1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Po vepron qeveria e re shqiptare pa bekimin e FMN-së?

Arben Muka5 Tetor 2005

Debatohet në Shqipëri reforma fiskale. Ulja e taksave të biznesit të vogël nuk parapëlqehet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar

https://p.dw.com/p/AqtA
FMN-ja, Uashington
FMN-ja, UashingtonFotografi: IMF

Nëse duhet të ulen apo jo me 50 % taksat për biznesin e vogël, kjo çështje për disa ditë do të jetë objekt diskutimi në komisionet e përhershme parlamentare, përpara se projektligji përkates të votohet në seancë plenare. Pikërisht në këtë moment, për herë të parë në debat ka ndërhyrë dhe FMN-ja, si institucioni kryesor i huaj, që këshillon në 15 vitet e fundit te tranzicionit, qeverinë shqiptare për reformat që duhen ndërmarrë.

Duke qenë se Ministria e Financave në Tiranë ka avancuar shumë në vendimmarrjen për uljen e taksave të biznesit të vogël, si dhe po tenton të reformojë dhe taksat për bisnesin e madh, (pa akordin dhe pëlqimin e ekspertëve të FMN-së) atëherë pritet që këto ditë nga Uashingtoni të mbërrijë një ekip zyrtarësh të Fondit, për të hyrë në diskutime me autoritetet shqiptare për reformat e reja fiskale në tërësi.

Përfaqësuesja e FMN-së në Tiranë, Ann Margaret Westin, duke folur për uljen e taksave të biznesit të vogël nxjerr në pah faktin, se nga njera anë do të ketë një impakt minimal pozitiv nga kjo lëvizje, ndërkohë që nga ana tjetër mund të provokohet evazion fiskal. Sipas Westin, „ bizneset e mëdha mund të tentojnë të deklarohen si të vogla, gjë që do të krijojë probleme në realizimin e treguesve makroekonomikë.“

Por njeri nga mbrojtësit e projektligjit, zëvendësministri i Financave, Florion Mima, argumenton se një masë e tillë do të ndikojë d.p.d në stimulimin e biznesit të vogël, hapjen e vendeve të reja të punës, nxitjen e investimeve, si dhe zgjerimin e bazës për bizneset që shlyejnë detyrimet.

Një moment tjetër të cilin përfaqësuesit e FMN-së e shikojnë me mjaft skepticizëm është dhe angazhimi i qeverisë për të ulur me 1/3, taksat e biznesit të madh, si dhe për të mos e filluar në 1 janar të vitit 2006 por më vonë, vendosjen e Tatimit mbi Vleren e Shtuar, TVSH, për shitjen e apartamenteve nga ana e firmave të ndërtimit. Për ekipin e ekspertëve nga Uashingtoni, kjo pritet të jete dhe pika më e nxehtë në negociatat me autoritetet shqiptare.

Ulja me 50 përqind e taksave të biznesit të vogël kritikohet nga opozita dhe si një akt që cënon autonominë lokale, pasi „redukton fondet që duhet të mbledhin bashkitë dhe komunat nga aplikimi i këtyre taksave“.

Përfaqësuesit e mazhorancës në lidhje me këtë çështje argumentojnë se për pushtetin lokal do te ketë një lloj kompesimi për të mos ndjerë këtë element të reformës fiskale.