1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politikë nën frymën e përgjegjësisë para Zotit dhe Njeriut

Aida Cama4 Qershor 2006

Nga data 1-3 qershor në Johannesstift në Berlin u mbajt Takimi i 11 ndërkombëtar i Berlinit. Takimet ndërkombëtare të Berlinit organizohen nga Grupet e "Lutjeve të mëngjesit" një rreth deputetësh gjermanë nga të gjitha partitë që mblidhen larg vëmendjes së publikut për të bërë politikë tjetër. Mes 200 të ftuarve pati edhe miq nga Shqipëria.

https://p.dw.com/p/Ar0Q

Fillimet i ka në SHBA dhe shembulli i atjeshëm është ndjekur nga disa vende të tjera të botës. Po flasim për "Lutjet e mëngjesit", një aktivitet jozyrtar, mbipartiak, jofetar që mbledh së bashku njerëz të angazhuar në shërbim të Zotit dhe në shërbim të njeriut.

Në Gjermani, Grupet e mëngjesit janë krijuar fillimisht në Landin e Baden Würtembergut dhe më pas, në vitin 1981 janë transportuar në Bundestagun gjerman. Takimet jozyrtare të mëngjesit, të organizuara larg syrit të publikut mbledhin që prej asaj kohe anëtarë të të gjitha fraksioneve partiake dhe organizohen nga vetë deputetët.

Claudia Walpuski është një nga organizatorët e takimit: "Çdo vit zhvillohet një takim në rreth më të gjerë. Në anglisht ai quhet në National Prayer Breakfast. Pjesëmarrësit mblidhen së bashku nën frymën e paqes dhe nën frymën e Jezu Kristit. Në botë ka shumë luftra, konflikte, papajtueshmëri. Lutjet dhe bota që beson tek Zoti mund të hapin rrugën e pajtimit dhe mirëkuptimit".

Nxitja e njerëzve për të marrë përgjëgjësitë ndaj Zotit dhe njeriut është qëllimi i kësaj inisiative të grupit të miqve.

"Ky është një nga qëllimet që më ka sjellë mua këtu. Kjo dhe që duke qenë në ketu, të kthehemi në njëfarë mënyre në transkriptues të këtij shpirti edhe në shoqërinë shqiptare, e cila ka aq shumë nevojë për këtë lloj shpirti", thotë Arian Galdini i ftuar nga Shqipëria.

Përveç tij në takim janë ftuar dhe 200 miq të tjerë. Një prej tyre është Dorian Duçka, koordinator politik në departamentin e marrëdhënieve me jashtë të Lëvizjes socialiste për Integrim.

"Në të njëjtën kohë ne të rinjtë që jemi këtu kemi krijuar një grup të tillë që mblidhen nën të njëjtin shpirt dhe i bazuar në të nga të njëjtat parime. Ne jemi gjashtë djem të rinj nga tre parti, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Takohemi dhe bisedojme mbi motivet dhe se pse duhet të shërbëjme në politikë dhe në jetën publike," thotë Duçka.

Dorina Xhillari është studente: "Nuk është hera e parë që vij në takime të këtij niveli, por hera e parë që vij në Berlin. Më kanë pëlqyer shumë folësit, mënyra se si ishte organizuar dhe të gjitha ato që ndamë më njeri tjetrin".

Për Dorian Duçkën "motivi kryesor dhe ajo çfarë na bashkon më shumë është dëshira për të qenë drejtues dhe shërbyes."