1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policitë e Kosovës

Bekim Shehu3 Dhjetor 2008

Në Kosovë në këtë fazë veprojnë pesë mekanizma të sigurisë. Secili nga këto trupa ka komanda të ndara. Prezenca e mekanizmave të ndryshëm të sigurisë do të vërehet në qytetin e ndarë të Mitrovicës.

https://p.dw.com/p/G8iu
Punonjës të EULEX-it në KosovëFotografi: AP

Në Kosovë me një intensitet të shtuar po zbarkojnë grupe të policisë, pjesëtarë të misionit EULEX, i cili më datën nëntë të këtij muaji zyrtarisht nis punën. Ata u bashkohen kolegëve të tyre nga administrata e Kombeve të Bashkuara dhe Shërbimit Policor të Kosovës. Të tria këto polici do të bashkëveprojnë në ruajtjen e rendit dhe ligjit edhe me forcat paqeruajtëse të KFOR-it dhe në një masë edhe me Trupat Mbrojtëse të Kosovës më vonë me Forcën e Sigurisë së Kosovës.Të gjitha këto mekanizma të sigurisë kanë komanda të ndara dhe ky fakt për njohës të çështjeve të sigurisë nuk është shumë i dëshirueshëm, sepse mund të ketë ndeshje përgjegjësish në një vend, që aspiron të jetë unik në ruajtjen e rendit dhe ligjit. Ekpertë për çështje të sigurisë, thonë se problemet e para mund të paraqiten pikërisht nga plani gjashtëpikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, ku parashihet të ketë ndryshim të strukturës së policisë të minoritetit serb. Ky fakt do të jetë shqetësim i madh dhe sfidë për popullin e Kosovës. Ekpertët e sigurisë pikë shqetësimi e kanë qytetin e ndarë të Mitrovicës, ku policia shqiptare e Kosovës nuk do të ketë qasje, perderisa policët serbë të Kosovës në atë pjesë do të kenë komandatët e tyre, të cilët pritet të mbikqyrën nga një komisar ndërkombëtar i policisë së BE-së. Aktualisht në veri të Mitrovicës veprojnë vetëm policia e UNMIK-ut mandati i së cilës akoma është i paqartë. Kjo për faktin që ata funksionojnë në bazë të rezolutës 1244 të KS-it dhe në bazë të kësaj rezolute thuhet se do të funksionojnë edhe policët e misionit EULEX. Mirëpo këta të fundit nuk do të japin llogari para KS-it, por para grupit ndërkombëtar për Kosovën në përbërje të të cilit janë shtetet e BE-së, që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Të gjitha këto paqartësi në mandate dhe shpërndarje përgjegjësishë sipas ekspertëve të çështjeve të sigurisë do ta vënë në dyshim besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës karshi organeve të sigurisë. Udhëheqësit politikë kosovarë thonë se misioni i UNMIK-ut duhet ta përfundojë mandatin sa më shpejt, të mos zbatohen pikat e planit të zotit Ban Ki Mun, i cili parasheh komanda të ndara të policisë së Kosovës në atë serbe dhe shqiptare, por të respektohet kushtetuta e vendit. Vetëm në këtë mënyrë sipas tyre nuk do të ketë përplasje në kompetenca dhe kushtetuta do të jetë garanca e drejtë e respektimit të rendit dhe ligjit.