1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Georgien Krise

Shtefan Lak / Moskë25 Gusht 2008

Konflikti në Gjeorgji ka sjellë tensione të tjera mes Perëndimit dhe Rusisë. Sipas Moskës tërheqja e trupave ka përfunduar. SHBA, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania konsiderojnë jo të plotë tërheqjen e trupave ruse.

https://p.dw.com/p/F4El
Tanke ruse duke ecur drejt Osetisë Jugore
Tanke ruse duke ecur drejt Osetisë JugoreFotografi: AP

Tërheqja e trupave ushtarake ruse nga brendësia e zonave gjeorgjiane vazhdon të jetë strumbullar i polemikave ndërkombëtare. Moska deklaroi të premten (22.8.) të përfunduar tërheqjen por Rusia vazhdon të ketë pika kontrolli ndër të tjera në qytetin port me pozicion strategjik Poti. Qyteti në perëndim të Gjeorgjisë ndodhet shumë jashtë zonës së sigurisë së kontrolluar nga Rusia përreth Abkazisë. Pozicione të tjera ruse informohet të ketë edhe në Gjeorgjinë qëndrore.

18 pika kontrolli ruse përpara krahinave që kërkojnë shkëputjen

Ushtria ruse ka ngritur gjithsej 18 pika kontrolli përpara krahinave që kërkojnë shkëputjen, Osetia Jugore dhe Abkazi. Sipas Moskës ato shërbejnë për të garantuar sigurinë e popullsisë atje dhe për të penguar aktet e sabotazhit. Parlamenti rus debatoi sot (25.8.) edhe për njohjen e pavarësisë së krahinave separatiste.

Moska nuk i ka përmbushur kushtet e marrëveshjes për armëpushimin

Franca, SHBA dhe Britania e Madhe kritikuan tërheqjen e deritanishme të trupave ushtarake ruse dhe e cilësuan atë të pamjaftueshme. Moska nuk i ka përmbushur kushtet e marrëveshjes për armëpushimin, u tha. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të SHBA, Wood, tha se zonat e sigurisë dhe pikat e kontrollit nuk kanë qenë në asnjë mënyrë pjesë e marrëveshjes. Plani europian gjashtë pikësh sipas informacioneve nga pala franceze parashikon vetëm patrulla ruse me mision të kufizuar në kohë përgjatë kufirit me Abkazinë dhe Osetinë Jugorë derisa ato të zëvendësohen nga trupat paqeruajtëse ndërkombëtare.

Ministri gjerman i punëve të jashtme Frank Valter Shtajnmajer i bëri thirrje Moskës të lerë të lira të gjitha rrugët kryesore, segmentet hekurudhore dhe rrugët detare. Në një telefonatë me homologun e tij rus Lavrov, Shtajnmajer theksoi edhe njëherë se Moska duhet të vërë në jetë të gjitha ato që janë përcaktuar në planin gjashtë pikësh.

20 vëzhgues shtesë të OSBE-së do të fillojnë menjëherë nga puna

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme gjermane në Berlin njoftoi se Shtajnmajer dhe Lavrov ishin të një mendjeje se 20 vëzhguesit shtesë të OSBE-së duhet të fillojnë menjëherë nga puna.

Situata në shumë pjesë të Gjeorgjisë vazhdon të jetë e tensionuar. Forcat ushtarake gjeorgjiane morën vërtet nën kontroll qytetin Gori por të djelën ((24.8.) atje shpërtheu një tren mallrash i ngarkuar me eksploziv. Shkak ishte bërë një minë ruse, u tha. Dhjetë nga 30 vagonat kishin marrë flakë por nuk pati dëme në njerëz. Televizioni gjeorgjian njoftoi se dy shtëpi ishin dëmtuar nga shpërthimi. Treni udhëtonte nga Azerbajxhani për në qytetin portual gjeorgjian Batumi. Ministria e brendshme në Tbilisi kishte paralajmëruar kohët e fundit për minimin e mundshëm të segmentit hekurudhor. Javën e shkuar një urë hekurudhore u shkatërrua si pasojë e një shpërthimi.

Anija e parë luftarake amerikane mbërriti në qytetin portual Batumi

Ndërkaq anija e parë luftarake amerikane mbërriti në qytetin portual Batumi. Qeveria në Uashington njoftoi se ajo ishte e ngarkuar me mallra humanitare për popullsinë gjeorgjiane, ndër të tjera batanije, ushqim për foshnje dhe artikuj higjene. Dy anije të tjera të marinës së SHBA-ve pritet të mbërrijnë në portin gjeorgjian ditët e ardhshme. Shtabi i përgjithshëm rus ka kritikuar ndërkohë praninën e Nato-s në Detin e Zi. Gjenerali rus Nogovizin tha se kjo nuk i shërben stabilizimit të situatës në rajon.