1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pohimi i Bushit lidhur me burgjet e fshehta të CIA-s

8 Shtator 2006

Një temë mjaft e komentuar në shtypin e sotëm është pohimi i presidentit të ShBA, Xhorxh Bush, lidhur me ekzistencën e burgjeve të fshehta për të dyshuarit për terrorizëm. Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës kërkuan prej presidentit amerikan George Bush informacione shtesë mbi burgjet e fshehta të CIA-s jashtë Amerikës.

https://p.dw.com/p/Aro3
Fotografi: Getty Images /G. Gershoff

Ja se si komenton gazeta e Berlinit "Tageszeitung": Deri tani Shtëpia e Bardhë ka injoruar çdo vendim gjyqësor që nuk i shkonte përshtat politikës së saj të Guantanamos dhe më pas ka ndërmarrë reforma, me etiketë të re që kanë dëshmuar status quo-në antligjore. Tani Bushi do, duke e ditur, se me sa tension kjo temë do të diskutohet në luftën elektorale, që t´ua kalojë senatorëve dhe deputetëve përgjegjësinë politike. Eshtë në duart e kongresit të ShBA, që t´u bëjë ballë këtyre zhvillimeve me pasoja të rënda. Guantanamo duhet të mbyllet. Ata, ndaj të cilëve s´ka dëshmi, duhet të lirohen dhe të zhdëmtohen, dhe të tjerët të nxirren përpara një gjyqi të rregullt. Një gjë e tillë do të ishte kurajoze, sovrane dhe një goditje kundër terrorit", nënvizon "Tageszeitung".

"Landeszeitung" e Lyneburgut shkruan: "Pohimi i Bushit konfirmon paragjykimin e fanatikëve islamikë, që Perëndimi ka një moral të dyfishtë. Sepse vlera e një sistemi kampi global dhe sekret ka të bëjë kryesisht me faktin, që askush pas gardhit nuk kujdeset për konventën e OKB-së kundër torturave, që e ka nënshkruar edhe Uashingtoni. Edhe vet demokracitë, që përballen me ideologjitë antinjerëzore, nuk lejohen që t´i shkelin standardet që përcaktojnë formën e qeverisjes së tyre. Dështimi moral i aministratës së Bushit rrezikon karakterin e demokracisë më të fortë në botë. Dhe kjo i ka njollosur edhe qeveritë evropiane, që siç duket e dinin se ç´ndodhte në tokën e tyre", komenton "Landeszeitung".

Një citat nga komenti i "Osthüringer Zeitung" që del në Gera: "Rrëfimi i Bushit, po ta analizosh me kujdes, dëshmon një truk të rafinuar: Ai pranon ekzistencën e burgjeve të fshehta, por njëkohësisht njofton, se ato tani janë të zbrazura, sepse të burgosurit janë transportuar në Guantanamo. Me këtë ai jo vetëm shmang presionin në debatin lidhur me burgjet e CIA-s, por njëkohësisht i jep një theks të ri Guantanamos. Sepse krahas të rrëmbyerve pa kriter papritur qëndrojnë tani edhe terroristët më të njohur të El Kaidës, për të cilët askujt nuk i vjen keq", shkruan "Osthüringer Zeitung".

Për komentatorin e "Berliner Zeitung": "Ai që e ka dëgjuar presidentin e ShBA Bush, e di, se ky pohim nuk është bërë me bindje, por nën presion. Bushi i mbrojti burgjet sekrete, që i ka drejtuar CIA prej vitesh, me argumentin, se vetëm përmes tyre mund të kapeshin antarët e El Kaidës dhe mund të parandaloheshin sulmet. Pavarësisht nga fakti, që ekspertët shprehin dyshime për dobinë e dëshmive të nxjerra përmes torturës, politika e Bushit, që ai e ka zbatuar si një monark me kokën e vet, është në kundërshtim me ligjet dhe frymën e demokracië më të vjetër në botë, asaj demokracie, që presidenti do ta eksportojë në botë, thekson "Berliner Zeitung".

Së fundi edhe një pjesë nga artikulli i "Münchener Merkur" që i referohet në këtë kontekst pesë vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në ShBA: "Amerikanët dhe evropianët i kanë luftuar me disa suksese nismëtarët e 11 shtatorit. Por janë bërë edhe gabime. Më i rëndi ishte rënia në kurthin e terroristëve dhe kundërvënia ndaj tyre duke shkelur vlerat dhe normat e veta ligjore. Nëse evropianët sot akuzojnë jo terrorin, por aleatët amerikanë, kjo është një pasojë e rëndë e këtij gabimi të pafalshëm. Terrorizmi ka lënë jo vetëm një gjurmë të vrasjes dhe shkatërrimit, por ka krijuar edhe hendeqe të thella mes partnerëve dhe miqve. Çfarë triumfi i terrorit! Në luftën për një qëllim të përbashkët partnerët janë ftohur me njëri-tjetrin", nënvizon "Münchener Merkur".