1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polarizimi politik dëmton Gjykatën Supreme në SHBA

Michael Knigge
7 Tetor 2018

Senati amerikan konfirmoi të shtunën emërimin e Brett Kavanaugh si gjykatës të Gjykatës Supreme. Zgjedhjen e kandidatit të Trump e shoqëroi një betejë e ashpër. A rrezikon 53 vjeçari të shihet si gjykatës jo i pavarur?

https://p.dw.com/p/365Cz
Brett Kavanaugh
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/M. Balce Ceneta

Për shkak të rregulloreve të emërimeve, fuqisë së madhe ndikuese të instancës dhe mandatit të gjykatësve, Supreme Court prej kohësh ka qenë një institucion politik. Gjykatësit e emëruar nga presidenti, të konfirmuar nga kongresi ishin përgjithmonë instanca më e lartë juridike e vendit më të fuqishëm në botë. Natyrisht gjykatësit në Supreme Court kanë qenë edhe shprehje e marrëdhënieve të pushtetit politik, e përpjekjes për të përcaktuar orientimin politik të vendit përtej mandateve të kufizuara të presidentëve apo anëtarëve të kongresit.

Dhe megjithatë kësaj here beteja e egërsuar për emërimin e Brett Kavanaugh mund të shënojë një orientim të ri të Gjykatës Supreme në SHBA. „Procesi i konfirmimit mund të shihet me siguri si një pikë kthese", thekson Reed Galen, dikur këshilltar republikan në fushatat zgjedhore të John McCain, Arnold Schwarzeneggerit dhe George W. Bushit, e që tani e përcakton veten si politikisht të pavarur. „Për mua kjo ka qenë periudha më e errët që kemi pasur. Anëtarë të të dyja partive dhe amerikanët jashtë Uashingtonit janë jo vetëm të ndarë për shkak të procedimit, kandidatit dhe akuzueseve, por edhe të pështirosur nga i gjithë procesi."

USA US-Richterkandidat Brett Kavanaugh - Aussage von Christine Blasey Ford
Christine Blasey Ford akuzon Kavanaugh për tentativë përdhunimiFotografi: Getty Images

Kontradikta e pazgjidhur mbetet

Ajo që do të mbetet në kujtesë nga ky proces nuk është vetëm zgjedhja pas grindjesh të ashpra nga senati amerikan e kandidatit Kavanaugh që do të thotë fjalën e tij për tema të rëndësishme juridike. Ajo që do të mbetet janë edhe skenat prekëse, ku Christine Blasey Ford akuzoi Kavanaugh për tentativë për përdhunim. Ajo që do të mbetet është edhe hedhja poshtë në mënyrë të zemëruar e këtyre fajësimeve nga Kavanaugh. Ajo që do të mbetet është kontradikta e pazgjidhur mes deklaratave të Christine Blasey Ford dhe Kavanaugh. Madje kjo mund të vendosë pikëpyetje mbi legjitimitetin dhe autoritetin e tij si gjykatës i Gjykatës Supreme në SHBA. E këtij mendimi është Jennifer Victor, eksperte për politikën amerikane në Universitetin George Mason. „Fajësimet e grave të kombinuara me qëndrimin partiak në intervistën e Kavanaugh mund të çojnë aty që grupe të caktuara të popullsisë në SHBA të besojnë se ai nuk do t'i mbrojë dhe se nuk ka për të qenë një gjykatës i pavarur para gjykatës." Kjo nuk vlen vetëm për gratë, sipas Victor, por sidomos për viktimat e dhunës seksuale dhe për ata që i mbështesin viktimat.

USA Proteste gegen Brett Kavanaugh in Washington
Protesta kundër KavanaughFotografi: picture-alliance/abaca/O. Douliery

Sondazhet tregojnë një dallim gjinor në mbështetjen për Kavanaugh. Shumica e femrave i besojnë deklaratave të Ford, ndërsa një shumicë e lehtë e meshkujve më shumë deklaratave të Kavanaugh. Nëse hiqet kriteri partiak, atëherë shuhet edhe dallimi gjinor. Gratë demokrate dhe burrat demokratë i besojnë me shumicë Ford, ndërsa gratë republikane dhe burrat republikanë i besojnë Kavanaugh.

"Rrëzohet perdja" 

"Gjykatësi Kavanaugh ka treguar një partishmëri të lartë gjatë intervistës", sipas Victor. Dihet që gjykatësit kanë preferenca ideologjike, por tradicionalisht pritet që në opinionin publik ata të paraqiten neutralë dhe mbipartiakë. Kjo është e rëndësishme për pranueshmërinë e tyre në publik dhe legjitimitetin e gjykatës. Por me sulmet ndaj demokratëve, Kavanaugh jo vetëm që „rrëzoi perden e Gjykatës Supreme", por me gjasë vuri pikëpyetje edhe mbi legjitimitetin e tij si gjykatës.

Pasoja e parë konkrete e konfirmimit të Kavanaugh do të ishte ndryshimi cilësor i përbërjes së gjykatës. „Çdo republikan në gjykatë do të jetë politikisht djathtas nga çdo demokrat në këtë instancë," është i mendimit, Jeffrey Segal, ekspert i Gjykatës Supreme në Universitetin Stony Brook. „Sipas dijenisë sime nuk ka pasur kurrë një polarizim të plotë sipas përkatësisë partiake." Deri më tani ka pasur më shumë demokratë konservatorë dhe republikanë më liberalë në Gjykatën Supreme. Këta ishin ata që i vinin vulën çështjeve. „Tani nuk ka më asnjë të tillë", thotë Segal.

Edhe Jennifer Victor është e mendimit se për shumë njerëz është alarmuese të shohin me sytë e tyre se si Gjykata Supreme po i nënshtrohet polarizimit politik si institucionet e tjera. „Episode të tilla nuk kanë pasur përfundim të mirë." Ekspertja kujton vitin 1875. Në vendimin e dhënë atëherë për rastin Dredd Scott Gjykata Supreme refuzoi padinë e një skllavi për të fituar lirinë. Ky rast shihet si pararendësi i luftës civile amerikane.