1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pokeri politik drejt finishit - SPD dhe CDU/CSU negociojnë mbi programin e qeverisë

Judit Hartl17 Tetor 2005

Sot pasdite në Berlin fillojnë bisedimet për koalicionin e madh qeverisës mes socialdemokratëve (SPD) dhe unionit kristjandemokrat/kristjansocial (CDU/CSU). Të dyja partitë e mëdha ndërkohë kanë zhvilluar konsultimet brenda partiake duke përcaktuar kandidatët e tyre për postet ministrore

https://p.dw.com/p/AqiI
Kryetarja e CDU-së Angela Merkel dhe kryetari i SPD-së Franc Myntefering
Kryetarja e CDU-së Angela Merkel dhe kryetari i SPD-së Franc MynteferingFotografi: AP


Gjatë ditëve të fundit nuk kanë reshtur spekulimet lidhur me emrat e ministrave kristjandemokrat dhe domethënien e këtyre emërimeve për statusin e pushtetit të Angela Merkelit si kancelare. Tashmë emrat janë pothuajse të përcaktuar.

Duket se mes Angela Merkelit dhe kryetarit të kristjansocialëve Edmund Shtojber ka pasur sherr. Por tani thuajse është përcaktuar, që ministër i ekonomisë do të jetë vetë Shtojberi dhe ky do që ministër i bujqësisë dhe mbrojtjes së konsumatorëve të jetë nënkryetari i partisë kristjansociale Horst Sehofer. Ndërkohë që ky vendim nuk i ka pëlqyer Merkelit. Kjo e fundit dhe eksperti i çështjeve sociale Sehofer janë grindur shumë midis tyre lidhur me reformën në sistemin e shëndetësisë. Por tek e fundit vendos kristjansociali Shtojber, se cilin ministër do të dërgojë në kabinet nga partia e tij.

Mendohet se janë plotësuar tashmë edhe postet e tjera ministrore që do të mbulohen nga konservatorët. Sipas të gjitha gjasave ministër i brendshëm do të jetë kryetari i fraksionit parlamentar kristjandemokrat Volfgang Sheuble. Ndërsa ministër i mbrojtjes është vendosur të jetë një kristjandemokrat deri më sot i panjohur, Franc Jozef Jung. Ky i fundit është kryetar i fraksionit parlamentar në landin e Hesenit dhe një nga besnikët e kryeministrit të këtij landi, Roland Koh.

Dikasterin e shkencës dhe arsimit do ta drejtojë ministrja e kulturës së landit të Baden-Vyrtnerbergut, Anete Shavan. Ndërsa ministrja e çështjeve sociale në landin e Saksonisë së Poshtme, Ursula von der Lajen do të jetë përgjegjëse për ministrinë e familjes. Por të gjitha këto deri tani që vazhdojnë bisedimet në Berlin janë të pakonfirmuara zyrtarisht. Në orët e pasdites përpara fillimit të bisedimeve për koalicionin e madh, pritet që Angela Merkel të prezantojë listën e kabinetit të saj qeveritar. Pasdite vonë do të takohen për herë të parë dy partitë e mëdha në selinë e socialdemokratëve Vili Brandt në Berlin. Për herë të parë në këto konsultime temë do të jetë përmbajtja e programit qeveritar.

Pritet që në shumë fusha të ketë debate të ashpra mes socialdmeokratëve dhe konservatorëve. P.sh. lidhur me temën e tregut të punës apo politikën për shëndetsinë. Por ka edhe pika të rëndësishme, për të cilat partitë gjejnë konsensus në programet e tyre. Një gjë është e sigurt, se pikërisht tani do të nisë si duhet pazari dhe pokeri mes unionit konservator dhe socialdemokratëve. Partitë kanë tri javë e gjysmë kohë për gjetur kompromise mbi temat e mëdha politike. Në mes të nëntorit duhet të jetë gati marrëveshja e koalicionit. Rruga deri atje është plot pengesa dhe vetëm pasi t´i ketë kapërcyer ato mund të thuhet se Angela Merkeli po ia arrin qëllimit: që të jetë kancelarja e parë e Republikës Federale të Gjermanisë.