpara dhe të kuptojmë veprimet tona në të ardhmen si shtet. Elementi i tretë i rëndësishëm është edhe çështja e hapjes së perspektivës zhvillimore të Kosovës, në kuptim e marrjes së përgjegjësive dhe në aspektin e mundësive të zhvillimit ekonomik. Duke pasur gjithashtu parasysh mundësinë që Kosova të jetë pjesëmarrëse në mekanizmat ndërkombëtare, posaçërisht në mekanizmat monetarë.

Deutsche Welle: Zoti President, në Kosovë janë shtyrë zgjedhjet lokale për shkak të zgjidhjes së statusit. Nga ana tjetër, zgjidhja e statusit të Kosovës mund të shtyhet për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve në Serbi. A nuk ju duket ky një paradoks, që në Kosovë pezullohet një proces demokratik për shkak të një procesi demokratik në Serbi?

Fatmir Sejdiu: Keni të drejtë. Unë kam qenë pjesëmarrës në procesin e përgatitjes për vendimmarrje rreth shtyrjes së zgjedhjeve lokale, që duhet të zhvilloheshin në vjeshtë në Kosovë. Një nga elementet kryesore ka qënë koincidenca e plotë me çështjen e definimit të statusit politik. Sigurisht që kjo do të ishte një bazë jo e arsyeshme e shtyrjes së tyre vetëm se diku tjetër po zhvillohen gjithashtu zgjedhje. Natyrisht që këtu mund të kemi parasysh dy rrafshe themelore që shtrohen ndoshta edhe kundrejt bashkësisë ndërkombëtare. Them se ndoshta këto ditë mund të jepet një shans eventual që Serbia të deklarojë vetëveten në proceset e demokratizimit. Por mendoj se kjo është e gjitha një lojë që udhëhiqet nga ana e Serbisë dhe qëllimi i saj është në esencë, që të bëhet një zgjatje e mëtejshme e procesit.

Deutsche Welle: A mendoni se shtyrja e zgjidhjes së statusit mund të shkaktojë në Kosovë pakënaqësi të qytetarëve, apo ndoshta edhe dhunë?

Fatmir Sejdiu: Mund të them së pari se është përkushtimi ynë, që kjo çështje të zgjidhet sivjet me këto përparësi dhe nevoja që kanë shprehur institucionet e Kosovës dhe delegacioni i Kosovës. Sy dyti besoj se çdo zvarritje mund të shkaktonte vërtet pakënaqësi. Por unë dua të theksoj se ne e mbështesim edhe mendimin e bashkësisë ndërkombëtare për integritetin e plotë të hapësirës së Kosovës, pra flas edhe për pjesë ku ka pasur instalim të strukturave paralele, si për shembull veriu mbi lumin Iber, Mitrovica e Veriut apo edhe pjesë të tjera ku shumica e popullsisë janë serbë. Dhe nevoja e proklamuar nga ana e tyre se mund të ketë lëvzije me potenca separacioni, që shprehen si pakënaqësi e qytetarëve. Për ne është shumë e rëndësishme që parimet e proklamuara nga Grupi i Kontaktit mbi integritetin e plotë të Kosovës, që është një nga parimet themelore, të funksionojë siç duhet. Për ne është shumë e rëndësishme që të ketë një investim ndërkombëtar dhe vendor që të ecim në drejtim të strukturave zhvillimore për ata popullatë, dhe ajo të jetë e integruar në hapësirat e Kosovës dhe në jetën e përditshme politike dhe shtetërore. Për ne është shumë e rëndësishme që këta njerëz të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të mos përdoren si "gogolë të vazhdueshëm" në instrument të Serbisë për një politikë dispresive që bëhet në Kosovë. Për ne është gjithashtu shumë e rëndësishme që Kosova të funksionojë në gjithë tërësinë e saj.

Deutsche Welle: Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të mos merren vendime të njëanshme për statusin final. Ndërkohë nga ana tjetër, në Serbi u miratua kushtetuta, sipas të cilës Kosova është pjesë e Serbisë.

