1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Po bien orët e fundit të 2005-s!

Rainer Sollich31 Dhjetor 2005

Cilat ishin ngjarjet më të rëndësishme botërore të këtij viti? Emocionet, gëzimet, tragjeditë!

https://p.dw.com/p/Aqgr
Fundviti 2005
Fundviti 2005Fotografi: Bilderbox

2005 ishte sërish një vit i terrorit ndërkombëtar. Megjithatë 2005 ishte edhe viti kur për të parën herë prej dekadash irakianët dhe afganët mundën të zgjidhnin të lirë parlamentin; viti kur Izraeli u tërhoq nga Rripi i Gazës duke ua lënë territorin palestinezëve. Dhe ky ishte vit i vdekjes së një pape popullor, të rëndësishëm politikisht dhe i zgjedhjes së një kardinali gjerman si pasues i tij. 2005 ishte viti kur bashkësia ndërkombëtare zhgënjeu edhe një herë duke dështuar në përballimin e një konflikti - në Darfur të Sudanit jugperëndimor. Nga grindjet mbi programet bërthamore të Iranit e të Koresë së Veriut e deri tek takimi jubilar i Kombeve të Bashkuara:

Restrospektivë e ngjarjeve më të rëndësishme botërore të vitit 2005

Londër, Nju Delhi, Sharm el Sheik, Bali: Edhe 2005 ishte përsëri një vit terrori. Në pjesë të shumta të botës shpërthyen bomba ose u hodhën në erë atentatorë vetëvrasës bashkë me viktimat e tyre. Atentatet terroriste të 7 korrikut në Londër zunë kryetitujt më të shumtë: në sulmet ndaj tri linjave të metrosë dhe të një autobusi vdiqën 52 udhëtarë dhe 4 atentatorë. Papritur njerëzve në Londër e gjetiu në Perëndim iu bë sërish e qartë ajo që parapëlqejnë t'a largojnë nga mendja: nuk ka siguri absolute ndaj terrorit, askund në botë. Pikërisht për këtë arsye njerëzit nuk duhet të lëshojnë pe të frikësuar, por duhet t’i bëjnë ballë terrorit, tha kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Blair:„Atentatet e sotme me bomba nuk do t'a dobësojnë kurrsesi vendosmërinë tonë për t’i mbajtur lart vlerat themelore me rrënjë të thella në shoqërinë tonë dhe për t’i mposhtur ata që përpiqen të na detyrojnë të pranojmë fanatizmin e ekstremizmin e tyre.“

Blair, i cili vazhdoi të kritikohej në 2005 për politikën e tij ndaj Irakut, theksoi se terrori i të vetëshpallurve luftëtarë të besimit nuk duhet interpretuar si konflikt midis myslimanëve dhe të krishterëve. Por klima shoqërore u acarua pas atentateve të tjera një javë më vonë në rrjetin e metrosë së Londrës. Forcat britanike të sigurisë vranë gabimisht një brazilian, të cilin e kujtuan për terrorist. Dhe Abdullah Farak, zëdhënës i një xhamie të Londrës, u ankua: „Kemi marrë tashmë mesazhe elektronike urrejtjeje. Më brengosës është imazhi i fesë myslimane: tani njerëzit besojnë, se pas terrorizmit fshihen gjithnjë myslimanët.“

Vërtet edhe në 2005 në mbarë botën nuk u keqpërdor asnjë fe më shpesh për të justifikuar terrorin se ajo myslimane. Megjithatë pati edhe protesta në rritje të myslimanëve kundër këtij përvetësimi. Kësaj i shtohet një pikë pak e ndriçuar nga media perëndimore: myslimanët përbëjnë pjesën dërrmuese të viktimave të terrorit. Kjo nuk bëhet në asnjë vend tjetër më e qartë sesa në Irak, ku terrori ka kohë që është kthyer në pjesë të jetës së përditshme. Në tetor u miratua me referendum kushtetuta e re, në janar pati zgjedhje paraprake dhe më 15 dhjetor u zgjodh për të parën herë që prej më shumë se 50 vjetësh një parlament „i vërtetë“. Që nga mesi i tetorit ish-diktatori Sadam Husein duhet të përgjigjet në gjyq. Këto janë pa dyshim përparime, por konfliktet për ndarjen pushtetit midis shiitëve, sunitëve dhe kurdëve mbeten edhe në 2005 të pandryshuara, si terrori i përditshëm: për një kohë kishte mbi 50 atentate në ditë. Iraku nuk gjeti as në 2005 qetësi – as trupat pushtuese amerikane, as forcat irakiane të sigurisë aleate me to nuk po e vënë nën kontroll gjendjen.

