1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Indonesien Dulmatin

10 Mars 2010

Terroristi Dulmatin që u vra gjatë një misioni të njësisë anti-terror ishte figurë udhëheqëse në organizatën terroriste Xhemaah Islamijah dhe aktivizues i njërës nga bombat në sulmet e kryera në Bali në vitin 2002.

https://p.dw.com/p/MOnX
Listë me terroristët më të kërkuar në Indonezi
Listë me terroristët më të kërkuar në IndoneziFotografi: AP

Një ditë pas aksionit policor në afërsi të Xhakartës presidenti indonezian Susilo Bambang Yudhoyono konfirmoi sot (10.03.) vdekjen e top-terroristit Dulmatin. Pjesëtari udhëheqës i organizatës terroriste Xhemaah Islamijah u vra të martën (09.03.) nga forcat e sigurimit në Pamulang në krahinën Tangerang. Presidenti i Indonezisë Yudhoyono i cili ndodhej për një vizitë në Australi njoftoi për vdekjen e Dulmatinit gjatë një pritje në ndërtesën e parlamentit në Kanberrë.

Një nga diskotekat e shkatërruara në Kuta, Bali
Një nga diskotekat e shkatërruara në Kuta, BaliFotografi: dpa
Tourist auf Bali verläßt Ort des Grauens
Turistë duke u larguar pas sulmit terrorist në Bali 2002Fotografi: AP

Terroristi 39-vjeçar Dulmatin, alias Umar Patek, ishte një prej figurave udhëheqëse në organizatën terroriste Xhemaah Islamijah dhe mendohet së ka qenë edhe pjesëmarrës në sulmin e kryer në ishullin indonezian Bali në vitin 2002 si pasojë e të cilit jetën patën humbur mbi 200 vetë, në mesin e tyre gati 100 turistë australianë.

Kryeministri i Australisë, Kevin Rudd, i përgëzoi autoritetet indoneziane për suksesin e treguar në luftë kundër terrorizmit: "Dua t'u shpreh mirënjohjen tonë autoriteteve indoneziane dhe presidentit Yudhoyono. Ky ishte një operacion shumë i suksesshëm i forcave të sigurimit sikurse edhe operacionet e tjera të kohëve të fundit. Lufta kundër organizatave terroriste është një punë shumë e rëndë dhe autoritetet indoneziane kanë arritur suksese domethënëse."

Njësia anti-terror e policisë indoneziane sulmoi një internet-kafe pak kohë pasi kishte konstatuar vendin ku gjendej Dulmati, i cili kishte aktivizuar postën e tij elektronike. Ai arriti të shkrepte një plumb nga pistoleta e tij para se të qëllohej nga forcat e sigurimit.

SHBA: 10 milionë dollar shpërblim për vrasjen apo kapjen e Dulmatinit

Në disa aksione të tjera forcat e sigurimit kanë vrarë dy terroristë dhe kanë arrestuar disa persona. Zëdhënësi i policisë Edward Aritonang tha se deri sa të sqarohet identiteti i viktimave mund të zgjasë pak kohë: "Këta burra janë nga Java perëndimore dhe Xhakarta. Ata ishin të lidhur me grupin terrorist, i cili është aktiv në Açeh dhe ne kishte kohë që po i ndiqnim. Bëhet fjalë siç duket për furnizues të grupit terrorist me armë dhe para."

Njësia antiterroriste indoneziane ka kryer gjatë muajit shkurt disa aksione kundër grupeve militante në krahinën Açeh. Sipas njoftimeve në medie këto operacione në Indonezi po zhvillohen në prag të vizitës së presidentit amerikan Barack Obama pas afro dhjetë ditësh.

Autor: Bernd Musch Borowska/Esat Ahmeti
Redaktor: Pandeli Pani