1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politikanë gjermanë paralajmërojnë Suzane Osthof të mos rikthehet në Irak

27 Dhjetor 2005

Qeveria gjermane nuk do të mbështesë financiarisht projektet e Osthof në Irak nëse ajo injoron paralajmërimet

https://p.dw.com/p/Ar1v
Suzane Osthof
Suzane OsthofFotografi: dpa

Gjermania e rrëmbyer Suzane Osthof e liruar më 18 dhjetor pas rreth tre javësh pengmarrje, dëshiron të rikthehet në Irak për të vazhduar punën si arkeologe. Pas kësaj deklarate të bërë publike nga kanali televiz arab Al Xhazira, kanë reaguar politikanë gjermanë të cilët e kanë paralajmëruar Osthof të mos i vërë në jetë planet e saj.

Qeveria gjermane dhe deputetë të Bundestagut i kanë bërë thirrje Suzane Osthof të mos kthehet në asnjë mënyrë në Irak. Tetë ditë pas lirimit të saj politikanët kërcënojnë ndër të tjera me pasoja financiare nëse ajo do ta vërë veten përsëri në vështirësi dhe nëse për të do të nevojitej sërish ndihma shtetërore. Sipas njoftimeve të pakonfirmuara Osthof ka thënë në një intervistë për kanalin arab Al Xhazira se dëshiron të vazhdojë punën e saj si arkeologe në Irak pa përmendur megjithatë një datë për këtë.
Ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer e ka paralajmëruar ish-pengun shprehimisht të mos vërë në jetë këto plane. "Pas përpjekjeve intensive për rreth tre javë të cilat sollën në fund lirimin e saj unë nuk mund të tregoj aspak mirëkuptim nëse zonja Osthof do ta vinte veten sërisht në rrezik" ka deklaruar politikani socialdemokrat.
Politikani kristiandemokrat Ekart von Kleden është bashkuar me thirrjen e ministrit të jashtëm: "Unë mund të them vetëm se e konsideroj tejet të papërgjegjshme sjelljen e zonjës Osthof nëse megjithë paralajmërimet ajo do të rikthehej në Irak. Unë gjithashtu do të kuptoja shumë mirë zemërimin e një numri personash të cilët janë angazhuar ditë e natë për rikthimin e saj në atdhe në gjendje sa më të mirë" - ka thënë von Kleden.

Ndërkohë kryetarja e Partisë së Gjelbër gjermane, Klaudia Rot, ka deklaruar se e kupton fare mirë dëshirën e Suzane Osthof për një kthim të mundshëm në Irak. Për gazetën 'Handelsblatt' Rot është shprehur se "Iraku ka qenë për shumë vjet qendra e jetës së Osthof dhe nëse ajo dëshiron të vazhdojë atje aktivitetin e saj si arkeologe ose atë humanitar askush nuk mund ta ndalojë."