1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polemikë rreth punëve të dyta të deputetëve gjermanë

Bernd Gräßler11 Tetor 2006

Përse shumë përfaqësues të popullit në Gjermani refuzojnë të tregojnë hapur të ardhurat e tyre dytësore. Të ardhurat dytësore të deputetëve gjermanë në parlamentin federal do të mbeten të fshehta deri në fund të këtij viti.

https://p.dw.com/p/Aqz7
Parlamenti gjerman
Parlamenti gjermanFotografi: AP

Kryetari i parlamentit Norbert Lammert do t'i bëjë publike të dhënat vetëm pasi Gjykata Kushtetuese në vend të kete marrë një vendim përkatës. Vendimi pritet të merret më e herëta në fund të muajit dhjetor. Nëntë deputetë të parlamentit federal nga unioni kristiandemokrat- kristiansocial, partia liberale dhe partia socialdemokrate kanë ngritur padi kundër detyrimit ligjor për publikimin e të dhënave mbi të ardhurat dytësore i cili është në fuqi prej janarit 2006.

Kur salla plenare e parlamentit federal mbetet thuasje bosh gjatë ndonjë seance, deputetët gjithnjë kanë nga një justifikim gati: kalendari i tyre i takimeve është plot, është e pamundur të ndiqen të gjitha seancat e parlamentit deri në fund. Por nga ana tjetër shumë përfaqësues të popullit gjejnë me sa duket kohë të mjaftueshme për t'u angazhuar në punë dytësore mjaft fitimprurëse. Rasti më spektakular është ai i deputetit kristiandemokrat Reinhard Göhner i cili paralelisht me detyrën si deputet drejton biznesin e Shoqatës së Punëdhënësve BDA dhe për këtë merr të paktën dyfishin e rrogës si parlamentar.

Sa të pavarur janë deputetët

Nuk bëhet fjalë vetëm për një çështje kohe por edhe për problemin e pavarësisë së një përfaqësuesi të popullit: nuk duhet harruar se Göhner është në shërbim të një prej shoqatave më të forta lobiiste në Gjermani. Deputetja e majtë Gesine Lötzsch kërkon për këtë arsye më shumë transparencë: "Pyetja interesante është përse një deputet përfiton të ardhura dytësore, kush influencon në vendimmarrjen e tij këtu në parlamentin gjerman. Mandati i deputetit është i pajisur financiarisht në mënyrë të mjaftueshme si mandat me kohë të plotë. Gjithçka që influencohet nga jashtë duhet bërë publike."

Në vitin 2005 parlamenti gjerman ra dakort me shumicë votash që më shumë transparencë të rimëkëmbte reputacionin në rënie të parlamentit. U vendos një ashpërsim i ligjit të deputetit dhe rregulla të reja sjelljeje. Ndër to bën pjesë edhe ai për ndalimin e dhuratave parlamentarëve kur nuk duket se ato jepen në shkëmbim të ndonjë shërbimi kështu që mund të lindë dyshimi se ato shërbejnë thjesht për të ushtruar një ndikim të palejueshëm.

Xhepi deputetit duhet të jetë transparent

Para së gjithash përfaqësuesit e popullit duhet në të ardhmen t'i japin të dhëna të hollësishme kryetarit të parlamentit mbi të ardhurat dhe angazhimet e tyre dytësore. Kryetari i parlamentit më pas duhet t'i bëjë ato publike: jo shumën e saktë por p.sh. duhet të japë informacion nëse një deputet merr më shumë apo më pak se 7000 euro në muaj veç rrogës si parlamentar.

7000 euro është afërsisht rroga për detyrën kryesore të përcaktuar me ligj për deputetin: përfaqësimin e interesave të zgjedhësve. Por deri tani kryetari i parlamentit Norbert Lammert druhet nga ndërmarrja e këtij hapi delikat, pra bërjes publike të të ardhurave dytësore të deputetëve.

Arsyeja është padia që nëntë deputetë kanë depozituar pranë Gjykatës Federale në Karlsruhe. Ndër paditësit është edhe deputeti libaral Heinrich Kolb, një sipërmarrës i shtresës së mesme nga Heseni: "Nëse tani do të isha i detyruar të bëja publike të ardhurat atëherë çdokush do të keishte mundësi të shihte jo vetëm sa fitoj unë por edhe vëllai im. Ne jemi bashkëpronarë të firmës dhe publikimi i të ardhurave do të thoshte njëkohësisht edhe informacion publik për gjendjen financiare të sipërmarrjes sonë. Këto natyrisht janë gjëra që përbëjnë një cënim të rëndë të aktivitetit të një firme."

A duhet të bëjë deputeti edhe punë tjetër

Ligji i ri për deputetin bën të mundur që një ditë të bëhen publike edhe informacionet mbi pjesën e fitimit të Kolb-es. Atëherë ka mundësi që sipërmarrës të mesëm si ai të shkëputen përfundimisht nga politika. Të punësuarit dhe funksionarët, juristët, mësuesit e gjimnazit apo politologët do të përbënin atëherë shumicën e parlamentarëve çka nuk do të thotë patjetër fitim për parlamentin, mendon Kolb: "Po e shpreh kështu: nuk është aspak e dëmshme që në parlament të ketë njerëz që jo vetëm kanë lexuar projekte për krijimin e vendeve të punës por që vetë me vendimet e tyre kanë krijuar vende të reja pune, kanë punësuar punonjës të rinj apo e anasjellta të kenë qenë vetë në pozicionin e atij që i duhet të pushojë njerëz nga puna. Këto janë eksperinca që lënë gjurmë dhe janë natyrsisht pjesë e përvojës së një deputeti."

Profesionistët e lirë dhe sipërmarrësit të cilët nuk ia lejojnë dot vetes të heqin dorë nga profesioni i tyre civil i viteve me rradhë mund të humbasin interesin në politikë: një efekt anësor i padëshirueshëm i ligjit të ri për deputetin. Në të vërtetë në shënjestër të ligjit janë ata që merren dukshëm me lobiizëm, thekson deputetja e majtë Gesine Lötzsch: "Problemi i vërtetë janë për mua përshembull avokatët të cilët punojnë për kancelari të mëdha ndërkombëtare dhe që p.sh. mund të influencojnë në mënyrë shumë efektive proçesin legjislativ në fushën e tatimeve me pasoja dramatike për buxhetin. Kjo duhet të dihet më parë dhe t'i bëhet e njohur edhe publikut."

Avokatët si politikani kristiandemokrat Friedrich Merz apo ai socialdemokrat Peter Danckert mbrohen dhe nuk pranojnë të bëjnë publikë emrat e klientëve të tyre të mëdhenj. Gjykatësit kushtetues gjenden edhe përpara pyetjeve të tjera të vështira. Kështu njëri prej paditësve vë në dyshim edhe klauzolën e ligjit sipas të cilës ushtrimi i mandatit duhet të jetë në qendër të veprimtarisë së një deputeti. Kjo kërkesë sipas deputetit paditës nuk përmbushet as nga vetë kancelarja e cila është vërtet deputete por ia kushton pjesën kryesore të veprimtarisë së saj punës së qeverisë.