Edhe në Afganistan pati e shumta përparime të vogla në ndërtimin e demokracisë dhe të shoqërisë civile. Së paku edhe atje u zhvilluan më 18 shtator zgjedhje të lira parlamentare – të parat që prej 36 vjetësh. Por gjendja e sigurisë u keqësua në 2005, aktet e dhunës u shtuan. Ngjashëm me Irakun kundërshtarët e demokratizimit përpiqen të minojnë çdo hap përpara. Prandaj prania e trupave të huaja ishte edhe në 2005 e nevojshme – demokracia funksionuese duket ende shumë larg.

Por në 2005 u shënuan edhe zhvillime pozitive në Lindjen e Afërme dhe të Mesme: në shtator Izraeli u tërhoq pas 38 vjetësh bashkë me kolonët e vet nga Rripi i Gazës duke ua lënë territorin palestinezëve. Dhe vrasja në vetvete tragjike e politikanit kryesor libanez, Rafik al Hariri më 14 shkurt çoi në protesta aq të fuqishme kundër Sirisë në Liban e në mbarë botën saqë Damasku u ndje i detyruar t’i tërhiqte pas tri dekadash trupat e veta pushtuese nga vendi fqinj. Prapaskena: që në fillim u dyshua se Siria kishte dorë në vrasjen e Haririt – dyshim që pas hetimit të OKB-së u përforcua.

Një ndryshim të rëndësishëm politik përjetoi në 2005 edhe Irani. Në Republikën Islamike përfundoi pas 8 vjetësh periudha legjislative e presidentit reformator Mohamad Katami. Pasues u bë me zgjedhjet e balotazhit më 24 qershor ish-kryebashkiaku i Teheranit, Mahmud Ahmadinexhad. Nami i tij si ndjekës i vijës së ashpër u vërtetua veçanërisht më 26 tetor kur ai bëri thirrje publikisht për asgjësimin e shtetit të Izraelit: „Jam i sigurt se vala e re në Palestinë dhe lëvizja iluministe në botën islame shumë shpejt do t'a zhdukin këtë njollë turpi nga bota myslimane.“

Më vonë Ahmadinexhad deklaroi edhe se shteti i Izraelit duhet të zhvendosej pa vonesë në Gjermani dhe Austri. Shprehjet e tij ngjallën zemërim në mbarë botën – madje edhe në radhët e palestinezëve. Kryenegociatori palestinez Sajeb Erekat deklaroi: „Fjala është për t’i shtuar hartës shtetin palestinez dhe jo për të fshirë Izraelin.“

Zgjedhja e Ahmadinexhadit solli edhe acarimin e grindjes mbi programin bërtamor iranian. Pa marrë parasysh paralajmërimet perëndimore më 8 gusht Teherani rivuri në punë në mënyrë demonstrative centralin e vet në Isfahan. Veç kësaj Ahmadinexhad këmbënguli disa herë publikisht në të drejtën e vendit të tij për të pasuruar uranium – një teknikë që mund të shërbejë edhe për prodhimin e armëve bërthamore. Veçanërisht SHBA dhe Izraeli shprehin dyshimin, se megjithëse deklaron ndryshe, Irani fshehurazi synon pikërisht këtë. Prandaj ata nuk përjashtojnë as veprimet ushtarake, derisa BE favorizon dukshëm zgjidhjen diplomatike.

Po aq të ndërlikuara ishin këtë vit bisedimet gjashtëpalëshe në Pekin mbi programin bërthamor koreanoverior. Gëzimi i shtatorit për marrëveshjen e shumëpritur me Korenë e Veriut nuk zgjati shumë. Fill pas arritjes së saj Koreja e Veriut i befasoi partnerët e vet në bisedime me këkesa të reja. Nëse do të ketë zgjidhje kjo nuk pritet para 2006.

Në Afrikë ishte konflikti në Darfur që u pasqyrua më gjerësisht. Derisa lufta civile në jug të Sudanit përfundoi formalisht me marrëveshjen e paqes pas mbi 20 vjetësh, luftimet në perëndim të Sudanit vazhduan. Veçanërisht sulmet e arabëve ndaj popullsisë së zezë afrikane ngjallën indinjatë në rrafshin ndërkombëtar.

Një prej ngjarjeve më prekëse në kontinentin evropian ishte vdekja e papa Gjon Palit II më 2 prill. Miliona njerëz nga e gjithë bota udhëtuan drejt Romës për t'u ndarë nga Ati i tyre i Shenjtë, kreu i kishës katoliko romane. Kryeqyteti italian ishte për ditë të tëra në gjendje të jashtëzakonshme pas vdekjes së 84 vjeçarit.

Pasues i tij u zgjodh më 19 prill kardinali gjerman i kuries Josef Racinger. Që atëherë ai mban emrin papnor, Benedikt XVI dhe është papa i parë gjerman që prej 482 vjetësh.