1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pogradeci, Struga dhe Ohri do të lidhen me lundrim

21 Shtator 2010

Pogradeci, Struga dhe Ohri, tre qytetet që rrethojnë të njëjtin liqen kanë një bashkëpunim të ngushtë. Turizmi dhe aplikimi i guidave të integruara është një nga prioritetet e programeve të përbashkëta mes tyre.

https://p.dw.com/p/PI1w
Liqeni i Ohrit
Liqeni i OhritFotografi: Arben Muka

Pogradeci, Struga dhe Ohri, si tre qytete që rrethojnë të njëjtin liqen kanë një bashkëpunim të ngushtë ndërkufitar. Turizmi dhe aplikimi i guidave të integruara për vizitorët e huaj që vijnë në rajon është një nga prioritetet e programeve të përbashkëta mes tyre. Brenda vitit pritet të aplikohet për herë të parë itenerari i lundrimit me traget në të tre qytetet, që do të shoqërohet dhe me përdorimin e mjeteve lundruese private nga qytetarët. Tre qytetet kanë dhe një ditë të përbashkët festive, që njihet si Dita e Liqenit, ku mikëpritësi lëviz me rotacion, duke u shndërruar në një skenë të madhe të veprimtarive kulturore e artistike, një mundësi të komunikimit të drejtëpërdrejtë mes shoqatave të biznesit, të të rinjëve të shkollave, autoriteve vendore etj.

Veçoritë në aspektin e pozicionimit gjeografik dhe zhvillimi ekonomik e social në të tre qytetet që lagen nga ujrat e Liqenit të Ohrit i kanë orientuar ato më shumë nga kooperimi në sektorin turistik. Nga kontaktet sistematike që kanë zhvilluar autoritetet lokale në Ohër e Strugë, në territorin maqedonas, si dhe në Pogradec, në pjesën e Shqipërisë, është arritur të ndërtohen guida të integruara turistike për vizitorët e huaj.

Nga koordinimi që kanë bërë dhomat e tregëtisë e shoqatat e biznesit dhe ato të turizmit, nga të tre qytetet, vizitorët alternojnë qëndrimin e tyre në të dy anët e kufirit, thotë për DW, kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi. “Ka guida që përfshijnë Strugën, Ohrin dhe Pogradecin. Nëse do të shikoni gjatë periudhës së verës, por më rrallë dhe në muajt e tjerë në doganën e Tushemishtit hyjnë me dhjetra autobuzë nga Struga, me turistë kryesisht gjermanë, hollandezë, danezë, të cilët në guidën e tyre qarkullojnë, duke qëndruar 2 ditë në Pogradec, 2 ditë në Strugë dhe po kaq në Ohër. Ka një fenomen që nuk ka ndodhur për 15 vite, por që ka filluar të ndodhë tani, që turistët lëvizin në rajon në mënyrë të organizuar.”

Artan Shkembi, Kryetar i Bashkisë së Pogradecit
Artan Shkembi, Kryetar i Bashkisë së PogradecitFotografi: Pogradec Municipality Press Office

Që prej vitit 2002 është një ditë në vit, që quhet Dita e Liqenit, e cila kremtohet në mënyrë të përbashkët nga tre qytetet. Çdo 21 qershor mikëpritësi lëviz me rotacion, duke u shndërruar në një skenë të madhe të veprimtarive kulturore e artistike, një mundësi të komunikimit të drejtëpërdrejtë mes shoqatave të biznesit, të të rinjëve të shkollave, autoriteve vendore etj. Këtë vit Dita e Liqenit ishte në Ohër, vitin e ardhshëm mikëpritësi do të jetë qyteti i Pogradecit. E kështu me rradhë.

Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërkufitar është mbrojtja dhe shfrytëzimi i Liqenit të Ohrit, pasuria e përbashkët e tre qyteteve që e rrethojnë atë. Pjesa ujrore maqedonase me mbështetjen e programeve të Bankës Botërore ishte më shpejt nën kontrollin e kolektorëve. Po kështu dhe sistemimi i derdhjeve të ujrave të zeza ndikuan në pastërtinë e mbrojtjen mjedisore në dhe përreth Liqenit. Para dy viteve dhe pjesa shqiptare falë mbështetjes së Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, ka nisur ndryshim rrënjësor me futjen në punë të kolektorit si dhe displinimin tërësor të shkarkimeve të ujërave të zeza, apo mbeturinave të ndryshme inerte në Liqen.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, thotë se me zgjidhjen e këtij problemi, kur fauna dhe flora përreth tij nuk janë më të rrezikuara, tashmë një objektiv kryesor i kooperimit tri palësh është hapja e lundrimit detar në të ashtuquajturin “trekëndësh” të Liqenit të Ohrit.

“Ajo që ne po punojmë momentalisht është përdorimi i Liqenit, që uji të shërbejë si një pikë lidhjeje mes tre qyteteve, të Ohrit, Pogradecit dhe Strugës. Pra, ujin nuk e kemi ende një rrugë komunikimi. Ne jemi duke disktuar që trageti që udhëton nga Ohri në Shën Naum dhe kthehet sërish mbrapsht, të lëvizë në një trekëndësh që do të lidhë Ohrin, Strugën dhe Pogradecin. Çështja e tragetit është njera anë. Se me fillimin e lëvizjes së tij atëhere hapet rruga dhe për lëvizjen e skafeve private të qytetarëve, të cilat do të kenë mundësi të lëvizin për të bashkuar një qytet me tjetrin”.

Sotiraq Gusho
Sotiraq GushoFotografi: DW

Akordi mes tri bashkive kufitare është arritur dhe ato e kanë nënshkruar një marrëveshje zyrtare mes tyre. Ky akt sipas procedurave ligjore është përcjellë në ministritë e Transportit dhe të Punëve të Jashtme në Tiranë e Shkup ku është marrë miratimi. Brenda këtij viti pritet që të hartohen dhe modalitetet teknike për të vënë në zbatim transportin ujor mes tre qyteteve.

Pogradeci, Struga dhe Ohri kanë një traditë të pasur në bashkëpunimin kulturor e artistik mës tyre. Nëse në Pogradec zhvillohet një veprimtari, psh hapet një ekspozitë në pikturë, patjetër që prezentë do të jenë me krijimet e tyre dhe artistët nga Struga e Ohri. Kështu veprohet dhe në festivalin folklorik të Ohrit, ku ftohet ansambli popullor pogradecar, si dhe shoqëritë kulturore nga Struga. Gjithashtu festivali poetik në Strugë shërben si një urë komunikimi artistik mes krijimeve performancave në vargje nga të tre qytetet qe lagen prej Liqenit.

Teatri i Kukllave të Pogradecit me një aktivitet rreth 60 vjeçar, është një nga më të njohurit në Shqipëri. Regjisori i teatrit Sotiraq Gusho, thotë se shfaqjet në dy qytetet kufitare janë të shpeshta. Ato ndiqen nga fëmijët, por dhe të rriturit që i shoqërojnë, duke krijuar një atmosferë shumë miqësore, thotë ai për DW.

“Tani kemi planifikuar të shkojmë serish në tetor. Ne program kemi dhënie shfaqjesh në Strugë. Atje kemi mjaft miq, si ata që janë sllavo maqedonas, ashtu dhe nga shqiptarët e Maqedonisë, me të cilët kemi marrëdhënie të mira. Gjithashtu kemi dhe një teatër privat në Strugë me të cilin kemi altivitete të përbashkëta”.

Gusho shton se kontaktet kulturore kanë qënë dhe janë promotorët e kooperimit të ngushtë ndërkufitar përreth Liqenit të Ohrit. Ndërkohë që shikon dhe mjaft mundësi të tjera “ku fqinjët kanë seç t'i tregojnë njeri – tjetrit, të përfitojnë më shumë nga eksperiencat që janë provuar se janë të suksesshme në çdo sektor të jetës”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama