1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policia serbe ndalon të hyjnë në Serbi fotografi nga Kosova

Bekim Shehu
30 Maj 2018

Një grup artistësh kosovarë nuk u lejuan të marrin me vete në Beograd disa fotografi me simbole kombëtare nga Kosova. Artistët do të merrnin pjesë me ekspozitë në festivalin “Mirdita, Dabar Dan” që mbahet në Beograd.

https://p.dw.com/p/2ye4j
Kosovo Jahrestag der Unabhängigkeit - Parade in Pristina
Fotografi: Reuters/M. Djurica

Policia  e Serbisë ndaloi në pikën kufitare të Mendares dhe nuk lejoi të futen ne Serbi tri fotografi dhe një katalog, në të cilat shihen flamujt e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Disa artistë kosovarë donin të merrnin pjesë me një set fotografish në ekspozitën që pritet të mbahet në Beograd në festivalin "Mirdita, Dabar Dan”. Njëri nga organizatorët pjesëmarrës në festival, Kushtrim Koliqi, thotë se ndalimi i fotografive dhe kontrollet e rrepta ndaj ekipit të artistëve nga Kosova tregojnë se marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel në dialogun Kosovë-Serbi, nuk vlejnë asgjë.

"Kjo është e tmerrshme, ky është një indikator i qartë për ata që proklamojnë dialogun Kosovë e Serbi. Deri tani ky proces po rezulton të jetë fiasko. Të gjithë ata që sponsorizojnë dialogun duhet ta marrin këtë rast si shembull se asgjë nuk ka ndryshuar në raportet Kosovë-Serbi, përveç faktit që disa burokratë politikanë takohen në Bruksel dhe nënshkruajnë dokumente, por  pa vlera”, tha i revoltuar Kushtrim Koliqi.

Arti, kultura, sporti nuk duhet të pengohen nga politika

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se "me shqetësim po i përcjell pengesat që autoritetet e Serbisë po ua bëjnë artistëve dhe të rinjve nga Kosova”.  "Arti, kultura, sporti nuk duhet të pengohen nga politika, veçanërisht kur angazhohen për paqe e pajtim. Për më tepër, kjo sjellje e autoriteteve të Serbisë është në kundërshtim të frymës së bashkëpunimit që po ndërtojmë në rajon dhe në kundërshtim me përpjekjet për të vënë raporte evropiane në mes vendeve të rajonit. Kjo bëhet edhe më e rëndë pas mesazheve të qarta të dhëna në Samitin e Sofjes në mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor se vendet e Evropës Juglindore nuk kanë të ardhme evropiane pa ndërtim dhe normalizim të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore”, thotë në reagimin e tij, Presidenti Thaçi.

Kosovo Unabhängigkeit Denkmal und Flagge in Pristina
Fotografi: AP

Ndaj ndalimit të fotografive nga Kosova dhe kontrollit për disa orë të ekipit të artistëve kosovare nga autoritetet kufitare të Serbisë, reagoi  kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.  Ai tha se Serbia duke ndaluar artistët kosovarë po e rrënon komunikimin normal ndërmjet dy vendeve.

"Autoritetet serbe me aktin e ndalesës në kufi të artistëve kosovarë, të ftuar në festivalin "Mirëdita, Dobar Dan” në Beograd, po rrënojnë edhe ato pak mundësi për vendosjen e një komunikimi normal me Kosovën, qoftë edhe përmes artit, si gjuhë universale. Artistët dhe të rinjtë nga Kosova po i nënshtrohen bastisjes së rreptë në kufi me Serbinë, ku policia serbe ua ka bërë me dije se dy ekspozita nuk do të lejohen për shkak të përmbajtjeve artistike të tyre”, thuhet në reagimin e kryeministrit Haradinaj.

Më herët me i ashpër në reagimin e tij ishte ish-ministri i jashtëm dhe tash zëvendëskryeministër në qeverinë e Kosovës Enver Hoxhaj. Ky i fundit paralajmëron reciprocitet për shtetin e Serbisë, nëse siç thotë "Serbia  vazhdon keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës”.

"Ne kërkojmë nga qeveria serbe që menjëherë të ndërpresë abuzimin e qytetarëve tanë ose do të marrim masa reciproke. Marrëdhëniet nuk mund të jenë normale nëse ndalojnë artistët të marrin pjesë në ekspozita”, shkroi në reagimin tij Enver Hoxhaj.

Raste të përsëritura

Në qershor të vitit të shkuar në po të njëjtin festival, "Mirëdita, Dobar Dan” autoritet e Serbisë i ndaluan pjesëmarrjen ish-Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga. Ish-presidentja e Kosovës ishte e ftuar nga shoqëria civile, në promovimin e librit "Unë dua të dëgjohem", në kuadër të festivalit. Jahjaga ishte e ftuar të mbajë fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Autoritet serbe, në arsyetimin e tyre për ndalesën e ish-presidentes, thanë se "ata nuk mund t'i ofrojnë siguri në Serbi ish-Presidentes së Kosovës”. Dy netët e para të festivalit në Beograd, u shoqëruan me protesta të serbëve, të cilët kundërshtonin pjesëmarrjen e ish-Presidentes së Kosovës. Jahjaga në një postim në facebook, pati thënë se "hyrja e saj në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd”.

Edhe në dy raste të tjera sportistët e Kosovës, nuk janë lejuar të marrin pjesë në gara me karakter ndërkombëtar, e të cilat janë organizuar në Serbi.

Festivali "Mirëdita, Dobar Dan”, mbahet për të pestin vit më radhë në Beograd, ku marrin pjesë artistë, gazetarë dhe figura publike nga Kosova.