Fatmir Sejdiu: Po, por ky është një hap i njëanshëm dhe një hap që dëshmon se Serbia vazhdon me një politikë të dekadave të mëhershme. Në secilën kushtetutë të saj, që është hartuar vetëm në interesat e veta, ajo ka dashur ta përfshijë dhunshëm po them edhe në këtë formë të agresionit kushtetues edhe Kosovën. Por mendoj se bashkësia ndërkombëtare e ka dalluar se një kushtetutë e tillë, sidomos paragrafi që ka të bëjë me Kosovën, nuk i kontribon as stabilitetit të përgjithshëm politik dhe shpirtënor të Serbisë dhe nga ana tjetër nuk do të kete sigurisht efekt politik apo juridik në Kosovë.

Deutsche Welle: A nuk ju duket se bashkësia ndërkombëtare në këtë rast po praktikon standarte të dyfishta?

Fatmir Sejdiu: Unë nuk do të thoja se flitet për standarte të dyfishta. Për ne është e rëndësishme që jemi edhe prezantues të idealit që kemi si popull dhe mendoj se kjo duhet të ketë vlerën dhe peshën e vet. Nga ana tjetër presim që bashkësia ndërkombëtare ta shpërblejë sjelljen tonë.

Deutsche Welle: Nëse do të ketë një shtyrje të zgjidhjes së statusit, a ka Grupi negociator një plan rezervë, se si të përballet me një situatë të tillë?

Fatmir Sejdiu: Nëse do të ketë shtyrja apo jo, këto janë ende hipoteza. Për ne ka rëndësi që ky proces të vazhdojë me dinamikën e vet dhe si i tillë të japë produktin e vet, natyrisht në definimin e statusit. Plani ynë është realizimi i vetësisë së Kosovës. Ne nuk kemi rezerva dhe strategji sipas motove "plani A" apo "plani B". Ne jemi këmbëngyulës në realizimin e këtij synimi apo vullneti politik që ka populli i Kosovës, duke pasur parasysh pikërisht nevojën e kontributit të drejtpërdrejtë edhe për aspekte të tjera që flasin edhe për planin ndërkombëtar.

Deutsche Welle: Si e vlerësoni rolin e Gjermanisë në zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, sidomos aktualisht kur në Kosovë ndodhen 3 gjermanë me pozita të larta ndërkombëtare: Shefi i UNMIK-ut, komandanti i KFOR-it dhe shefi i OSBE-së?

Fatmir Sejdiu: Mendoj se në përgjithësi kemi një bashkëpunim shumë të mirë. Secili prej këtyre personaliteteve që kemi aktualisht në Kosovë, janë njerëz që kanë qënë edhe më parë në Kosovë. Gjenerali Kather ka qënë i pranishëm edhe në momentet e gëzimit të qytetarëve të Kosovës për lirinë, që u mundësua edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Zoti Ryker ka qënë një person që ka bërë një kthesë të mirë sidomos në procesin e privatizimit dhe zoti Vlen po ashtu ka qënë për një periudhë të gjatë kohore këtu. Ashtu siç presim që koincidenca e mirë të na ndjekë edhe në proceset e mëtejshme si së shpejti në udhëheqjen e BE-së nga Gjermania. Mendoj se kemi mundësi që të japim edhe nga ana jonë një impuls për vazhdimin e marrëdhënieve të mira. Dua të falenderoj ehde për të gjitha angazhimet që Gjermania ka pasur deri tani për Kosovën dhe mendoj se ka ende hapësirë që të veprohet edhe më tej në mënyrë energjike në drejtim të përshpjetimit të proceseve për njohje dhe integrime, të cilat janë gjithashtu pjesë e zhvillimit të mëtejshëm edhe krahas rezultateve të arritura deri tani në bashkëpunimin ekonomik të investimeve që kanë ardhur në forma të ndryshme nga Gjermania si edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.