1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Po vjen një rrezik i ri nga Lindja: Gripi i shpendëve

S.H21 Tetor 2005

Shtypi i sotëm gjerman përqëndrohet tek rreziku i ri që po i afrohet Evropës: Gripi i shpendëve.

https://p.dw.com/p/ArtJ
Fotografi: dpa - Bildfunk

Gazeta Schweriner Volkszeitung shkruan:

"Shumica e fermerëve nuk do të kenë rrugëdalje tjetër, përveç se t´i therin të gjitha pulat e tyre dhe t´i mbushin që tani frigoriferët. Pra ky mish nuk do të shkojë dëm. Në rast se në rajonet tona do të shfaqej infekti H5N1, pra infekti që shkakton gripin e shpendëve, atëherë situatat do të ishte ndryshe. Por tani është e vetëkuptueshme se është më mirë që shpendët të therren para kohe, sesa të shkojnë dëm dikur më vonë."

Gazeta Badische Zeitung nga Freiburgu komenton:

"E mbani mend? Kur ndodhi katastrofa e Çernobilit në vitin 1986 dhe reja atomare kaloi nga Lindja në Perëndim, gjermanët reaguan me panik, ndërkohë që francezët e morrën lehtë. Shumë njerëz bënin asokohe shaka duke thënë se malli bërthamor nuk do t'i kalonte kufijtë e vendit tonë. Por tani po ju kujtojmë pikërisht këto fjali duke thënë se po vjen një rrezik i ri nga Lindja: Gripi i shpendëve. Ndërkohë që në Gjermani tani pulat duhen mbajtur vetëm në kotece, në Francë pulat vazhdojnë të vërtiten të lira nëpër oborre dhe lëndina duke rrezikuar kështu që të infektohen. Evropa po tregohet e ndarë përsa i përket kësaj sëmundjeje, e cila ndonëse sot është ende vetëm një sëmundje kafshësh, nesër mund të kthehet shumë shpejt në një epidemi vdekjeprurëse për njerëzit. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se nuk do të kemi të bëjmë me një epidemi të tillë. Por si do të funksionojë kjo Evropë e bashkuar kur që tani që kemi të bëjmë me rregulla të thjeshta si izolimin e shpendëve nga njerëzit, secili shtet vepron sipas kokës së vet?"

Gazeta Dresdner Neueste Nachrichten komenton:

"A tregohemi vallë shumë cinikë po ta krahasojmë Gjermaninë me një turmë me pula të trembura? Ndoshta ky krahasim nuk është i pabazë po të mendojme se me çfarë rreziku po përballemi këto ditë. Por po të jemi realistë rreziku, që gripi i shpendëve mund të infektojë në Gjermani popullsinë, është po aq i mundshëm sa të vritemi nga një meteorit. Deri tani nuk ka vdekur asnjë kanarinë apo pulë nga gripi i shpendëve, as në Leipzig e Mynih e as në Hamburg e Köln. Asnjë njeri nuk ka vdekur nga kjo sëmundje. Por të mos harrojmë se vjet vdiqën nga gripi viral të paktën 20.000 njerëz në Gjermani dhe megjithatë askush nuk u kap nga vala e histerisë siç po ndodh këto ditë."

Gazeta Badische Neueste Nachrichten shkruan:

"Gripi i shpendëve ka ende nje aspekt përpara, për t´u u kthyer në një epidemi të vërtetë: Mbajtja e kafshëve që ka për qëllim vetëm maksimimin e profitit dhe që nuk mendon fare për kafshën si krijesë, sjell automatikisht sëmundje të tilla. Motoja: "Të prodhojmë sa më lirë, pa rëndësi se ku në botë" nuk mund t´i shërbejë kurrë shëndetit apo zgjuarsisë."

Në gazetën Märkische Oderzeitung nga Frankfurti lexojmë:

"Rregulli që ekziston që prej ditës së shtunë në Gjermani, që shpendët të mbahen në kotece, është një lloj tablete qetësuese e shtetit për popullsinë që është infektuar tashmë nga paniku. Sado paradoks apo i nevojshëm të jetë ky hap, ai dëshmon se shteti po ndërmerr masa sigurie paraprake, të cilat sjellim me vete panik dhe histeri nga ana e qytetarëve. Sigurisht, që rregullat mbi mbajtjen dhe transportin e kafshëve duhen respektuar tani më shumë se kurrë. Por në fund vetëm bashkëpunimi ndërkombëtar do të vendosë nëse kjo sëmundje do të na prekë apo jo. Vetëm ky bashkëpunim do të mund ta ndalojë rrezikun që po i afrohet Evropës."

Dhe së fundi në gazetën Nürnberger Nachrichten lexojmë:

"I vetmi mjet që ndihmon kundër frikës është puna sqaruese. Në këtë rast sqarimi është shumë i thjeshtë: Vaksinat kundër gripit janë efektive, por ato nuk kanë të bëjnë aspak me gripin e shpendëve. Pulat e kanë vendin tani nëpër kotece dhe jo nëpër oborre. Vetëm kështu mund të reduktohet rreziku, si për fermerët ashtu edhe për ekonominë gjermane. Ata që do të udhëtojnë jashtë shtetit, do të bënin mirë sikur të mos shfaqnin ndonjë interes të tepruar kundrejt tregjeve me mish pule dhe të mos sjellin asnjë produkt të tillë me vete."

S.H